Vrasje e gjyqtares, Presidenti Ilir Meta: Alarm për shoqërinë, dënim shembullor autorit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dënuar ashpër vrasjen barbare të gjyqtares Fildes Hafizi. Në një postim në faqen zyrtare të presidencës thuhet se sipas Metës, “kjo vrasje mizore është një alarm për shoqërinë shqiptare, thirrje për të gjitha strukturat e mekanizmat e shtetit e shoqërinë civile të kthejnë vëmendjen e tyre ndaj grave dhe nënave shqiptare të cilat fatkeqësisht janë bërë viktima të dhunës dhe krimit në familje dhe në shoqëri”.

“Presidenti i Republikës i shpreh ngushëllimet e thella familjes për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, duke inkurajuar organet ligjzbatuese si dhe gjykatat shqiptare të vënë para drejtësisë dhe t’i japin autorit të krimit një dënim shembullor, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më e të mos lëndojnë e prekin familjen e mbarë shoqërinë shqiptare”, thuhet më tej në njoftim.