Xi Jinping, njeriu që jetoi në shpellë dhe u bë një nga liderët më të fuqishëm në botë

Aktualisht është një nga lojtarët më të aftë të shahut politik botëror dhe kultivon imazhin e njeriut të fortë dhe enigmatik. Megjithatë Xi Jinping ka pasur një histori krejt ndryshe nga ajo e shumicës së liderëve të tjerë botërorë. Princ, fermer e më pas president. Kështu e përmbledhin biografët jetën e tij.

Ai lindi në Pekin në vitin 1953. Biri i një revolucionari veteran, Xi Zhongxun ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste.

Për shkak të këtyre rrënjëve, ai u pa si një “princ”, si i biri i një zyrtari të shquar dhe ish-zëvendëskryeministrit.

Por pavarësisht këtyre, historia e tij nuk është nga ato më të lmturat. Fati i familjes së tij ndryshoi kur babai i tij u largua nga partia dhe u arrestua në vitin 1962.

Pesë dekada më parë, kur kaosi i Revolucionit Kulturor përfshiu Pekinin, Xi Jinping, atëherë 15 vjeç, nisi jetën e ashpër rurale të Kinës. Rajoni ku Xi ka punuar si fermer ka qenë bastion i komunistëve gjatë luftës civile. Ishte Yan’an, që quhej edhe “toka e shenjtë e revolucionit kinez”.

Aktualisht pas konfirmimit në Kongresin e Partisë Komuniste, Xi Jinping është presidenti në krye të një superfuqie në rritje dhe të sigurt, por edhe të një kombi që monitoron me kujdes atë që thuhet për liderët e tij.

Historia e Xi- së është “pastruar” dhe qyteti ku ai u rrit tani është bërë një destinacion pelegrinazhi për më besnikët e Partisë Komuniste.

Në vitin 1968, Mao vendosi që miliona të rinj të shpërnguleshin nga qyteti në fshat për të mësuar nga jeta e vështirë e fshatarëve. Xi pohon se ai mësoi nga kjo dhe se idetë dhe cilësitë që e përcaktojnë atë sot u formuan në atë periudhë të jetës së tij, kur ai jetoi në një shpellë në Liangjiahe.

“Kur isha 15 vjeç, isha konfuz, ndërsa kur u largova prej aty në moshën 22 vjeçare kisha qëllime të qarta për jetën dhe isha plot besim”, tha ai. Në atë periudhë të gjithë studionin të famshmin “Librin e Kuq” të Presidentit Mao. Ndërsa tani mendimet e Presidentit Xi vendosen në tabela të mëdha reklamuese dhe ka një muze në nder të tij.

Në pesë vitet e para të pushtetit, Xi Jinping ndërtoi kultin e personalitetit të tij.

Në qendër është imazhi i njeriut të popullit, që flet modestisht e që mban radhën për të blerë bukë në dyqanet e vogla të lagjeve.

Por thelbi i mitit që është krijuar rreth Xi është jeta e tij larg familjes dhe shtëpisë së tij, kur ai jetonte si i persekutuar politik në një shpellë.

Gjatë fëmijërisë, babai i tij ishte hero i revolucionit komunist dhe Xi gëzonte jetën e privilegjuar dhe të mbrojtur të “princërve komunistë”.

Një kabllogramë e një diplomati amerikan e botuar nga Wikileaks në 2009, bazuar në një bisedë me një mik të ngushtë të Xi, pohon se 10 vitet e para të jetës së tij ishin ato që ndikuan më shumë.

Por e gjithë kjo u shemb pas spastrimit të elitës së partisë nga presidenti Mao, gjithnjë e më shumë paranojak dhe hakmarrës gjatë ’60.

Babai i Xi u persekutua dhe më pas u burgos, familja e tij u poshtërua dhe një nga motrat e tij vdiq, mendohet vetëvrasje.

Kur  mbushi 13 vjeç, mbaroi dhe arsimimi i Xi-së.

Kështu filloi faza e dytë e jetës adoleshente të Xi në Pekin pa prindër apo miq që ta mbronin nga kërcënimet, apo arrestimet e Rojeve të Kuqe të cilët ishin përgjegjës për administrimin e drejtësisë të Revolucionit Kulturor në rrugë.

Shumë nga brezi i Xi bien dakord që kur mbaroi shkollën ai mësoi t’u mbijetonte ashpërisë së emocioneve dhe pavarësisë së mendimit.

Jeta rurale në Kinë në vitet 1960 ishte shumë e vështirë. Nuk kishte energji elektrike, as transport motorik.

I riu Xi mësoi të transportonte plehun, të ndërtonte digat dhe të riparonte rrugët.

Ai ndau shtratin e mbushur me pleshta në shpellë me tre të rinj të tjerë. Njëri ishte një fermer Lu Housheng, i cili në vitin 2015 do shprehej: “Gjithçka që kishim për të ngrënë në atë kohë ishte bollgur, barishte. Kur je i uritur nuk ka rëndësi çfarë ha”.

Natën, tregon Lu, Xi tërhiqej në shpellën e tij për të lexuar nën dritën e një llambe vajguri. Ai e kujton si një lexues të pangopur dhe duhanpirës të zjarrtë.

Sipas Lu, Xi nuk kishte sens humori. Nuk luante poker dhe as argëtohej me të rinjtë e tjerë, apo të kërkonte të dashur.

Në moshën 18 vjeç, ai u ndje i gatshëm për të nisur karrierën e tij politike.

U bashkua me Lidhjen Rinore Komuniste dhe në moshën 21 vjeç, pavarësisht refuzimeve të shumta për shkak të biografisë, më në fund arriti të bashkohej me Partinë.

Ndryshe nga shumë të rinj që rikuperuan kohën e humbur duke u argëtuar, Xi ishte jashtëzakonisht ambicioz dhe i fokusuar.

Pas Revolucionit Kulturor “zgjodhi të mbijetojë duke u bërë më i kuq sesa të kuqët”.

Deri kur u bë 25 vjeç, babai i tij ishte rehabilituar politikisht dhe nisi të drejtonte Guangdong, provincën e madhe fqinje me Hong Kong, e cila do të bëhej motori i rritjes ekonomike së Kinës.

Në vitet ’70 iu bashkua ushtrisë dhe më vonë ka kryer punë të ndryshme duke u rritur gradualisht në detyrë.

Xi mori me vete traumat e fëmijërisë së tij dhe vetminë e shpellës. Sipas mikut të tij, natyra e tij e tërhequr çoi dhe në dështimin e martesës së tij të parë me vajzën e një diplomati të lartë.

Në të vetmen periudhë kur ai u kthye në qendrën e vëmendjes ishte kur u martua me gruan aktuale, një këngëtare të njohur. Për shumë vite, publiku bënte shaka, “Kush është Xi Jinping? Burri i Peng Liyuan”.

Për shkak të eksperiencës me babanë e tij, pas mënyrës së si ai u akuzua nga Mao, Xi bëri lëshime në pushtet dhe ishte shumë i kujdesshëm për të shmangur bërjen e armiqve.

Kur Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2012, ai i premtoi publikut një fushatë që do të “përdorte shpatën kundër korrupsionit”, duke kapur si tigrat ashtu dhe mizat.

Në pesë vitet e fundit, mesazhi i Xi ka qenë: “Mos u bashkoheni me Partinë nëse doni të bëni para”.

Por problemi i tij ishte, dhe është akoma, se është pikërisht kjo ajo që kërkojnë 90 milionë anëtarët e Partisë kur i bashkohen i asaj.

Politika e Partisë Komuniste shpesh ka funksionuar me një zarf faturash dhe favoresh.

Për të pastruar këtë imazh do të thotë jo vetëm tërheqje e individëve, por tërheqje e rrjeteve të tëra të ndikimit dhe një kulture të tërë.

Por vetë Xi, 64 vjeç, gjithmonë i ka përkitur elitës. Në vitet që i paraprinë presidencës e tij, disa nga anëtarët e familjes së tij u bënë tepër të pasur, edhe pse nuk ka dëshmi që tregojnë se ai ka nxitur interesat e biznesit të familjes së tij.

Duke burgosur qindra tigra të fuqishëm në radhët e Partisë dhe Ushtrisë, Xi theu  rregullat që ruanin paqen e brishtë mes elitës komuniste pas vdekjes së Maos.

Edhe pse spastrimet nga të korruptuarit kanë vazhduar në 5 vitet e regjimit të Xi, përshtypja se korrupsioni në Parti është një problem sistematik dhe i qëndrueshëm është përforcuar. / DITA