Xhovalin Delia Leter e hapur mikut tim artist … Jo, Edi artist euroamerikan nuk mund te degradoje ne edverdogan!

Kur shoh çke bёrё e kur degjoj çke ndermend tё bёsh, ngazellehem e krenohem me ty. Kur dёgjoj ç’thuhet e çfare shpifet per ty e qeverinё me vjen keq per Shqiperinё.

Thonё se je i çmendur. Teper e vjeter, e kunderta do tё ishte shpifje e re. Edhe njё artist medioker nuk ёshtё “normal”, pa le nje artist XXL politkan, zaten bash per “tё çmendur” tё kemi zgjedh. Per normal do kishim mbajtur Pandeliun e mire. Artistet “e çmendur” bota e qyteteruar i mban si thimi oksidhen, e krenohet me ta, nё Shqiperi i hane gomerёt badiava.

Thonё se je droguar. kjo nuk ёshtё shpifje ёshtё stil jetese, e me ate bio yll qё koltivohet ne Shqiperi edhe evropianet ua kane zili.

Thonё se je bere bashkeshort e prind shembullor. Tё lumte! Siç tё njoh une ty anarkist, artist antikonformist bej çudi, por tё aderosh nё partine e Majkos çfare nuk ben vaki!

Flitet se je edhe gay. Kjo nuk eshte shpifje, eshte kompliment, madje seksi, por nuk e di sa e meriton ti? Sidoqofsh miku im, Zoti te bekofte! Per mua nuk ndryshon asgje, perkundrazi, do te çmoja e respektoja akoma me shume, si mik e si kryeminister, madje po te isha ne vendin tend, per solidarietet me motrat e vellezerit e persekutuar gay, do te veteshpallesha “gay vullnetar”. Kushedi sa vajza, djem, burra e gra, te ndrydhur nga komplekset e te perbuzur nga maskilistet barbar do te leshoheshin te lire ne krahet e dashurisё se ndaluar e do te ndjeheshin normal mes anomalise homofobe shqiptare!

Thonё se je piktor deshtak. Kjo nuk eshte shifje, eshte zili. Çdo epitet e shpifje mund ti rrije ketij burri te aftё e me fat veç nofkes “deshtak”. Eshte njesoj sikur ta shajme xhuxh dymetroshin e gjatё. Miku im, ti je i papare, shumeçka e gjithshka, madje mё i madhi Ed qe kemi, por kjo nuk i mjafton shqiperisё. Arti shqiptar ka nevoje edhe per edra te vegjёl, tё ndryshem, spontan e origjinal, ndaj, ler nje çik hapsire edhe per te tjerёt, lesho pakёz drite e hidh shumё parà per artin e artistet. Kanabis eshte edhe bukё edhe gjellё por arti e kultura mbeten flori e kaluar floririt, or tunxh!

Konspirativet thone se i ke hyre politikes per tu bere artist i famshem. Ketu ja fusni kot. Miku im vertete nuk eshte gjeni por jo kaq budalla. Ai e di fort mire se nese nuk eshte artist, nuk mund te behet me vulen e kryeminstrise e nese nuk eshte politikan nuk mund te qeverisё duke pikturuar shkresat e partisё.

Thone se je bere arrogant e mendjemadh. Kjo nuk eshte shpifje, eshte smundje profesionale. Pushteti absolut e leku pa hesap, te verbojnё, te fryjnё aq shume dhe pa e kuptuar sa shqiperia te bie e vogel, planeti nuk te mjafton, historia te kastigon e lavdia te tundon. Ja pra qё nuk eshte eshte faji i Edit qe rritet çdo dite por fatkeqesia e Shqiperise qe tkurret çdo vit.

Thone se te rinjtё po ikin e Shqiperia po plaket. Kjo nuk eshte thashetheme, eshte fatkeqёsi kombetare.“eshte normale, ikin e do kthehen” -urojme edhe ne siç thua ti, por ajo qe dime sot eshte ikja masive. Kthimin nuk e dine as ata vete, ndaj mendoj se eshte me e lehte per tё kuptuar shkakun e ikjes ne rini se sa per te parashikuar mundesine e kthimit te tyre ne pleqeri.

Thone se te kanё korruptuar. Ashtu si te njoh une ty zotni djal e bir i derёs sё mirё nuk e besoj por korruptuesit jane kodosha, ti japin me aq lezet sa te vjen keq tua prishёsh. Miku im, nuk e di nese e ke marre vesh ti por per fat te keq krimi e korrupsioni nuk jane shpifje por realitet i shpifur, me te cilin prej nje çerek shekulli jetojme ne paqe e harmoni popull, drejtesi, shtet e qeveri. Realitet me te cilin duhen bere hesapet para se te lahen. Ndaj para se te mprifet shpata do mprefur mire lapsi. Ky i fundit eshte mjeti jot natyral artistik, mbetet per tu pare perdorimi i shpates demokratike ligjore qe shqiptarёt ta kane vene ne brez.

Thone se ke ndermend te besh shtet. Ah sikur te mos ishte thashetheme! Edhe me i humburi politikan, shtetin ka si synim te pare por shumica i bien shkurt, bejn shtet per vete e sot per sot. Uroj qe ti te kesh menduar edhe per mot, nje shtet ligjor me themele demokratike per te gjithe e pergjithmone.

Kam degjuar se ke shembur kinema e stadiume e ke ndermend te shembesh edhe Teatrin kombetar! Ah sa do te doja te ishte shpifje! Miku im, nuk ve ne dyshim qe ti sheh larg, por nuk e perjashtoj mundesine qe edhe ty mund te erren sytё e te gabosh. Hallall! Mjafton te pendohesh e te ndalosh perpara se gabimi te behet faj.

Degjova qe ke hequr edhe Shkaben ne hyrje te Tiranes. Uroj te mos jete shpifje! Te njejtin fat paste edhe “monumenti i paversise” ne qender po aq banal sa shkaba petashuqe ! Nese shqiptaret “fatzinj” kane nje fat, ai eshte pamvaresia kombetare qe gezojme. E qe te behemi te vetdijshem duhet ta njohim, ta mbrojme e te dime ta çmojne, ndaj le ti bejme nje monument te denje para te cilit te falemi te gjithe e çdo dite.

Thone se do te shembesh edhe qindra shtepi ne dobi te mijerave njerezve qe qarkullojne me makine. Uroj te jete e vertete! Qellimi i madh e i mire justifikon mjetin e vogel e te keq. Por qe kjo “e keqe e vogel” te mos behet e madhe, duhet ta paguash demin para se ta besh, pasi kjo shembje nuk eshte fatkeqesi e papritur natyrore por projekt i qeverise “ne sherbim te shoqerise”. Kjo e fundit, shumica qe perfiton duhet te demshperbleje pakicen qe po e demton. Pasi qytetaret e demtuar te jene sistemuar ne shtepite e tyre te reja e JO ME BONUS, pakica e shumica shqiptare do te uroje nga zemra pune te mbare zotni kryeqeveritar!

Thone se ke vu dore edhe tek fjala e lire!?! Uroj te jete shpifje e lire!…ne princip, Krijuesi i gjithesise, ne diten e VI -te, krijoj njeriun dhe e la te lire “per te gabuar”. Ky princip teologjik filozofik, eshte guri themeltar i demokracise liberale. Ne, bijt e shekullit te kaluem, pjell e ateizmit shqiptar e produkt i centralizmit totalitar nuk mund te jemi ndryshe, veçse keshtu siç jemi matrapaze te lirise e dhunues te mendimit.

Edhe une mendoj se demokracia jo domosdoshmerisht duhet te jete liberale, e aq me pak ne vendthin tone te pa mesuar me kete shtojzovalle, por liria e mendimit dhe e fjales eshte domosdosheri edhe ne Shqiperi. Si e tille eshte e paprekshme edhe kur ajo shperdorohet, pasi keqperdorimi i lirise eshte me pak i demshem sesa mungesa e saj. Pa hyre ne merite te çeshtjes, demi nga shpifja eshte gjithmone me i vogel se dobia e lirise se mendimit dhe e fjales. Edhe ne shpifjet e shpifura, ashtu si ne karikature ka ndonje te vertete qe ia vlene me shume per te reflektuar para karikatures se sa per te denuar karikaturistin. “Kazani mediatik” ne gojen e kryeqeveritarit eshte politikly not korekt por per fat te keq ne shqiperi e jo vetem, eshte realitet. Megjthate shpifja e lire eshte “taksa” qe paguan demokracia liberale.

Thone se ke kthyer ne identitet e me dinjitet “tradhetarin” Mid’hat Frasheri. Uroj te mos jet thashetheme! Pa hyre ne merite te asaj figure komplekse e shumplaneshe, e konsideroj te mençur e te drejte prehjen e bashkeatdhetarit tone ne dheun mёmё, po aq legjitime sa do te ishte prehja e eshtrave te opozitarit tё Mid’hatit ne nje varr normal, si te deshmorёve te tjere partizanё edhe per komandantin e tyre. Jo per ti bere nder Enver Hoxhes e familjes se tij te denje, por per te qene te drejt me komamdatin e pergjithshem te ushtrise nacional çlirimtare, e mbi te gjitha per te respektuar historine. Dashuria, urrejtja, hakmarrja, jane te verbeta, njerezore, ndizen e shuhen. Edhe individet te mençur e te marre, te mire e tё liq shkojne e vine, ndersa historia eshte shkence dhe mbetet nje per te gjithe e pergjithmone, nese duam qe historia te na sherbeje si pike referimi, si eksperience per te mesuar e prosperuar sebashku e jo si arme per te sunduar duke perçare.

Miku im, thone se ke filluar te ngjash me xhaxhin Enver e te sillesh si prebatini Erdogan. Te parit thone se i ke marre shtatin e tabiatin, te dytit sifatin. Kjo nuk eshte shpifje eshte karikaturё. E kush nga te lindurit e shekullit te kaluar nuk e ka gojen me sheqer e hurma’ e cili shqiptar nuk lepin mustaqet per hallve e bakllava’? Por edhe ketu, miku im ben perjashtim, gojen e ka zeher dhe hallven nuk ha. Per kete te fundit nuk ve doren ne zjarr por jam i bindur qe Edi artist katolik euroamerikan nuk mund te degradoje ne turkoshak Edverdogan! Te kuptohemi, jo se Edi eshte me pak i papersosur se modelet e lartpermendur, por sepse vete sistemi demokratik, prania euroamerikane ne tirane e harta e vockel gjeopolitike e shqiperise nuk lene shume hapsire per diktator e sulltanё. Megjitheate kurre mos thuaj kurr, sheh rrushi rrushin e piqet, ndaj hap syte miku im mos digjesh! Historia vertete nuk perseritet por rimon me vetveten!!!

Thone se qeveria Rama eshte e keqe. Kjo nuk eshte shpifje eshte deluzion. Pritshmeria e madhe pjell zhgenjm te madh. Po, edhe une mendoj se qeveria Rama eshte e keqe, por fatkeqesisht eshte me e mira qeveri postkomuniste dhe Edi Rama kryeqeveritari “me i fort” postskenderbe, e per fatin e tij te keq, ende nuk duket as ne horizont nje “me i mire” qe ta çoje ne krijimtari te lirё. Mbase nuk jemi te vetёdijshёm o zilia na verbon por ky azgan 198 cm i gjate me atlete, brekushe e kravate, eshte rekordi me i lart historik shqiptar. Deri ketu arrine Shqiperia, ky eshte limiti jone kulturor, intelektual, politik, akedemik, konseguence e te cilit eshte niveli jone ekonomik. Fatkeqesisht nuk kam pare, degjuar e as lexuar deri me sot nje intelektual, shkencetar, gazetar, akademik, artist, politikan e as enderrimtar qe ta sfidoje, jo me shpifje perverse por ta gozhdoje me IDE, argmenta e logjikё demokratike kryeqeveritarin e perfolur Edi Rama. Perkundrazi, ky i fundit guxoi te sfidojё edhe pjesёn mё laike, “DREAMERS 18” nxenёs, studentё e profesorё antisistem e antireformё, paqesisht pa tanke, pa ushtri, pa polici, ne bisede te lirё, dhёmb per dhёmb e sy per sy. Çka do te thote se ne shqiperi ka liri por shqiptaret nuk jane ende te vetedijshem se jetojne tё lirё ne demokraci, çka do te thote se shqiptarёt akoma nuk e kane kuptuar se demokracia nuk eshte hapsire e lire por pjesmarrje interaktive. Çka do te thote se Edi Rama nuk eshte diktator por shqiptarёt jane tё pa Orё ! Te shohim ku do t mbajne vrapin THE DREAMERS ’18, pjella e jonё?

Thone se ke vendosur te hysh ne histori. Ne fakt kete e ke shpifur ti, por nuk e di nese mund ta vendosesh po ti, pasi historia ka hapsiren, kohen, dhe ligjesite e saja. Nuk na bindet e nuk merr formen e deshirave tona, ka faqe te bardha e te zeza, eshte e pameshirshme, ta ben hesapin ftohte, e faturen ta çon ne shtepi, nese je i lire, o ne varre nese je i vdekur. Madje te zhvarros te rrezon statujen, te thyen kockat e te damkose perjetesisht, ndaj hesapet me politiken, shoqerine e historine duhen shkoqitur mire e jo pa hanxhine.

Thashetheme e shpifje te shpifura por diçka mbetet, aq sa per te deformuar imazhin e Edi Rames, per te cilin jam bere garant publikisht i bindur se jemi duke zgjedhur me te mirin djale. Per fat o fatkeqesisht, vazhdoj te jem akoma idealist, mbase i fundit naiv qe beson se “Edi artist ka zbritur nga qielli artistik nё llumin politik shqiptar pёr tё rilindur shqipёrinё e per tё themeluar shtetin demokratik per gjithё shqiptarёt”. Madje me shume se vullnet te ketij individi, e kam besuar si nevoje te shoqerise: Shqiperia kishte nevoje per nje rilindas titan e therriti ne skenen politike nje artist azgan! Teper e bukur per te qene e vertete? Mbase, produkt i moralit katolik, me te cilin me kane plazmuar, influenca e artit me te cilin jam rritur e formuar, fryma e Firences, ku arti e kultura çmohen si drita dhe artistet respektohen e besohen si perendi?!?.

Edhe pse i vetedijshem per papersosmerine e njeriut, kam menduar se njё motiv i fortё, njё ideal i lartё, njё kauzё e madhe mund t’ia ketё spostuar qёndren e gravitetit Edit artist, apllonik – dionizak, nga magjia hyjnore e artit ne realitein toksor politik. Gjithёsesi miku im, kthimi nё “jetёn e tretё” kalon nёper ferrin politk qё ti ke zgjedhur o qё ferri te zgjodhi ty.

Ka ndodhur e ndodh qe politikes ti kene prire burra te mençur e te mire. Ka ndodhur qe politika te kete pjekur politikanё gjenial e burra shteti “mbinormal”, lartёsia, largёsia e gjersia e vizionit tё cileve percakton nivelin e kualitetin e politikёs sё qeverisjes, qe matet me veprat e kryera, seleksionimin e tё cilave e bёn koha. Veprat qё mbijetojne, historia i ruan nё panteonin e saj si pervojё pёr brezat qё vinё. Per kete sherbejne trashegimite historike kulturore qe ne shqiptarёt dime ti shembim si askush tjeter. Ndodh rrallё por kur bёn vaki, ёshtё fat per ate popull qё qeveriset nga njё intelektual artist vizionar, dhe ёshtё fatkeqёsi per ate vete. Njё handikap i tillё ёshte shkak konflikti kostant midis normales e anormales, ku zakonisht fiton e para, jo si vlerё por si sasi. Kjo ёshtё njё nder arsyet qё njё artist me “A” tё madhe e njё inteletual i races, hezitojn te zbresin nё politikё pasi nuk eshte geografia e as klima e tyre. Miku im ti e ke bёrё kёtё “mёkat”, mekat ky qe do konfirmoje idealin tend te madh, o qё do vinte ne dyshim te qenurin tend artist intelektual. Unё vazhdoj te besoj ne te paren. Sidoqoftё, ёshtё akoma shpejt per tё gjykuar nёse do te duhet tё zbresёsh per nё “jetёn e tretё artistike” si artist politikan apo do tё ngjitesh per nё panteonin e historisё si burrё shteti artist? Te priftё e mbara miku im!

 

miqesisht

Xhovalin delia

www.xhovalindelia.it