ZGJEDHJET PARLAMENTARE/ Partitë politike shqiptare “peshkojnë” votën e emigrantëve

VËZHGIM/ Shqiptarët që kanë imigruar jashtë vendit, ende nuk votojnë dot atje ku jetojnë. Politika premton se kjo do të jetë hera e fundit. Mësymje e PS, PD dhe LSI drejt Greqisë dhe Italisë, aty ku gjenden më shumë emigrantë. Apeli: Ditën e zgjedhjeve, kthehuni për të votuar. Dhe kërkesa e atyre që jetojnë larg vendlindjes: Na ulni taksat dhe tarifat në shërbimet konsulloreFushata, politika tani po shkon tek emigrantët jashtëvendit për t’u kërkuar votën

Teksa u kanë premtuar emigrantëve shqiptarë se kjo do të jetë hera e fundit që ta nuk do të votojnë nga vendet ku jetojnë, politikanët kanë nisur takimet elektorale pranë tyre, duke u kërkuar haptazi votën për zgjedhjet e 25 Qershorit. Dhe duke apeluar se është e domosdoshme që atë ditë, çdo emigrant të kthehet në atdhe për të votuar 

Nga Eglantina Nasi – Albanian Free Press

Është e domosdoshme që çdo emigrant shqiptar të kthehet në atdhe për të votuar më 25 qershor 2017. Teksa kjo, do të jetë hera e fundit që ata të mos votojnë nga vendet ku jetojnë dhe punojnë. Ky është apeli që politika shqiptare po u drejton gjatë këtyre ditëve emigrantëve, duke i joshur që ata të vijnë patjetër në Shqipëri ditën e 25 qershorit për të votuar. Thirrje kjo e bërë jo më në distancë, por tashmë edhe nga afër, ndërsa politikanë të caktuar kanë nisur të zhvillojnë takime konkrete  elektorale me emigrantët jashtë vendit. Një i tillë ka qenë ai i zhvilluar për shembull nga drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, i cili ka kryer një të tillë me emigrantët shqiptarë në Athinë. “Emigrantët kanë një rol kyç dhe emigracioni gjithnjë ka patur një rol kyç. Na duhet vota e çdo emigranti, duhet t’u thoni vëllezërve dhe motrave hajdeni në 25 qershor”, u shpreh ai para tyre. Dhe meqë ndodhej në Greqi, nuk ka lënë pa prekur as edhe çështjen e minoritetit grek në vendin tonë, i cili sipas tij, do të jetë një urë lidhëse me Shqipërinë dhe Greqisë. Kujtojmë sakaq, se pak ditë më parë, vetë kryeministri Edi Rama u ka kërkuar të gjithë emigrantëve të sigurojnë nga 10 vota për forcën e tij politike, duke telefonuar të afërmit e tyre në mënyrë që sipas tij, ata të kenë “Shqipërinë që duam”. “Ju lutem, ngrini telefonin, flisni me njerëzit e shtëpisë, me farefisin, fqinjët, të njohurit tuaj këtu në Shqipëri, bëjini 10 vota të sigurta për Shqipërinë që duam, punë dhe mirëqenie”, apeloi Rama ndaj emigrantëve. Më pas, u tha atyre edhe  se ai besonte që kjo të ishte hera e fundit që emigrantët nuk votojnë nga vendet ku ata jetojnë. “Sepse ne kemi nisur punën, një punë kolosale për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, të cilët për çerek shekulli nuk i numëroi kush, nuk i llogariti kush, nuk i deshi kush në vendin e vet”, sqaroi ai. Një fakt që e ka bërë me dije edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një nga takimet e fundit elektorale, u premtoi në distancë emigrantëve se “në zgjedhjet e vitit 2021, ata do të kenë mundësi të votojnë atje ku janë”. Ndërkaq, duhet thënë se Partia Socialiste i ka nisur që para nisjes zyrtare të fushatës elektorale takimet me emigrantët shqiptarë jashtë vendit. Sjellim ndërmend këtu takimin e zhvilluar në muajin mars të nga vetë sekretari i saj për Emigracionin, Stefan Çipa në me emigrantët shqiptarë në Janinë, ku ka kërkuar përkrahjen e tyre. Teksa në zgjedhjet e vitit 2013, Partia Socialiste trumbetoi me të madhe një program për emigrantët. Ndërsa vetë kryeministri Edi Rama pranoi organizimin e një rrjeti të posaçëm të tyre. Sikundër, edhe Partia Demokratike nuk ka harruar që t’i ketë ata në axhendën e tyre politike. Mjafton të kujtojmë thirrjet publike drejtuar ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit prej kryetarit të demokratëve, Lulzim Basha, në kohën e së ashtuquajturës “Çadra e Lirisë”. “Republika e Re, akti i parë do të jetë e drejta juaj për të votuar njësoj si familjarët tuaj. Kombi do bashkohet në parlamentin e ri të Republikës së Re”, ka apeluar ai. Madje ai i ka ftuar që një vit më parë ata nga afër, të vijnë të votojnë për zgjedhjet e sivjetshme. Konkretisht, në takimin e korrikut 2016, që kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar me ta në Greqi, ai u kërkoi emigrantëve të jenë gati për zgjedhjet parlamentare, kurdo ato do të zhvilloheshin. Saktësisht, ai kërkoi që sa më shumë shqiptarë të vijnë në Shqipëri për të votuar, pasi votat e emigracionit sipas tij kanë një rëndësi të veçantë në fitoren e Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim duhet thënë se i ka kushtuar rëndësi mjaft të veçantë votës së emigrantëve si e tillë gjatë viteve të fundit. Vetë ish-kryetari i saj, Ilir Meta në një takim të zhvilluar në Athinë nëntorin e kaluar, teksa i ka falënderuar emigrantët për kontributin e pamohueshëm që kanë dhënë në Shqipëri, ngriti para tyre çështjen e njohjes së patentave shqiptare, njohjes së pensioneve, pullës apostile, apo mungesës së votimit të tyre në vendin ku jetojnë etj.

APELI

“Na duhet vota e çdo emigranti, duhet t’u thoni vëllezërve dhe motrave hajdeni në 25 qershor. Kjo do të jetë hera e fundit që emigrantët të mos votojnë nga vendet ku jetojnë. Pasi në zgjedhjet e vitit 2021, ata do të kenë mundësi të votojnë atje ku janë”. 

DEBATI 

Mungesa e votimit aty ku jetojnë,  partitë fajësojnë njëra-tjetrën

Mungesa ende e së drejtës legjitime të emigrantëve për të votuar aty ku jetojnë, është kthyer në një betejë “hidh e prit” mes politikës shqiptare. Konkretisht, kryeministri Rama në një takim të tij të disa kohëve më parë ka deklaruar se Partia Socialiste e ka propozuar dy herë vendosjen e votës së emigrantëve. “Kemi synuar që të gjithë emigrantët të mund të votojnë aty ku jetojnë. Kjo nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse PD-ja ka qenë plotësisht kundër”, ka akuzuar ai. Madje duke e akuzuar ish-kryeministrin Berisha se në tetë vjet të qëndrimit në pushtet “nuk ka zhvilluar në 8 vjet asnjë takim me emigrantët asgjëkund”. Që të gjitha këto, deklarata të hedhura poshtë prej Partisë Demokratike.

KËRKESAT 

Emigrantët, politikës: Na ulni taksat, na lini të votojmë në vend

Emigrantët nga ana e tyre u kanë kërkuar gjithmonë politikanëve që kanë shkuar pranë tyre për t’i takuar që të kenë më shumë kujdes dhe të jenë më të ndjeshëm me problemet e tyre. Konkretisht, kërkesat e emigrantëve kanë patur të bëjnë me uljen e tarifave në shërbimet konsullore, pasi kriza e sotme sipas tyre i bën ato tarifa të papërballueshme. Gjithashtu, edhe me faktin se duan të  votojnë në vendin ku punojnë dhe jetojnë. Sikundër kanë ngritur problemin e njohjes së patentave shqiptare, si dhe të njohjes së pensioneve për vitet e punuara në vendet e huaja. Që të gjitha këto, kërkesa të cilat ende nuk kanë gjetur përmbushje të plotë nga politika shqiptare, teksa kjo e fundit u ka premtuar se zgjedhjet e sivjetshme të 25 qershorit me siguri që do të jenë të fundit kur ata do të votojnë nga jashtë.

Ministria e Emigracionit… Premtimi i harruar i politikës ndaj emigrantëve

Ngritja e një ministrie të posaçme për të ndjekur problemet e migracionit ka qenë një nga premtimet që i është bërë shtresës së emigrantëve shqiptarë nga ana e politikës. “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elemente të spikatur prej emigracionit, si dhe kemi premtuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të emi­grantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata”, kujtojmë të ketë thënë posaçërisht lidhur me një fakt të tillë vetë kryeministri Edi Rama, në një intervistë të tij, në kuadrin e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Duke shtuar më tej edhe përgjigjen e pyetjes se “përse duhet të vijë një emigrant në Shqipëri për të votuar”. “Emigrantët kanë kontribuar me vite në mirëqenien e vendit, duke sjellë para, eksperiencë, vlera dhe ide, por asnjëherë fjala e tyre nuk është dëgjuar dhe interesat e tyre nuk janë mbrojtur, pavarësisht kon­tributit të padiskutueshëm që kanë pasur në këto dy dekada”, ka thënë ai.

LSI: Emigrantët Meritojnë të kenë një zë në zgjedhjen e Parlamentit

Flet për “Albanian Free Press”, sekretari Ndërkombëtar i kësaj force politike, Ralf Gjoni

“Brenda mandatit 4-vjeçar, LSI angazhohet të realizojë regjistrimin zyrtar të të gjithë diasporës, projekt i cili duhet të ishte realizuar nga Ministria e Jashtme. Ky regjistrim i saktë është i nevojshëm për të mundësuar edhe votimin e emigranteve në vendet ku jetojnë e patjetër që duhet parë edhe mundësia e përfaqësuesve të tyre në parlament në të ardhmen. Emigrantët janë kontribut dhe potencial substancial në jetën tonë ekonomike e politike ndaj meritojnë të kenë një zë në zgjedhjen e parlamentit”. Kështu shprehet gjatë një prononcimi të posaçëm për “Albanian Free Press”, Ralf Gjoni, sekretar ndërkombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, lidhur me problematikën e emigrantëve. Duke shtuar se kjo forcë politike ka treguar gjithnjë një vëmendje të veçantë ndaj kësaj shtrese dhe komuniteteve shqiptare në botë, veçanërisht në vendet fqinje ku përqendrimi është më i madh. Ndërsa duke patur parasysh disa retorika shqetësuese ndaj fqinjëve tanë gjatë muajve të fundit, ai sqaron se “LSI si një forcë politike konstruktive do vazhdojë të ndjekë një politikë të jashtme dinamike, pozitive dhe miqësore në shërbim të Republikës së Shqipërisë dhe interesave të shqiptarëve në rajon, sepse përqasja nga Tirana kundrejt fqinjëve ndihmon edhe interesat e emigranteve tanë, siç është rasti i Greqisë”. “Në programin tonë elektoral, LSI është angazhuar të realizojë një përkujdesje sistematike institucionale për të gjithë emigrantët shqiptarë, veçanërisht në drejtim të garantimit të të drejtave si emigrantë, të mësimit të gjuhës shqipe, ruajtjes së identitetit kulturor dhe forcimit të lidhjeve me dheun mëmë”, shton ai. Duke përfunduar me citimin e  planit imediat për realizimin e një marrëveshjeje për sigurimet shoqërore për njohjen reciproke të kontributeve të emigrantëve shqiptare kudo që janë, kryesisht në Itali dhe Greqi. “Gjithashtu do të institucionalizojmë mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në emigracion, një kërkesë e vazhdueshme e shqiptareve jashtë vendit, të cilët për hir të së vërtetës janë lënë jashtë vëmendjes së shtetit”, përfundon Gjoni.

Premtimi për votën e emigrantëve, që nga 2009-ta 

Viti 2009 ka qenë edhe momenti kur nga politika shqiptare, emigrantëve shqiptarë nisi t’u bëhej premtimi konkret se ata do të votonin atje ku jetojnë dhe punojnë. Por deri më tani, kanë kaluar tre procese elektorale, bashkë me këtë që pritet të realizohet më 25 qershor 2017 dhe një gjë e tillë nuk është mundësuar akoma. “Ne si Parti Socialiste u kemi bërë një premtim të gjithë emigrantëve, veça­nërisht atyre në Greqi dhe Itali; në mo­mentin që do të vijmë në pushtet, ne do të kalojmë ligjin për Votën e Jashtme, që do u mundësojë emigrantëve që të votojnë në vendin ku ata ndod­hen, pa pasur nevojë të udhëtojnë për në Shqipëri”, kujtojmë të jetë shprehur vetë kryeministri Edi Rama lidhur me një fakt të tillë.