Zbulohet dokumenti sekret me testamentin që iu dërgua Enverit nga italiani Romano Gobbo

Nga Dashnor Kaloçi

Edhe pse po mbushen gati tre dekada që nga shëmbja e regjimit komunist të Enver Hoxhës në vitet 1990-‘91, dhe aq më shumë kur prej vitesh janë hapur edhe arkivat sekrete të atij regjimi nga më diktatorialët të Europës Lindore, ende dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e mbuluar me një mister dhe nuk ka një përgjigje të saktë për një nga çështjet më të shumëpërfolura, ajo që ka lidhje me “pasurinë e udhëheqësit komunist, Enver Hoxha e familjes së tij”?! Ndryshe nga sa ka ndodhur me krimet e atij regjimi, duke filluar me arrestimet, interimet, burgimet dhe ekzekutimet me dhe pa gjyq, të cilat ishin ngritur në sistem, ku një pjesë e madhe e tyre rezultojnë të urdhëruara personalisht nga Enver Hoxha e të firmosura me dorën e tij, që janë bërë publike prej vitesh me botimin e publikimin e qindra e qindra dokumenteve, ajo që ka lidhje me abuzimin apo përvetësimin e shumave monetare nga arka e shtetit të udhëheqësve të lartë të regjimit komunist dhe personalisht Enver Hoxhës e familjes së tij, ende vazhdon të mbetet e paqartë?! Ndonëse për këtë gjë ka mjaft akuza me lloj lloj versionesh, ende deri më sot nuk ka pasur dhe nuk ka një përgjigjie apo reagim zyrtar nga institucionet shtetërore përkatëse dhe po kështu nuk ka dalë akoma ndonjë dokument arkivor prej studjuesëve, historianëve, gazetarëve etj, që mund të hedhi dritë mbi këtë çështje të shumpërfolur! Por akuzat dhe hamëndjet që kanë qarkulluar që nga viti 1991 e në vijim, duket se mbështeten dhe përdorin si “argument” kryesor, konfliktin e ashpër që ka lindur prej kohësh në familjen e Enver Hoxhës, konflikt i cili nuk ka karakter politik, pasi të dy palët (Nexhmija me të bijën, Pranvera dhe djalin Ilirin e bashkëshorten e tij, Teutën në një anë dhe anën tjetër, Sokoli me bashkëshorten, Liljanën) mbështesin dhe janë në mbrojtje të emrit e figurës së Enverit dhe vijës politike që ai ndoqi?! Nisur nga ky fakt, hamëndësohet se konflikti në familjen Hoxha, ka lindur dhe vazhdon për çështje ekonomike, apo thënë më qartë, për probleme trashëgimie pasurore.
Por zbulimi së fundmi i disa dokumenteve arkivore të dala nga arkivat zyrtare të shtetit shqiptar, duket se mund ta thyej këtë “rregull”, pra, atë të mosdokumentimimit të abuzimeve apo përvetësimeve monetare të familjes së Enver Hoxhës, apo thënë më qartë, Nexhmijes?! Bëhet fjalë për një trashëgimi pasurore që i ka ardhur, apo thënë më saktë dyshohet se i ka ardhur Enver Hoxhës në fundin e vitit 1981, (në periudhën, nëntor-dhjetor), pëkërisht në atë kohë që Enveri filloj çarjen dhe konfliktin me kryeministrin, Mehmet Shehu?! Personi që ia dërgonte atë trashëgimin pasurore me testament, Enver Hoxhës, ishte një shtetas italian, i quajtur Romano Gobbo, nga Trieste e Italisë, i cili në letrën e tij dërguar ambasadës shqiptare në Romë, pasi bënte një autobiografi të tijën familjare, rreshtonte edhe arsyet që e shtynin atë, që atë pasuri, t’ja linte personalisht Enver Hoxhës?! Të gjitha këto bëhen të ditura nga dokumentet arkivore që kemi mundur të zbulojmë në arkivat e shtetit shqiptar, ku ekziston një korrespodencë në mes ambasadës shqiptare në Romë dhe Ministrisë së Jashtëme në Tiranë e shefit të kabinetit të Enverit, Haxhi Kroi, ku përveç shtetasit italian, Romano Gobbo, kanë firmosur edhe zyrtarë të lartë të atij regjimi, emra tashmë të njohur, si: zv/ ministri i Punëve të Jashtëme, Reiz Malile, ambasadori shqiptar në Romë, Pirro Bita, etj. Por përveç këtyre dokumenteve arkivore ku flitet për trashëgiminë pasurore që italiani Gobbo, i linte me testament Enver Hoxhës, nga investigimet që kemi bërë prej afro një vit e gjysëm që nga koha që kemi zbuluar këto dokumente, janë edhe një sërë faktorësh që hedhin dritë mbi këtë ngjarje, por ato janë dhe mbeten në kuadrin e dëshmive dhe nuk ka asgjë të shkruar. Të paktën deri më sot ende nuk i kemi të dokumentuara, si me dokumentet arkivore në fjalë të sipërcituara. Por gjithsesi, po të shikojmë me kujdes dokumentet me korrespodencën e ambasadës shqiptare në Romë me Ministrinë e Jashtëme në Tiranë dhe shefin e kabinetit të Enverit, Haxhi Kroi, dhe ato çka kemi mundur të investigojmë se si janë zhvilluar ngjarjet më pas me këtë “testament pasuror” dërguar Enverit, çështjes në fjalë i shtohen hijet e dyshimit.
E para ka të bëjë me faktin se: këto dokumente edhe pse i janë dërguar Enver Hoxhës, çuditërisht nuk janë të sigluara nga ai, pasi nuk ka asnjë shënim dhe as firmë të tij, siç ndodhte zakonisht me të gjitha dokumentet që i viheshin atij përpara në skrivaninë e tij?! Gjë e cila hedh shumë hije dyshimi se ato nuk i janë treguar fare Enverit dhe i janë mbajtur të fshehta atij?! Tagrin dhe guximin për ta bërë këtë gjë, nuk mund ta kishte asnjë tjetër, përveçse Nexhmijes dhe Ramiz Alisë?! Dhe argumenti tjetër që duket se i “vë kapakun” kësaj ngjarje, është fakti se vetëm pak ditë pas vdekjes së Enver Hoxhës, Nexhmija bëri një vizitë dyjavore në Itali, gjë të cilën e dëshmon njëri nga ish-oficerët e Zbulimit Sekret Shqiptar që e ka shoqëruar atë në atë udhëtim jashtë Shqipërisë, (i cili disponon edhe fotot), ku sipas tij, si shoqërues kanë qenë edhe disa persona të tjerë, përfshi Sulo Gradecin. Kjo vizitë e Nexhmije Hoxhës asokohe në Itali (thuhet dhe në Zvicër), u mbajt shumë e fshehtë jo vetëm për publikun, por rreth saj nuk dinin gjë as gjysma e familjes Hoxha, (Sokoli dhe Liljana), të cilët këtë gjë e kanë mësuar vetëm pasi ju kemi treguar dokumentet në fjalë! Asokohe vizita e Nexhmijes jashtë, u justifikua për “arsye shëndetësore” nga goditja që kishte marrë me vdekjen e Enverit, por po të kemi parasysh se që nga fundi i viteve ’60-të e deri më shëmbjen e regjimit komunist, udhëheqja e lartë shkonte për vizita vetëm në Francë, vajtja e Nexhmijes në Itali, i shton së tepërmi hijet e dyshimit dhe lë shteg për një implikim të saj me “testamentin pasuroror” të italianit, Romano Gabbo?! Për të cilin, ish-oficeri i Zbulimit Sekret Shqiptar, dëshmon se u interesuan dhe morrën të dhëna të sakta rreth personit të tij, duke paguar informatorë të tyre në Trieste. Por lidhur me këtë person, pra Romano Gabbo, kemi investiguar edhe ne (Tv Scan) dhe kemi marrë një përgjigjie zyrtare nga Komuna e Triestes…?! Lidhur me këtë dhe mjaft të tjera nga dosja me dokumentet sekrete në fjalë, do flasim më shumë në një speciale në emsionin qëndror të lajmeve në Tv Scan, të hënën, datë 28 janar, ora 15, ku do bëjmë publike edhe dokumentet e tjera, rreth të cilave do të ndihmonin mjaft duke hedhur dritë mbi to edhe personat që kanë lidhje direkt apo indirekt me këtë problem.

 

LETRA E AMBASADORIT SHQIPTAR NE ITALI, PIRRO BITA
PER MINISTRINE E JASHTEME NE TIRANE
A M B A S C I A T A
DELLA REPUBLICA POPOLARE SOCIALISTA D’ ALBANIA Roma, 16. II. 1981
IN ITALIA VIA ASMARA 9
TEL . 83. 80. 725
Nr. 301 MINISTRISE SE PUNEVE TE JASHTEME
(D r e j t o r i s ë së IV)
T I R A N E
Bashkangjitur po ju dërgojmë letrën që i dërgon përfaqësisë sonë i quajturi GOBO Romano me banim në San Dorligo, Trieste nga e cila del se personi në fjalë është simpatizant I RPSH dhe ushqen dashuri të madhe për veprën e shokut ENVER. Në shenjë të këtij respekti shpreh dëshirën që të lerë me testament pasurinë e tij në favorin tonë.
Letrën e tij po ua dërgojmë për të vënë në dijeni. Ne nuk e njohim personin. Do t’i dërgojmë ndonjë fotografi dhe materiale të shokut ENVER.
A M B A S A D O R I
(PIRO BITA)