Viti 1988/Bethel vërejti se Muzeu i MPB-së nuk kishte armë angleze

Nga Kastriot Dervishi

Muzeu i MPB-së ishte konceptuar mbi bazën e tre shtyllave kryesore të ministrisë: sigurimi, policia, kufiri. Bethel ka pasur interes vetëm për stendën e sigurimit e nuk i ka parë dy të tjera. Vihet re se ai ka dashur të shohë materiale të desantëve, të cilat ishin fare pak në krahasim me atë që donte të shite.

Pavijoni i sigurimit hapej me rolin e misioneve britanike nga lufta. Ciceroni i shpjegonte Lordit Bethel se çfarë “roli negativ” kishin pasur këto misione në Shqipëri, pavarësisht se komunistët në atë kohë ishin dendur me para, ushqimeve e veshmbathje. Ciceroni Isuf Lila ishte udhëzuar “të zgjerohej në veprimtarinë minuese të misioneve angleze në Shqipëri gjatë luftës”, një veprim krejt i kotë ky përpara një personaliteti si Bethel. Madje drejtuesit e muzeut, bëhen edhe më qesharakë kur i kujtojnë Bethelit librin e E.Hoxhës “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.

Nga raporti i gjatë i përgatitur, del se Bethel ka pasur interes të takojë desantë të mbetur gjallë në Shqipëri, çka do të thotë se ka qenë misioni kryesor i tij. Kjo kërkesë nuk mori përgjigje pozitive. Pavarësisht se nga muzeu iu tha se MPB konsideronte 817 dëshmorë, ndër të cilët 18 Heronj të Popullit, Bethel vuri re se të ekspozuara pothuaj nuk kishte armë angleze, por të markave italiane, gjermane, greke, jugosllave, etj.

Bethel ka vizituar stendat për grupin e Hamit Matjanit, Xhevdet Mustafës, për Mehmet Shehun, etj.

Në përfundim të raportit të gjatë, përpiluesit e tij, jashtë çdo logjike, jo vetëm që nuk kanë kuptuar asgjë nga misioni i Bethelit, kanë arritur në këtë përfundim:

“Në konkluzion, jemi të mendimit se Betheli e shoqëruesit e tjerë të tij, ndjekin gjatë kësaj vizite synime të përcaktuara politike për të na matur pulsin e një “mundësie afrimi” e “orientimi properëndimor” drejt “komunitetit të përbashkët europian”, duke marrë shkas sipas tyre nga “orientimi i Europës lindore revizioniste” për të zbatuar Perestrojkën gorbaçoviane e të Bashkimit revizionist Sovjetik.

Nga bisedat e zhvilluara me Lordin Bethel, del se anglezët rrojnë me iluzione dhe nuk e njohin realitetin ekzistues në vendin tonë, duke menduar se mund të ndikohemi nga fushata revizioniste e Perestrojkës gorbaçoviane , e cila frymëzohet e mbështetet nga Europa kapitalisto-revizioniste si dhe SHBA-ja”.