Vitin 1956, Enver Hoxha u ankohet sovjetikëve për abuzimin e Beogradit: Ja se si UDB-ja po rekruton shqiptarët

Nga Thanas Mustaqi

Dhe pse u zbut paksa klima dhe u rivendosën marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve, legata jugosllave në Tiranë në vitin 1956 vazhdonte punën agjenturore, kështu ankohej Enver Hoxha (1908-1885). Në përmbledhjen me dokumente të arkivave ruse me titull “Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik dhe formimi i politikës sovjetike në Ballkan në vitet 1950-gjysma e para e viteve 1960”, të botuar në vitin 2003 janë përshirë dhe dy kabllograme të ambasadorit sovjetik Krilov në Tiranë dhe që takojnë muajve korrik e gusht 1956. Në kabllogramin e parë që botohet në këtë numër të gazetës “Investigim”, i cili daton 9 korrikun 1956, Enver Hoxha informon qeverinë sovjetike se legata jugosllave në Tiranë, ashtu si edhe më parë, vazhdonte të mbante lidhje me shtetas shqiptarë. Sipas Hoxhës, nëpunësit e legatës “sa herë që u paraqitet rasti orvaten të mbjellin dyshime ndaj vijës sonë të drejtë dhe të fyejnë me të gjitha mjetet udhëheqjen, KQ-në dhe qeverinë e Shqipërisë, me pretekstin se gjoja [shqiptarët] nuk aspirojnë për një miqësi të vërtetë me Jugosllavinë”. Ato ditë legata jugosllave organizoi një mbrëmje, në të cilën merrnin pjesë shtetas shqiptarë me origjinë jugosllave, ku u ftuan edhe shqiptarë që i kanë gratë jugosllave. Mes të tjerëve ishte ftuar edhe gjenerali Gjin Marku, i martuar në vitin 1944 me një partizane serbe-malazeze. Gjin Marku më vonë i kishte treguar Hoxhës se në këtë festë, përveç dollive që u ngritën për miqësinë, në biseda e sipër jugosllavët bënin fajtore palën shqiptare e cila nuk donte forcimin e kësaj miqësie. Ndërkohë është e nevojshme të bëhet një retrospektivë për të kuptuar sfondin e bisedës së Hoxhës me Krilovin. Në të vërtetë, arkivat ruse ende nuk kanë deklasifikuar me dhjetëra dokumente të tjera me biseda të Hoxhës me ambasadorët sovjetikë Ljoviçkin (1907-1984) dhe Krilov (1912-1982), letra të shkëmbyera midis dy udhëheqjeve, procesverbale të takimeve të udhëheqësit shqiptar në Moskë.
VONESA
Sikurse dihet në vitin 1950, kur ishte ende gjallë diktatori sovjetik J.V. Stalin (1878-1953), në vitin 1950 u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të cilat u rivendosën në mars 1954. PK e BS e kishte përjashtuar Jugosllavinë nga blloku socialist në vitin 1949. Sinjalin e parë se udhëheqja e re sovjetike pas vdekjes së Stalinit po e ndryshonte kursin e mëparshëm në drejtim të Beogradit, Enver Hoxha e mori që në qershor të vitit 1954. Gjatë ditëve të qëndrimit të delegacionit shqiptar në Moskë udhëheqja sovjetike i dorëzoi një letër të gjatë, të nënshkruar nga sekretari i parë i KQ të PKBS N.S. Hrushov (1894-1971), drejtuar komiteteve qendrore “të partive motra”, ku njoftonte mbi përfundimet në të cilat kishte arritur udhëheqja sovjetike për çështjen jugosllave. Sipas Enver Hoxhës, megjithëse letra mbante datën 4 qershor dhe ai kishte ditë që ndodhej në Moskë, bile më 8 qershor kishte bërë edhe bisedimet zyrtare me udhëheqësit kryesorë sovjetikë, problemin shumë të rëndësishëm që ngrinin në këtë letër, ata nuk ia kishin zënë fare me gojë. Si duket Hrushovi, që e dinte mirë qëndrimin e vendosur të stalinistëve të Tiranës ndaj Beogradit, donte të vepronte me kujdes e gradualisht.
INFORMBYROJA
Në këtë letër, Hrushovi konkludonte se të gjithë fajin për shkëputjen e Jugosllavisë nga kampi i socializmit dhe për “izolimin e klasës punëtore jugosllave nga gjiri i lëvizjes punëtore ndërkombëtare” nuk e kishte askush tjetër veçse “prishja e marrëdhënieve midis PKJ dhe lëvizjes komuniste ndërkombëtare” më 1948. Qëndrimi që u mbajt më 1948 e më 1949 ndaj partisë jugosllave ishte i gabuar sepse ky qëndrim i kishte shtyrë “qarqet drejtuese të Jugosllavisë të afrohen me SHBA-në dhe me Anglinë”, të përfundonin “marrëveshjen ushtarako-politike me Greqinë e me Turqinë”, t’i bënin “një sërë lëshimesh serioze kapitalizmit”, të shkonin “drejt restaurimit të kapitalizmit” etj. Nikita Hrushovi akuzonte në letrën e tij Informbyro-në ose Kominform-in (Byroja Informative e Partive Komuniste dhe Punëtore që ekzistoi në periudhën 1947-1956, ), natyrisht, pa e përmendur me emër, se prej saj më 1948 e më 1949, “nuk u shfrytëzuan gjer në fund të gjitha mundësitë…, nuk u bënë përpjekje për të rregulluar çështjet e pazgjidhura dhe mosmarrëveshjet”, gjë që, sipas tij, “do të evitonte kalimin e Jugosllavisë në kampin armik”. Në letrën theksohej hapur se “shumë nga çështjet që shërbyen si shkak mosmarrëveshjesh midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste të Jugosllavisë…, nuk përbënin arsye serioze për diskutim ose edhe keqkuptimet që kishin lindur, mund të ishin rregulluar”. Enver Hoxha u vu në pozitë të vështirë, sikurse tregon vetë më vonë.
KUNDËRSHTIMI
Në përgjigjen që iu dha Hrushovit udhëheqja e Tiranës u mundua të ishte sa më e matur dhe e kujdesshme. Gjatë atyre ditëve që ishte në Moskë, për këtë problem Hoxha diskutoi gjatë me Hysni Kapon (1915-1979), anëtar i byrosë politike dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe ish-ambasador në Beograd, si dhe me anëtarë të tjerë të delegacionit. Në përgjigjen që iu kthye lidershipit të Kremlinit, udhëheqja e lartë shqiptare, pa iu kundërvënë hapur Hrushovit, theksonte qëndrimin e saj të përhershëm ndaj Beogradit, vlerësonte rëndësinë e vendimeve të Informbyrosë në vitet 1948 e 1949 dhe nuk linte asnjë aluzion mbi rishikimin e qëndrimit të mbajtur më parë ndaj udhëheqjes jugosllave. Pas një viti e ca kontaktesh të fshehta e të hapëta me të dërguar të posaçëm, pas një korrespondence të ngjeshur e shumë intime, në prill 1955, Hrushovi, shkoi në Beograd, u përqafua me kreun e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë J.B. Tito (1892-1980), bëri autokritikë, i fshiu “me vendosmëri mbishtresat e së kaluarës” dhe hapi “epokën e miqësisë midis dy popujve dhe dy partive” të tyre.
KËMBËNGULJA
Me këtë rast, Hoxha i dërgoi letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit në të cilën protestohej ashpër. Sipas letër, një vendim i tillë nuk mund të merrej në mënyrë të njëanshme nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik pa pyetur edhe partitë e tjera, midis tyre edhe PPSH-në. Por partitë e tjera iu nënshtruan vendimit të Hrushovit dhe, pas Hrushovit, udhëheqësit e partive të kampit socialist të shkonin në Beograd t’i kërkonin të falur Titos. Vetëm Hoxha nuk shkoi. I shqetësuar ambasadori i atëhershëm sovjetik në Tiranë Ljoviçkin, i kërkoi takim Enver Hoxhës, për ta bindur të tërhiqej nga kundërshtimi. Është interesant fakti se ende arkivat ruse i konsiderojnë sekret shtetëror shumë takime shqiptar. Si duket nga qendra i <<< kërkonin me ngut ta bindte të hiqte dorë nga mendimet e tij e të pajtohej me qëndrimet e Hrushovit. Ishin momente mjaft të vështira e të rënda. Me ç’shihnim, Hrushovi duhej të ishte marrë vesh qysh më parë me udhëheqjet e partive të tjera për ato që do të bënte në Beograd. Kështu që propozimi ynë për të mbledhur Byronë Informative, ku të shqyrtohej me hollësi problemi, do të binte në vesh të shurdhër. Më 23 maj 1955 udhëheqjes së PPSH i erdhi një letër nga N. S. Hrushovi. Më 26 maj 1955, u nis nga Moska dhe mbërriti në Beograd delegacioni qeveritar i Bashkimit Sovjetik i kryesuar nga Hrushovi. Veç deklaratës së N.S. Hrushovit në aeroportin “Zemun”, delegacioni qeveritar sovjetik i bëri një vizitë Titos.
SUSLOVI
Më 27 maj, atë ditë kur Hrushovi ndodhej në Beograd, ambasadorit Ljoviçkin iu dorëzua
një letër e dytë drejtuar udhëheqjes sovjetike. Nuk vonoi shumë nga këto ngjarje dhe në verën e vitit 1955 Hoxhës i erdhi ftesa që të shkonte “patjetër për pushime në Bashkimin Sovjetik”. Sapo mbërriti në Moskë, pati dy herë takim me anëtarin e byrosë politike dhe sekretar i KQ të PKBS Mihail Suslov (1902-1982). “Udhëheqja e PPSH të mos e shohë ngurtë problemin jugosllav. Gabimet e tyre mbeten gabime, por qëllimi ynë është të miqësohemi e të ecim përpara në miqësinë me Jugosllavinë. Problemi kryesor është se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetike ka parë çështjen jugosllave në dritën realiste. Komiteti ynë Qendror konkludoi se prerja e marrëdhënieve me Jugosllavinë ka qenë gabim, domethënë se jemi shpejtuar. Shkaku kryesor i kësaj prishjeje nuk janë çështjet ideologjike, megjithëse gabime tek ata kanë ekzistuar dhe ato u janë thënë haptazi jugosllavëve. Shkaku kryesor qëndron në shpifjet që u bënë kundër udhëheqësve jugosllavë, në mungesën e durimit nga ana jonë. Gabimet parimore të jugosllavëve duhej të diskutoheshin, të faktoheshin dhe të sheshoheshin. Kjo nuk u bë. Nga të gjitha faktet e shqyrtuara del se nuk ka asgjë të bazuar për të thënë se shokët jugosllavë kanë devijuar dhe e kanë shitur Jugosllavinë. Po ashtu nuk del që ekonomia jugosllave të jetë nën varësinë e huaj”. Në përfundim të këtij takimi tha: “Ju keni dënuar gjatë viteve të kaluara shumë armiq të akuzuar për lidhje me jugosllavët. Shikojeni punën e tyre dhe ata që janë për t’u rehabilituar, rehabilitojini”. Të nesërmen sovjetikët organizuan një takim të Enver Hoxhës me një të njohur të vjetër, malazezin Svetozar Vukmanoviç Tempo (1912 -2000), një nga njerëzit më të besuar të Titos. Hoxha filloi t’i flasë për ato që kishin ndodhur. “Le t’i lëmë të shkuarat” – tha Tempo. Mbas takimit me të, Mikojani dhe Suslovi, i thanë Enverit: “Bëtë mirë që u takuat me Tempon se u ça akulli”. Në prag të Kongresit të 3-të të PPSH, Suslovi në mënyrë fare të hapët i kërkoi udhëheqjes shqiptare të rishikonte e të korrigjonte vijën e saj në të kaluarën. Duhet të rishikoni punën e Koçi Xoxes e të shokëve të tij që keni dënuar më parë.
ACARIMI
Në fakt pati një “behar” të vogël në raportet midis Tiranës dhe Beogradit. Por ato u acaruan së tepërmi pas konferencës së partisë së Tiranës (14-20 prill 1956) dhe Kongresit të 3-të të PPSH (25 maj – 3 qershor 1956). Pikërisht takimi i 9 korrikut 1956 të Enver Hoxhës me ambasadorin sovjetik Krilov, vjen pas këtyre dy ngjarjeve. Në kabllogramin e vet Krilov citon Enver Hoxhën se legata jugosllave bënte biseda kundër PPSH-së me të gjithë shtetasit shqiptarë që aplikonin për viza. Ishin vërejtur momente të shumta, kur nëpunës të legatës, pas akordimit të vizave, u vinin në shtëpi këtyre shtetasve duke vijuar me punën e nisur agjenturore. Në bisedë preket dhe çështja e nxehtë e Kosovës. Kishte nisur procesi gjyqësor në shkallë të gjerë kundër një grupi shqiptarësh, që në vitin 1948 organizuan lëvizjen për bashkimin e kësaj krahine me Shqipërinë. “Ne nuk kishim të bënim fare me këtë grup. Pse duhet të niste tani ky proces, pyet Enver Hoxha. Madje, në Kosovë e Metohi shkojnë me kohë të ndryshme qëndrimi shumë shtetas shqiptarë me lidhje farefisnore atje, që përpunohen nga organet jugosllave. Kush kundërshton burgoset. Kjo është arsyeja, deklaron Enver Hoxha, pse ndërpremë dhënien e vizave për Kosovë e Metohi për shtetasit shqiptarë”, thuhet në kabllogram. Enver Hoxha paralajmëron se “do të kërkojmë dëbimin nga Shqipëria të nëpunësve më të kompromentuar të legatës. Vuçiç [Sava Vuçiç, sekretari i parë i legatës jugosllave në Tiranë, u shpall persona non grata më 11 janar 1957; si kundërpeshë, më 18 janar 1957, Jugosllavi dëboi sekretarin e dytë të legatës shqiptare në Beograd, Myslim Sinojimeri. Përsëri do të shtrojmë problemin e dhënies së vizave për 50 emigrantët, që duan të kthehen në Jugosllavi, por nëse nuk pranohet kjo gjë, do t’i hipim në makina dhe do t’i dërgojmë në kufirin jugosllav”.