Washington Post: Nëse nuk votohet reforma, pasoja të rënda për Shqipërinë

Refuzimi i Partisë Demokratike ndaj propozimit të fundit amerikan për reformën në drejtësi, është pasqyruar edhe nga media të rëndësishme në SHBA.

Washington Post shkruan sot se PD ka dalë kundër SHBA-së dhe BE-së për vetingun, pra për rolin e ndërkombëtarëve në verifikimin e gjyëtarëve dhe prokurorëve që do të zgjidhen.

Gazeta e njohur amerikane shkruan se demokratët kanë qenë që në fillim kundër reformës, duke penguar procesin e hartimit të paketës ligjore dhe duke kontestuar gjithmonë çështje të ndryshme.

“Gjyqësori shqiptar është konsideruar shumë i korruptuar për të lejuar që vendi të bashkohet me 28-vendet e BE. Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009, iu dha statusi i kandidatit të BE-së në vitin 2014. Nëse paketa e reformës gjyqësore nuk miratohet më 21 korrik, ajo mund të fundosë qeverinë, vonojë reformën për një vit, apo edhe të shkaktojë zgjedhje të reja. Në fund të fundit, dështimi do të rezultojë me refuzimin e anëtarësimit në BE”, shkruan Washington Post.

Sipas saj, kontrolli i profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të ardhurat, aftësitë dhe të ardhurat e tyre dhe të familjarëve të tyre, janë një mjet i rëndësishëm i paketës drastike të reformës në drejtësi, që synon luftimin e mungesës së profesionalizmit dhe korrupsionit të përmendur në të gjitha raportet mbi Shqipërinë post-komuniste.