Vladimir Putin bën betimin për mandatin e katërt presidencial. Ai ka qenë “zot” i Rusisë që nga viti 1999

Vladimir Putin, i cili ka qenë president ose kryeministër i Rusisë që nga viti 1999, bëri sot betimin për një mandat të katërt si president në sallën Andrejevski në Pallatin e Madh të Kremlinit. Inaugurimi i Putinit në Kremlin vjen vetëm dy ditë pas demonstratave të zhvilluara në të gjithë vendin kundër fillimit të një mandati gjashtëvjeçar presidencial për ish agjentin e KGB-së.

Me dorën mbi një kopje të kushtetutës, Vladimir Putin u betua për t’i shërbyer popullit rus, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre si dhe sovranitetin e Rusisë.

Më pas ai mbajti fjalimin e inaugurimit.

“E shoh si detyrën dhe qëllimin e gjithë jetës time të bëj gjithçka për Rusinë, për të tashmen dhe të ardhmen e saj paqësore dhe të begatë për vazhdimësinë e kombit tonë të madh, për mirëqenie në çdo familje ruse”.

Putin nuk do të mund të kandidojë për një mandat të pestë si president, nëse nuk ndryshohet Kushtetuta, e cila nuk lejon më shumë se dy mandate të njëpasnjëshëm.

Inaugurimi i Putinit në Kremlin vjen vetëm dy ditë pas demonstratave të zhvilluara në të gjithë vendin kundër fillimit të një mandati gjashtëvjeçar presidencial për ish agjentin e KGB-së.

Të shtunën, kreu më i njohur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, u arrestua brenda pak minutash pas mbërritjes në një demonstratë në qendër të Moskës. Navalny dhe qindra mbështetës të tij u arrestuan gjatë protestave në Moskë dhe 90 qytete të tjera. Ai u lirua të dielën.

Gjatë mandatit të tij të kaluar, zoti Putin aneksoi Krimenë nga Ukraina si dhe bashkoi forcat me udhëheqësin sirian Bashar al-Assad për një fushatë ushtarake në Siri.

Në zgjedhjet e marsit, Putin fitoi kundër shtatë rivalëve më të dobët, duke marrë pothuajse 77 përqind të votave. Vëzhguesit ndërkombëtarë i kritikuan zgjedhjet, duke thënë se në to nuk pati alternativa reale, ndërkaq që pati ankesa në shkallë të gjerë për manipulimin e votave. Zyrtarët rusë i përshkruan shkeljet si “të vogla”, por thanë se do t’i hetonin ato.

Regimet në rrugët e Moskës për inaugurimin e Vladimir Putinit ishin të ndryshme.

“Jeta ime ka ndryshuar vetëm për mirë, nuk e di për të tjerët, kam katër fëmijë, të gjithë janë rregulluar mirë, punojnë dhe mësojnë, jeta vazhdon”, thotë Tamara Lomakina.

“Gjithçka do të jetë ashtu siç ishte. Nuk mund t’i mësosh qenit të vjetër zakone të reja”, thotë Pyotr Gavrilichev.

“Presidenti Putin organizoi olimpiadën më të bukur në Soçi, së shpejti do të kemi Kupën e Botës në futboll; ai përmirësoi ushtrinë dhe flotën ruse, Krimeja u bë e jona. Mendoj se në të ardhmen ai do të realizojë shumë gjëra, njerëzit kanë arsye të votojnë për të, dua të them se Vladimir Vladimirovich është njeri i mirë”, thotë Nikolai Petropavlovski.

“Nuk e di, nuk më pëlqen mënyra se si e qeveris vendin; në Rusi ka pak ndryshime, nuk di ta shpjegoj. Korrupsioni është po aq i rëndë sa ishte”, shprehet Sergei Khorkunov.

VOA