ZGJEDHJET E PERGJITHSHME PARLAMENTARE/ Zgjedhjet në mediet e huaja: Test kyç për Shqipërinë

Shqipëria voton në zgjedhje, që nga diplomatët e huaj shihen si gur kilometrik në rrugën e saj drejt BE-së, e këtë frymë reflektojnë edhe shumica e artikujve të shtypit të huaj kushtuar votimeve të kësaj të diele për Parlamentin e ri.

Vëmendja dhe interesi ndaj këtyre zgjedhjeve është fokusuar te standardet e tyre: të cilësohen të lira e të ndershme. Një togfjalësh ky, që siç vëren “Deutsche Welle”, rikthehet pas zëvendësimit të tij nga misionet vëzhguese të OSBE-ODIHR-it.

Në dy zgjedhjet e kaluara parlamentare ishte përdorur përcaktimi shumë më i vakët, “zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare”, i pakuptueshëm nga qytetarët e thjeshtë që votojnë.

Media e njohur gjermane nxitoi të raportonte episodin e dhunës në Shëngjin, ku u dhunua një militant i LSI-së, por thekson se përgjithësisht situata ka qenë e qetë dhe pa problematika serioze.

Artikulli i rreshton sidoqoftë disa incidente, si mosparaqitjen e 2 komisionerëve të PD-së në qendrat e votimit në Kamëz, duke sqaruar se dy individët janë zëvendësuar shumë shpejt. Në Qarkun e Dibrës, komisioneri i PD-së në një qendër votimi ka marrë vulën me vete dhe është larguar. Në 3 qendra të Lushnjes, votimi është ndërprerë përsëri për shkak të komisionerëve të Partisë Demokratike, të cilët janë tërhequr nën pretendimin se mbi ta është ushtruar presion nga komisionerët e PS-së.

“Washington Post” citon Ministrinë e Brendshme të raportojnë disa përpjekje për blerje vote, duke e theksuar se kjo është një shkelje që mund të dënohet edhe me burg. Gazeta e njohur kujton se, shqiptarët kremtojnë sot edhe Fiter Bajramin, e në këtë kontekst citon Edi Ramën të thotë: “Shqipërisë, sot Zoti i nevojitet më shumë se kurrë”.

Rama, për “Il Sole 24 ore”, kërkon një mazhorancë për Europën, për të realizuar reformat, mposhtur korrupsionin e për të vazhduar ecjen përpara drejt Bashkimit Europian. Për “AFP”-në, Shqipëria voton me mendjen te bisedimet e anëtarësimit. “Euronews” zgjedh një titull të shkurtër, por shumë domethënës: Europa vështron, ndërsa Shqipëria voton!

Sondazhet e opinionit, sipas tij, u japin epërsi socialistëve, por nuk është e qartë nëse Rama do të arrijë të sigurojë mbështetje të mjaftueshme, e cila t’i sjellë një shumicë të qartë në Parlamentin 140 vendesh.

/ Top Channel