Vladimir Putin zyrtarizon kandidaturën si president për zgjedhjet e ardhshme

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është regjistruar zyrtarisht kandidat për zgjedhjet presidenciale që do mbahen më 18 mars.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e regjistroi atë të martën, saktësisht 2 muaj pasi Putin ka bërë publike planet për të garuar për mandatin e katërt.

Putin është zgjedhur për herë të parë president i Rusisë në vitin 2000, pasi presidenti Boris Yeltsin dha dorëheqjen në 31 dhjetor të vitit 1999.

Putin është kandidati i tretë presidencial i regjistruar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi.

Të tjerët që janë regjistruar deri më tani janë udhëheqësi i Partisë Liberale Demokratike të Rusisë, Vladimir Zhirinovsky, dhe kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin.