Viti 1950-Letra e fratit, At Paulin Margjokaj drejtuar Mustafa Merlikës-Kruja: Pse dështuan “lodrat e fuqive misterioze ndërkombëtare” sipas Ali Këlcyrës

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Përpjekjet e fratit pukian, At Paulin Margjokaj për të kuptuar situatën politike të shqiptarëve në emigrim, për të përmbysur regjimin e Enverit, gati duken të pamundura duke parë përçarjen dhe dështimin e nacionalistëve për t’u organizuar. Letra që prifti françeskan i drejton Krujës ka këtë shqetësim duke kërkuar prej tij se shpjegimin mbi bisedën e Ali Këlcyrës ku ndër të tjera është shprehur mbi “fuqitë misterioze ndërkombëtare”. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

BOLZANO, 6 Tetuer 1950

Shum i dashtuni Mik,

Letren e shkurtë t’Uejen e mora para trí ditvet. Perkthimin e dokumentave e pata krye shì diten e mbrame të shtatorit.

Kta dokumenta jam mundue me i perkthye fjalë per fjalë, e prandej të na ka dalë nji perkthim shqyp qi mos me i a pasë lakmí as klasikve parabuzukjanë!!! Shyqyr qi dokumentat s’janë tjeter veçse persritje e të së njajtes gjâ, e kshtu e kupton njeri se shka duen me thânë e me shprehë kta burrat e Mjeskohës. Perndryshej perkthimi e kuptimi i tyne nuk do t’ ishte kenë gjâ ashtu krejt e lét. Mandej piksimet! Ase, mâ mirë me thânë, mungesa e tyne! Nder kohë të vjetra janë kenë horrjeten të fortë nder piksime. E kta e ban shpesh herë të mbylltë e krejt të merzitshem e qesharak ket stilin e Mjeskohës. Në disa vende kam perdorë ndoj fjalë italjane e ndokund edhe ndoj fjalí. Kta e bâna pse më erdh mâ kollaj se shqyp. Më vjen mirë qi qillova nder vakanca e kshtu mujta me t’ i perkthye kto tri faqe latine në nji kohë relativisht të shkurtë.

Ket herë po U lus të më spjegoni se shka âsht ky pshtjellim qi po vertetohet në ket kohën e fundit në partín “Balli kombtár”. Un kam lexue shka ka botue gazeta “Albanie Libre” e, sidomos, fjalimin e gjatë t’Ali Kelcyrës, me gjithkta nuk e kam kuptue se shka ka shkaktue dasín e tyne të  tashme. Âsht fjala per “Ball kombtar”, per ekstremista, partí agrare etj. etj. A janë kto nji partí apor tri partí të ndryshme? Kongresi i Bagnolit na qiti kryetár Ali Kelcyren. Po Hasan Dosti ç’u bâ? E “Shqypnija e Lirë” e temelueme vjet, si shkoi me marue e kush e drejton? A ekziston a jo kjo organizatë e kush bân pjesë në tê? A janë vetem ata të Ballit mbrendë apor edhe tjerë të partive të ndryshme? Shka don me thânë Ali Kelcyra me fjalët e veta të bisedës qi po paska mbajtë:

“dështuen edhe lodrat e zakonshme të fuqijve misterjoze ndërkombtare që kanë kërkue gjithnjë, e sot po përpiqen më tepër se kurdoherë, t’i bërthamosin organizatat nacjonaliste, me qellim që t’a shtrëmbërojnë vijën e drejtimit të tyre patriotik”.

Kush janë kto fuqít misterjoze nderkombtare? -Mâ vonë thotë prap:

” e çmojmë shumë më të vlefshme për çështjen kombëtare, njësín e sinqertë e vëllazërore t’emigracjonit shqiptar, se sa përkrahjen e disá miqve të huaj me rëndësí”.

Kush janë kta miq të huej me randsí?

E mandej gazeta “Albanie Libre” pohon mbajtjen e Kongresit të Bagnolit, “Flamuri” n’ anë tjeter e mohon. Siamo ai tempi della Torre di Babele, apo shka ka ndodhë nder né?

Puna e Austrís mbet per sivjet. Tashmâ jam impenjue edhe per ket vjetë shkollore ktu në Bolzano. Me të diftue të drejten, nuk më vjen edhe aq keq qi u suell puna kshtu. Nuk dij as vetë se si do t’i a kishem bâ n’Austrí. Do të më ishte dashtë mbas pak kohe me kthye prap ktu në Bolzano pá pasë mujtë me qitë gjâ në treg me studimet e mija. Kshtu nemose mundem me i thânë gjithkuj se kjén Aletatët qi nuk më dhán lejen me shkue n’Austrí, perpá pasë nevojë me i diftue kúj se më munguen mjetet financjare per të kalue nji kohë pak si të gját atje. Ishalla per vjeten qi të vij tash e sjellë provanija punen në mndyrë qi me gjetë ndokund mjetet e duhuna.

Po T’uroj me gjith zemer shndet e gjith të mirat qi Të dishron zemra. Gzohem se vapa e verës kaloi – shpresoj edhe atje te Egjipti i Juej – , e kshtu keni me mujtë, në freskun e vjeshtës e të dimnit, me më shkrue letra mâ të gjata.

Persrí shndet e të mira

Miku i juej

  1. P. Margjokaj O.F.M.

 

PËR BASHKËSINË E QYTETIT TË KRUJËS

Na Alfonsi etc. E kemi pasë zakon si mbas adetit t’onë (persritje e kotë, por kështu e lypte stili i Mjeskohës) me përforcue nderët (i favori = gratias) e privilegjet edhe me u falë tjera të reja (privilegje e nderë) prej anës s’onë jo vetëm atyne qi vullndetisht e me gjithë zemër (di buon grado = libenti animo) i u shtruen sundimit t’onë, por edhe atyne qi na i vum nën zgjedhë t’onë me lufta të vshtirshme e të mndershme. Te Madhnija e jonë erdhën parlamentarë të klerit, të bashkís (ase comunitá si sypri) e të krenvet të gjyqetit të Krujës, tue na u lutë me fjalë të pervujta, qi na të denjohemi me konfermue privilegjet e lirít e dhanuna prej perandorvet të vjetër e me i u falë tjera të reja atyne qi, si u tha sypri, jo me forcë, por vullndetisht e me gjith zemër janë nënshtetas t’onë nën sundim t’onë (Si e shef prá, përsritjet janë të shpeshta në stilin e Mjeskohës!).

Il tenore  (në latin asht plural) i ktyne privilegjeve, prej greqishtje sjellë latinisht, asht ky.

Tue kenë se i përndritshmi ipeshkëv i Krujës e i nderueshmi klér i të së njajtes shejte kishë e bujarët (të parët, krenët)) e të njajtit gjytet të Krujës na njoftuen (na informuen) përmbi të gjitha të drejtat e privilegjet qi ká gjyteti i syperpërmendun si mbrenda si jashta, d.m.th. vneshta, tokë (të punueme), prona (poderi), ullishta, piscine (ktu mbas të tana gjasësh do të kuptohet nën fjalën piscina : abbeveratoio per le bestie  ; mund të két edhe vështrimin e “diritti di pesca” , por un jam ma fort për spjegimin e parë), kullosa dimnore (kshtu e spjegoj vetë mbas hamendes fjalën hiberna, orum, is, megjithse Cezari e përdorë të njajtën fjalë me kuptimin ushtarak : quartieri invernali ), e të gjitha të drejtat tjera qi deri në ket kohë kan e posseggono  (persritjet e zakonshme !), e në mënyrë të veçantë (mvaret gjithnji prej verbit na njoftuen) mbi kullosën dimnore qujtun Selmazo me vneshtën e saj, kullosën dimnore Contelo, k.d. Bezo, k.d. Castrato, k.d. Pallaso, k.d. të sh’Eufemjes (jo Euphomia, por Euphemia) me tokë të saja, k.d. Colli me tokë të saja, k.d. Pherza me tokë të saja, k.d. Peroa me tokë të saja, k.d. Montemagno Cromi me tokë të saja deri te Nobalum e Cudinum i afërm, k.d. Calamascuti me tokë të saja, vneshta e ullishta, k.d. Cercoleso me tokë të saja e me landë (pemë) fruttifere e non fruttifere , të cilat të drejta të gjitha i kan të vetat që ká dit e i kan pasë edhe të parët e tyne e janë kenë përforcue me anën e privilegjevet të lëshueme prej perandorit Manuelit të Madh Komnenit, di felice memoria , e të paraardhësvet të tij (anteriori) si edhe prej Lascarit di felice memoria, paraardhësit t’onë e babës s’onë, ashtu edhe prej nesh ; prandej në fuqí të ktij privilegjit t’onë të tashëm, concediamo e largiamo a tutti i superiori e inferiori della predetta cittá di Kruja  (ktu ká fjala superiore vështrimin  e altolocato, distinto, ragguardevole  ; e njajta fjalë pat sypri vështrimin e altolocato, distinto, ragguardevole ; e njajta fjalë pat sypri veshtrimin : anteriore, precedente ), qi të lirë e pá kenë trazue e turbullue prej kurrkuj t’i kén të gjitha kto në pronë e t’i perdorin  (ma mirë asht fjala italjane : usufruire, godere il frutto di  ….) për gjithmonë, njashtu si përmbahet ndër privilegjet e tyne e nder të tjerat të drejta. E non sará lecito in nessun modo nè al prefetto, nè al castellano di esigere qualcosa da loro sotto forma di pena, di angaria, di raçolta (del fisco) o di gabella o di altro pagamento, ma devono servirsi e considerarsi del tutto liberi e immuni presso tutti.  Për ma tepër duem qi ata mos të jén të detyruem me pague kurrnji taksë, kudo (qi) të ndodhen, si në Durrës si edhe tjetërkund, por do të jén të lirë e imun, njashtu si përmbahet ndër privilegje të tyne e si urdhnon ky privilegji i tashëm i yni. Gjithashtu duem edhe qi në skelë të gjytetit të përmendun (sypri) mos tu lypet (esigere) kurrgja ktyne njerzve (ktu nën fjalën homines = njerz mund të kuptohen edhe përgjithsisht të parët ase krenët ….), as dru as tjera angarí, porse edhe ata të jén liberi e immuni prej çdo takse doganore e prej çdo tjetër pagese, si po deshtën me hí si edhe me dalë (merret vesht prej skelës).

Dy rreshtat qi vin tash nuk kam mujtë me i përkthye kurrsesi, aq të mbylltë janë.

Në forcë të ktij privilegjit t’onë mos të guxojë kurrkush me i ba dhunë apor me trazue ase me u qitë pengime t’interesuemvet ndër të gjitha ato sende (rasa) qi përmban ky privilegji i jonë i tanishëm. Përse janë kenë sigurimi, imuniteti e mproja motivi qi na ka shty t’a lëshojmë e t’a japim ket privilegj në mojin e qershorit, t’indikacjonit XI, në vjetë prej krijimit të botës 7851.

Stefani, besnik në Krishtin, krajl i Bulgarvet.

Mbasi dihet se banuesat e gjytetit të Krujës kan pasë të drejta të moçme e për të pasë kto të drejta patën xjerrë privilegje prej perandorit Gjon Dukës di felice memoria  e prej Teodor Laskarit djalit të tij, si edhe privilegjin e reskriptin (dekretin) e të shkëlqyeshmit perandor babës s’onë qi të munden me përdorë (usufruire) lirisht e pa kurrnji pengesë të gjitha të mirat qi kan a qi munden me shti në dorë mâ vonë, si mbrenda si jashta gjytetit të syprithanun, abolla qi të munden të gjitha kto, jo vetëm me i pasë të vetat pá kurrnji trazim, por edhe me i mbarështrue (administrue), lypin me pasë edhe prej nesh nji privilegj, e na tue e pranue ket kërkesë e ket lypje, lëshojm e apim ket privilegjin e tashëm, me të cillin privilegj na urdhnojm, caktojm e porosisim (përsritjet e zakonshme), qi sikurse përmbahet ndër të drejtat e vjetra e ndër privilegjet e dhanuna, për të pasë kto të drejta, prej perandorvet të syprithanun, Gjon Dukës e djalit të tij Theodhor Laskarit e babës s’onë, ata të kén në pronë të gjitha sendet, si po u gjetën kto mbrenda aporse jashta gjytetit të sypripërmendun, sip.sh. shpija, vneshta, ara, fusha, kullosë dimnore me bujqët e tyne, kshtu edhe ullishta, piscine e gjithshka ata të kén pasë të veten që prej kohësh së vjetra, të gjitha kto t’i kén të vetat të përforcueme e të caktueme e pa kurrnji trazim, pá kurrnji dam e pá kurrnji pengesë, e të munden me i përdorë (usufruire) kto lirisht e qetsisht, gjithashtu edhe qi në kto gjana qi kan në dorë mos të damtohen a me forcë ase me dhunë prej t’afërmvet apor prej baronavet ase prej tjervet kushdo kjoshin. Përse na duem qi në kurrnji mndyrë mos t’i lejohet as prefektit t’asaj province as prokuratorit të përgjithshëm, as kapitanit të gjytetit të syprithanun as rojtarvet (custodi), as të zott të kshtjellit (castellano) të të njajtit vend as kurrkuj tjetër me marrë (hjekë) ndoj send prej ktyne gjanave a proneve të tyne të syprithanuna, ase me shkaktue ndoj dhunë a trazim a pengesë, por të gjith e kan për detyrë me i ruejtë kta (pronarët) të  lirë e imun prej çdo turbullimit e çdo damit për shka i përket pronavet të syprithanuna e bujqvet të tyne. (Pse) në forcë të ktij privilegjit t’onë të tanishëm do t’u garantohet me doemos edhe për në kohën e ardhshme banuesavet të gjytetit të syprithanun të Krujës imuniteti e sugurija edhe lirija përsá u përket pronavet të tyne të naltpërmenduna prej çdo trazimi nga ana e auktoritetit publik që prej kohës së moçme e deri më sot, simbas përmbajtjes a mbrendís (contenuto) të privilegjeve e të dekreteve (ase reskriptevet) qi thám se kjén dhanë prej perandorvet. Tue kenë edhe se të njajtët Kruetanë na diftuene se, përveç imunitetit e lirís qi gzojn (kan) në bazë të privilegjevet e të reskriptevet (dekretevet), janë kenë gjithmonë të lirë e imun edhe prej gjymrykut të gjytetit të Durrësit si për gjana qi importojn në ket gjytet si për gjana qi eksportojn, e për ket imunitet e lirí nga kto taksa doganore patën nxjerrë nji privilegj t’onin, e për ma tepër patën lypë, qi edhe në kohë t’ardhshme të jén të lirë, imun e të libruem prej çdo trazimi e çdo pengeset, na tue e pranue lypën e kërkesën e tyne, urdhnojm e caktojm qi të njajtit njerz (burra) kruetanë të jén edhe në kohë t’ardhshme të liruem e imun prej pageset të ksaj takse doganore të gjytetit të Durrsit për gjana, qi ata importojn në ket gjytet apor qi eksportojn prej ktij gjytetit, si përmbahet në privilegjin qi na u  patëm dhanë atyne, në mndyrë qi mos të guxojë kush me lypë prej tyne kurrnji taksë për kurrnji mall të tyne. Përse asht sugurimi i lirivet të konfermueme, mprojtja  e qetsija motivi qi na shtyn t’u lshojm e t’u apim banuesavet të gjytetit të Krujës ket privilegj të tashëm t’onin të forcuem me vulën e artë në mujin e Tetorit, t’indiksjonit II.

Andronik Paleologu, besnik në Krishtin, peranduer.

Tue pasë para sysh ata shka na kje lypë shpesh herë, në forcë të ktij privilegjit t’onë të tashëm i lejojm klerit e komunitetit e burravet (krenvet) të gjytetit të syprithanun të Krujës e në mirsí t’onën pëlqejm, duem e urdhnojm, qi tash e ma vonë të mbajnë, të kén të vetat e të fitojnë lirisht e pa kurrnji kundërshtim të gjitha privilegjet e setcillin ndër ta, nderët, lirít, imunitetet e esenzioni (kto dy fjalët e mbrame mund të përkthehen shqyp : paprekshmëní, përjashtim, lirim etj.) qi përmbahen ndër privilegje të numrueme përpara, të cilat (privilegje), të gjitha e secilin ndër to, na i përforcojm e përsrí i a apim ipeshkvit, klerit, komunitetit e burrave të gjytetit të naltpërmendun të Krujës, tue porositë prandej të gjith vice  – mbretënt, sundimtarët, komisarët e tjerët zyrtarë t’onë të tashëm e t’ardhshëm ndër të gjitha anët e Shqypnís s’onë, e në mndyrë të posaçme (tue porositë) prefektin, kapitanin, kastellanin e rojtarët e të syprithanunit gjytet të Krujës qi gjithshka na përforcuem ase rishtas conceduem (dhám), të gjitha nderët e të gjitha gjanat e secilën ndër ato qi përmbahen ndër privilegje të numrueme sypri, (të concedueme) ipeshkvit, klerit, komunitetit e burrave të gjytetit të syprithanun të Krujës, të ndiqen me doemos edhe të kujdesen qi edhe tjerët të gjithë t’i ndjekin e t’i ruejn si përgjithsisht si edhe veçanërisht e mos të guxojn me ba kundërshtime në kurrnji mndyrë as për kurrnji arsye.

Në dishmí të tyne ket privilegjin e tashëm të lirimit (paprekshmënís) urdhnuem me e krye dhe e vulosëm me vulën t’onë t’artë. Dhanë në Castello Novo të gjytetit t’onë të Napullit me 19 prill të vjetës prej së lemes së Krishtit 1457, të sundimit t’onë përtej Fnerit (m’a merr mendja se asht për t’u kuptue ktu sundimi i tij përtej kanalit të Messina, ku do të ndodhet ndoj fnér) vj. 23, të vjetve tjera të sundimit t’onë 42.

Alfonsi rregj …. Fjalët spanjole nuk i kuptoj.

Zoti rregj. M’urdhnoi mue Arnold Fonolleda.

NOTA  BENE! Për shka u përket datave të dy dokumentave të parë mjerisht do të tham se nuk kam mujtë me i zgidhë. Jo vetëm un qi nuk dij me i zgidhë, por nuk kan mujtë me i zgidhë as disá profesora tjerë (njani prej Romet e tjetri prej Innsbruckut) qi i a dháçë me i zgidhë. Këta më lypshin me pasë krejt tekstin e dokumentit e vetëm atëherë ndoshta do të kishin mujtë me e zgidhë ket datë. Ma vonë ndoshta do të më bijë rasa ndojherë me ndeshë ndonjanin qi t’i zgidhin me precizjon kto data. Ktu në Bolzano asht vshtirë, por ndoshta ndër tjera vende si në Romë apor n’Austrí.

Data e fundit të dokumentit të parë âsht 7851 prej krijesës së botës. Mndyra e të njehunit të vjetve si mbas kronologjís bizantine admeton 5508 vjet para Krishtit krijimin e botës. Un drue veç se në vend të septies do të jét sexties, e kshtu do të kishim me pasë 6851, shka ká me gjasë.Tue hjekë 5508 prej 6851 na jesin 1343, shka don me thanë se dokumenti në fjalë asht lëshue e redigue në vj.1343 m. Kr., shka nuk ka si me kenë e vërtetë. Kshtu prá, për sa i përket datës duhet me pvetë ndonji specialist në Kronologjí.