Vizioni i ushtarakut bashkëkohor dhe dimensioi njerëzor i Ruzhdi Baxhakut

IN MEMORIAM

Një vit më parë u nda nga jeta  themeluesi i Zyrës së Emergjencave Civile në bashkinë e Tiranës

Nga Halil RAMA

Drejtimi me përkushtim, kompetencë e profesionalizim i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës për 16 vite, e ka bërë Ruzhdi Baxhakun një nga emrat më të spikatur e të respektuar nga qytetarët e metropolit shqiptar, e veçanërisht nga ata familje tiranase që patën fatin e keq të provonin fatkeqësi të ndryshme natyrore.

Që në krijimin e këtij sektori të rëndësishëm ai do të shpaloste vizionin e ushtarakut bashkëkohor dhe dimensionin njerëzor, të trashëguar nga Familja dhe të perfeksionuar gjatë punës e jetës ushtarake. Këtë vizion e gjejmë më së miri në dhjetra platforma e projekte të bashkisë së kryeqytetit për përballimin e emergjencave civile, në raste përmbytjesh nga shirat e rrëmbyeshëm si dhe të fatkeqësive të tjera natyrore, nga zjarret, tërmetet etj. Si koleg me të, për pesë vitet e fundit, pata fatin ta njoh nga afër dhe të mësoj shumë prej tij.

Profili i Ruzhdi Baxhakut është ai i një intelektuali të vyrtytshëm që dijet dhe aftësitë e tija i përdori gjatë gjithë jetës në shërbim të komunitetit. Janë me dhjetra rastet e fatkeqësive natyrore në metropolin shqiptar, ku si “ekspert i dijes për një fushë të caktuar”, Ruzhdiu ishte “zëri i së vërtetës” që depërtonte deri në instancat më të larta të bashkisë e të shtetit për të ndihmuar me të gjitha potencialet të dëmtuarit. Kjo edhe për faktin se standardi i gjykimit të tij, ndonëse në dukje “thelbësisht teknokratik”, u shndrrua në standard i instancave përkatëse të Emergjencave Civile në rang vendi.

Nëse baza e gjykimit të intelektualit është dija që ai ka për një fushë të caktuar, këtë më së miri e gjejmë të sintetizuar në profilin e R.Baxhakut, një ish – ushtarak e kuadër i përgatitur, me dije e njohuri të larta profesionale, të cilat i materialzoi mjeshtërisht në shërbim të publikut. Ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim në funksione të ndryshme në repartet e Ushtrisë, nga ato bazë të komandantit të togës, kompanisë e batalionit deri në drejtimin e njësive të mëdha, në Elbasan e Tiranë, duke e mbajtur me nder emrin e ish – skënderbegasit e të studentit të Akademisë Ushtarake dhe të familjes së tij nga Petrela, kjo perlë e turizmit shqiptar. Si i tillë, Ruzhdi Baxhaku bën pjesë në plejadën e ushtarakëve shqiptarë që u shkolluan në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, në Shollën e Lartë të Bashkuar dhe në Akademinë e Mbrojtjes dhe që kontribuan për forcimin dhe modernizimin e Ushtrisë Shqiptare. Si bir i një familjeje me tradita atdhetare, u mëkua që në fëmijërinë e herëshme me traditat e familjes, të fisit e të fshatit të tij emërnditur, nga ku mori me vehte “pasaportën” e zgjuarsisë natyrale, dhuratë e genit dhe natyrës të vendlindjes së tij, që nuk ka të dytë për nga bukuria e resurset njerëzore dhe turistike.

Në dy dekadat e fundit të jetës së tij, si Shef i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës, Ruzhdi Baxhaku veproi njëkohësisht si ekspert dhe si intelektual, duke shpalosur ekspertizën dhe përvojën e tij dhe duke  u marrë si shembull në dhjetra takime, trajnime a sesione shkencorë, brenda e jashtë vendit, të asistuara nga organizma e institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Si i tillë ai u evidentua edhe nga këto organizma, si një intelektual me formim të gjithanshëm, jo vetëm falë parametrave të ekspertizës së vet, por si kuadri kompetent që komunikon publikisht, qoftë me institucionet, qoftë me publikun vetë.

Pikërisht për këto merita ai konsiderohet, jo vetëm nga kolegët e tij të Drejtorisë së Emergjencave Civile, por pothuajse nga gjithë administrata e Bashkisë së Tiranës, si përfaqësuesi i vlerave më të çmuara intelektuale, me një integritet shumë të lartë moral dhe intelektual. Ai në gjithë jetën e tij njihet si një njeri mjaft serioz, shumë i dashur dhe me një humor, gjithmonë të shëndetshem.

Njeri i veçantë, energjik, në sjellje e qëndrime, me një mënyrë të foluri karakteristike, që të mbushte mendjen për çdo gjë që fliste. Për me tej, Ruzhdi Baxhaku, asnjëherë nuk qe egoist, karierist dhe autokrat, por një njeri tepër bujar, i thjeshtë dhe i shtruar me miqtë e kolegët. Në teoritë konstruktiviste moderne, njeriu jo vetëm duhet të dijë gjëra por duhet të bëjë gjëra.

Ruzhdi Baxhaku ishte kompetenti që diti më së miri t’i zbatojë njohuritë e tij në situata kontekstuale. Ndonëse sëmundja e pamëshirshme ia këputi jetën në mes, ai do të kujtohet si intelektuali që kishte përvojën, moshën, fuqinë intelektuale dhe morale për t’i shërbyer me përkushtim komunitetit. Dhe këto, të krijuara jo në një ditë apo në një vit, por për një hark kohor të konsiderueshëm. Ndërkohë, nga ne miqtë e bashkëpunëtorët e tij, ai do të kujtohet edhe për karizmën dhe për një dashamirësi të admirueshme ndaj shoqërisë.

Kurrë s’do të harrohet Ruzhdiu, që edhe në mbrëmjen e prag Vitit të Ri 2018, me kuarjon që e karakterizonte mposhti dhimbjen dhe erdhi për t’u përshëndetur me ne….I qeshur e gazmor si ngahera, jo vetëm me Drejtorin e Përgjithshëm Erindi Bejko e dy drejtorët e linjës, Erion Koka e Kujtim Sula (të cilët treguan përkujdesje maksimale për t’ia lehtësua sadopak dhimbjet nga sëmundja e rëndë që iu shfaq krejt papritur), por dhe me kolegët e thjeshtë, specialistët Zoje Vathi, Jetmir Hasa, Florian Brinja, Eda Kola, Klodian Gjata…. Një përshëndetje lamtumire, vetëm dy muaj para se të largohej për në botën e përtejme… Unë, si edhe dr.Nuredin Musaj, Agron Sejamini, Kujtim Sula e Alban Dushku përlotemi, sa herë kujtojmë kafetë e përbashkëta te lulishtja e Bar Z1, kur Ruzhdiu na rrëfente aq bukur ngjarje e ndodhi nga jeta e puna, por edhe kur fliste aq bukur për historinë, letërsinë dhe artin…. Sa shumë na mungon miku ynë i shtrenjtë!