Yee e shpreh qartë: Interesat e SHBA-së në Ballkan, integrimi në BE

Njëri nga interesat kryesorë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor është që të ndihmohen vendet e rajonit për t’u integruar në pjesën tjetër të Evropës dhe të ndërtohet një e ardhme demokratike dhe të qëndrueshme.

Kështu ka deklaruar zëvendësndihmës sekretari për Evropën dhe Çështjet Evropiane në administratën amerikane në Washington, Hoyt Brian Yee në një intervistë për televizionin e Sarajevës N1.

“Interesi ynë është që vendet e rajonit të kenë një ekonomi të respektuar, e cila u jep atyre një shans për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë”, deklaroi Yee.

Ai ka hedhur poshtë pohimet e mediave se do të jetë ambasador i ri i SHBA-së në Maqedoni, duke thënë se është i kënaqur me punën që është duke kryer, transmeton Ksp.

Duke iu referuar paralajmërimeve për një strategji të re të SHBA-së për Ballkanin, Yee thekson se Qeveria amerikane mbështet fuqishëm aspiratat për anëtarësim në BE. (b.an)