Zuckerberg, ndjesë publike në dëshminë përpara Kongresit për skandalin e privatësisë në “Facebook”

Mark Zuckerberg, kreu ekzekutiv i kompanisë Facebook, kërkoi ndjesë publike për skandalin e privatësisë që ka dëmtuar emrin e gjigantit të medias sociale të themeluar prej tij më shumë se një dekadë më parë.

Zuckerberg i filloi komentet përballë një komisioni të senatit amerikan duke marrë mbi vete përgjegjësinë që nuk mundi të parandalojë skandalin me firmën Cambridge Analytica, të lidhur me fushatën presidenciale të kandidatit Donald Trump, e cila mori nga Facebook-u të dhëna personale të 87 milion përdoruesve me synimin për të ndikuar tek zgjedhjet.

Zuckerberg u kishte kërkuar falje shumë herë përdoruesve dhe publikut, por kjo ishte hera e parë në karrierën e tij që ai dëshmon përpara Kongresit.

Të mërkurën ai do të dëshmojë përpara një komisioni të ngjashëm të Dhomës së Përfaqësuesve.

Në seancat dëgjimore, Zuckerberg jo vetëm po përpiqet të rivendosë besimin e publikut te kompania e tij, por edhe të shmangë forcimin e rregullave federale ndaj Facebook-ut, për të cilat po flasin disa ligjvënës.

Në deklaratën e hapjes përpara senatorëve, ai gjithashtu kërkoi falje për lajmet e rreme, gjuhën e urrejtjes, mungesën e privatësisë së të dhënave dhe ndërhyrjen e mediave ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

“Ne nuk e pamë me një vështrim të gjerë përgjegjësinë tonë, dhe ky ishte një gabim i madh”, tha ai. “Ishte gabimi im dhe kërkoj falje. Unë e themelova Facebook-un, e drejtoj atë dhe jam përgjegjës për atë që ndodh këtu.”

Ndërkaq, kompania ka filluar të njoftojë përdoruesit, të dhënat e të cilëve janë marrë nga Cambridge Analytica. Në një njoftim që u shfaq në Facebook për disa përdorues të martën, ata paralajmëroheshin se “një nga miqtë tuaj” e ka përdorur Facebook-un për të hyrë në një aplikacion tashmë të ndaluar, të quajtur “Kjo është jeta juaj dixhitale”. Në njoftim thuhej se aplikacioni ka keqpërdorur informacionin tuaj, duke përfshirë profilet publike, pëlqimet e faqes, ditëlindjet dhe qytetet aktuale, duke e ndarë atë me Cambridge Analytica.

Pasi u rezistoi kërkesave të mëparshme për të dëshmuar, Zuckerberg pranoi të vinte në Kongres këtë muaj, kur u konfirmua se Cambridge Analytica kishte mbledhur të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut. Zuckerberg tha se kompania e tij ka përgjegjësi për të siguruar se ajo që ndodhi me Cambridge Analytica nuk do të ndodhë përsëri.

Zuckerberg pritet të pyetet gjithashtu për përdorimin nga Rusia të mediave sociale të SHBA gjatë zgjedhjeve të 2016-ës, subjekt ky i disa hetimeve që po zhvillohen në kongres dhe i prokurorit të posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes ruse.

10 prill (gazeta-Shqip.com)