Viti 1945, SHBA-të paralajmërojnë: Rreziku sovjeto-jugosllav për Shqipërinë

Në një telegram të kreut të misionit civil amerikan në Shqipëri, drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, jepet alarmi: vazhdimi i mospranimit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për njohjen e qeverisë shqiptare do ta çojë Shqipërinë plotësisht Shqipërinë në vathën jugosllavo-sovjetike. E përjavshmja “Investigim” boton pesë dokumente të reja: Enver Hoxha, një njeri energjik ambicioz, por që vuan nga kompleksi i inferioritetit; shqetësimet e shefit të Ekzekutivit amerikan për intrigën e Moskës, Beogradit dhe Tiranës; mospajtimi i amerikanëve për arrogancën britanike

Rreziku stalinist-titist në Shqipërinë e pasluftës, “Dajë Sami” amerikan dhe “Xhon Bulli” britanik tregojnë me gisht. Në një telegram të kreut të misionit civil të Uashingtonit në Shqipëri, Xhozef Xhejkobs (Joseph E. Jacobs, 1893-1971), drejtuar më 16 maj 1945 Sekretarit të Shtetit, jepet alarmi: vazhdimi i mospranimit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për njohjen e qeverisë shqiptare do ta çojë Shqipërinë plotësisht Shqipërinë në vathën jugosllave-sovjetike. E përjavshmja “Investigim” vazhdon botimin e dokumenteve diplomatike amerikane të vitit 1945, ku në këtë numër janë përkthyer pesë prej tyre. Në to del qartë droja anglo-amerikane nga ekspansioni stalinist drejt Shqipërisë, por dhe fërkimet e lehta në distancë mes dy fuqive perëndimore në çështjet e vendit të vogël ballkanik. Madje, dhe pse ende Lufta II Botërore ishte në momentet e fundit, Tre të Mëdhenjtë mendojnë për ri-rregullimet në epokën e paqes. Këto dokumente janë të këndshme dhe për një lexues të thjeshtë. Si në një roman non-fiction në formë ditari ndërkombëtar, dalin në pah fakte interesante: Enver Hoxha, si një njeri energjik ambicioz, por që vuan nga kompleksi i inferioritetit për shkak se nuk po e njihnin ende si zotin e ri të Shqipërisë; shqetësimet e shefit të Ekzekutivit amerikan për intrigën e Moskës, Beogradit dhe Tiranës me thashethemet se gjoja edhe perëndimorët do ta njihnin gjeneralin partizan; mospajtimi i amerikanëve për arrogancën britanike jo vetëm ndaj Tiranës, por edhe ndaj aleatit të tyre të përtej-Atlantikut.

SINJALI NGA MOSKA

Më 16 prill 1945, gjeneral-kolonel Enver Hoxha merr një telegram:“Në emër të Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, J.V. Stalin, i ngarkuari me punë i Ambasadës sovjetike në Beograd, i komunikon Kryeministrit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës, sa më poshtë: Qeveria sovjetike me kujdes të madh dhe simpati u vu në dijeni me notën e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës, drejtuar Kryetarit të Këshillit të Komisarëve të Popullit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, J.V. Stalinit. Në këtë kohë qeveria sovjetike është gati të dërgojë në Shqipëri një mision ushtarak sovjetik dhe shpreson në aprovimin e qeverisë shqiptare për pranimin e këtij misioni”. Nëse një mision ushtarak anglez kishte ardhur, amerikanët po prisnin OK-in e Hoxhës për të dërguar një mision të tyre fakt-mbledhës. Tri ditë pas telegramit sovjetik dërguar Hoxhës, , më 19 prill 1945, vetë Sekretari i Shtetit Eduard Stetinius (Edward Stettinius, 1900-1949) kërkon nga përfaqësia e vetë në Moskë të informojë “qeverinë sovjetike për zhvillimet e fundit në lidhje me propozimin që i është komunikuar jozyrtarisht gjeneral-kolonelit Hoxha, kreu i autoritetit ekzistues në Shqipëri, se qeveria amerikane mund të dëshirojë që në një datë sa më të afërt të dërgojë përfaqësues në Shqipëri mbi një bazë joformale për të shqyrtuar dhe raportuar në mënyrë paraprake mbi kushtet e atjeshme në rast se do të merret në shqyrtim çështja e njohjes së një qeverie shqiptare”.

LOJA MEDIATIKE

Por mbi të gjitha, Stetiniusin, në telegramin e 19 prillit, e ka shqetësuar një intrigë sovjetike-jugosllave-shqiptare. “Departamenti i Shtetit dëshiron më tej, gjykuar nga njoftimet që janë marrë në lidhje me një artikull të supozuar të gazetës “Pravda” që u bënte thirrje aleatëve për njohjen e regjimit të Hoxhës se duhet të përfitoni nga ky rast për t’i bërë të njohur Komisariatit të Punëve të Jashtme që qeveria amerikane nuk ka ndërmend të ndërmarrë kurrfarë veprimesh vendimtare lidhur me Shqipërinë për sa i përket njohjes së qeverisë, përveçse pas konsultimit me qeveritë kryesore aleate dhe që kjo qeveri shpreson se qëndrimi i saj në këtë drejtim është i njëjtë me atë të qeverisë sovjetike”. Gazeta “Bashkimi”, në numrin e 31 marsit, kishte vendosur në faqen e saj të parë kopje artikujsh nga “Pravda” dhe nga “Borba”, gazeta e Partisë Komuniste Jugosllave; të dy artikujt konfirmonin se pas pak kohe aleatët do të njihnin qeverinë shqiptare.

Kurse një telegrami i 18 prillit, nga Kazerta, njoftonte se gazeta “Bashkimi” kishte botuar përgjigjen nga i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik në Beograd lidhur me kërkesën e Hoxhës për njohjen; në përgjigjen e saj, qeveria sovjetike shprehte gatishmërinë e saj për dërgimin e një mision sovjetik ushtarak në Shqipëri dhe shpresën e saj se qeveria shqiptare do të pranonte misionin.

TAKIMI I PARË

Ndërkaq më 8 maj 1945 mbërriti në Tiranë misioni civil amerikan. 9 maj shefi i misionit Xhejkobs u prit nga gjeneral Hoxha dhe të nesërmen, më 10 maj, përfaqësuesi i SHBA-së i nis Sekretarit të Shtetit një “kabllogram” sintetik, por me domethënie:  “Bisedova me gjeneralin Hoxha në mëngjesin e 9 majit dhe i bëra një deklaratë të shkurtër mbi objektin e misionit tim… duke theksuar interesin e popullit dhe qeverisë amerikane për Shqipërinë dhe popullin e saj”. Hoxha tha  se amerikanët ishin të lirë të kryenin vëzhgime në terren. “Ai theksoi keqardhjen dhe marazin e shqiptarëve se ishin të vetmit… që ende nuk ishin njohur nga fuqitë aleate”. Në telegram ka një frazë të gdhendur me mjeshtëri dhe që portretizon figurën e liderit 37-vjeçar:  “Hoxha më lë përshtypjen e një njeriu energjik ambicioz, por që vuan nga efektet e një kompleksi inferioriteti për shkak të dështimit që pësoi për të fituar njohjen e qeverisë së tij”. Xhejkobsi thotë se Hoxha i kishte dhënë shpejt e shpejt lejen e kërkuar për një avion ushtarak amerikan, i cili do të hynte dhe nisej nga aeroporti i Tiranës një herë në javë për transport poste, zyrtarësh, udhëtarësh dhe furnizimesh. Xhejkobsi shënon se, më të mbërritur, kishte takuar përfaqësues të bektashinjve, që i “shprehën mbështetjen e tyre për regjimin”. Shefit të misionit s’i ka shpëtuar fakti se gazeta “Bashkimi” njoftonte për ardhjen e tij, “por pa koment redaksional”.

PROFECIA

Jo masave shtrënguese për rrëzim regjimi ashtu sikurse propozon Londra. Aftësinë e tij prej diplomati klasi  Xhejkobsi e shfaqi në një telegram të 16 majit dërguar shefit të vet në Uashington dhe se sugjerimi i tij për diversionin britanik ishte mbështetur menjëherë. Kjo shfaqet të nesërmen, më 17 maj, në një telegram të Sekretarit të Shtetit në detyrë , Xhozef Grju (Joseph Grew, 1880 –1965), drejtuar të ngarkuarit me punë në Bashkimin Sovjetik,  Xhorxh Kenën (George Kennan, 1904-2005). Bëhet fjalë për një raport të shefit të misionit ushtarak britanik  gjeneral brigade Hoxhson (Hodgson).  Njeriu i Departamentit të Shtetit në Tiranë shprehet se “regjimi aktual nuk duhet të njihet ashtu sikurse me sa duket edhe Hoxhsoni, me siguri nuk do të pajtohem me ndonjë sugjerim për përdorim masash shtrënguese në përmbysjen e regjimit aktual”.  Për më tepër, Xhejkobsi symon t’i presë rrugën oreksit të Londrës: “Nëse do të pajtohesha me idenë e Hoxhsonit që njohja mund të jepet në mënyrë të kushtëzuar, kam mendimin se kushte të tilla sikurse i parashikon ai, nuk duhet të paraqiten përveçse si një propozim i përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik”.  Kështu, superfuqia e përtej-Atlantikut nuk duhet të lejojë për arbitrim monopol anglez në Shqipëri. Këtë propozim, e ka marrë në konsideratë Uashingtoni, që porosit të nesërmen ambasadën në kryeqytetin sovjetik t’i transmetojë Moskës se “qeveria amerikane… do të donte të konsultohej me qeveritë sovjetik dhe britanike me synimin për të arritur një marrëveshje për veprim të bashkërenduar në çështjen e njohjes së qeverisë shqiptare apo, nëse e kërkojnë rrethanat, për të formuluar kushte të përshtatshme për prezantim të përbashkët para autoriteteve ekzistuese shqiptare, si bazë për njohjen”.

Po ashtu, Xhejkobsi bën një propozim tjetër, që tingëlloi profetik, por që nuk u mor parasysh: “mendoj se, nëse regjimi i tanishëm bie para se raporti im të jetë dorëzuar, gjë, me sa duket, shumë e vështirë, vazhdimi i mospranimit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për njohjen [e qeverisë shqiptare] do ta çojë plotësisht në vathën jugosllave-sovjetike”.

SHKRESË NË SHQIP

Në një “kabllogram” të 25 majit Xhejkobsi njofton se kishte marrë një notë në gjuhën shqipe që datonte 23 maj, të nënshkruar nga Enver Hoxha me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, ku kërkohej ndërhyrja e shefit të misionit  për të dërguar në SHBA një delegacion të përbërë nga tre ose katër veta. Sipas Hoxhës, delegacioni do të të kontaktonte me shqiptarët në Amerikë, miku i madh i Shqipërisë dhe t’i informonte për “luftën që populli shqiptar zhvilloi gjatë pushtimit fashist”.  Xhejkobsi kishte thënë se do ta përcillte në Uashington notën e Hoxhës, “por gjithsesi nuk ka siguri që Departamenti i Shtetit do ta miratonte hyrjen [e delegacionit në SHBA] në këtë kohë, veçanërisht kur unë nuk kisha pasur kohë të mjaftueshme për të paraqitur edhe një raport paraprak mbi kushtet në Shqipëri”. Ndryshe nga sa e paraqet Enver Hoxha Xhejkobsin në kujtimet e veta, diplomati amerikan ishte tejet dashamirës ndaj shqiptarëve teksa vë në dukje se “zyrtarët e FNÇ-së janë kaq thellësisht të sinqertë dhe patriotikë në pamje të jashtme dhe kaq të shqetësuar mbi dështimin për të marrë atë që ata e shohin si konsideratë të caktuar të kërkesave të ndryshme të bëra në drejtimin tonë… Nëse Departamenti nuk ka objeksione serioze, rekomandoj miratimin e hyrjes për një periudhë të përkohshme të grupit apo të paktën të dy përfaqësuesve. Ky udhëtim mund të zgjerojë edhe më tej konceptin dhe zotërimin nga ana e tyre të çështjeve ndërkombëtare”.

Intriga, shtypi në Moskë dhe Beograd: OK nga aleatët

Telegram i Sekretarit të Shtetit drejtuar të ngarkuarit me punë [amerikan në Bashkimin Sovjetik] (Kennan)

UASHINGTON, më 19 prill 1945, ora 22:00

Nr. 919 prot. Referuar telegramit të Departamentit të Shtetit me nr. 360 prot, datë 17 shkurt [1945]. Departamenti i Shtetit dëshiron të mbajë të informuar qeverinë sovjetike për zhvillimet e fundit në lidhje me propozimin që i është komunikuar jozyrtarisht gjeneral-kolonelit Hoxha, kreu i autoritetit ekzistues në Shqipëri, se qeveria amerikane mund të dëshirojë që në një datë sa më të afërt të dërgojë përfaqësues në Shqipëri mbi një bazë joformale për të shqyrtuar dhe raportuar në mënyrë paraprake mbi kushtet e atjeshme në rast se do të merret në shqyrtim çështja e njohjes së një qeverie shqiptare.

Ju lutem, informoni Komisariatin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik se gjeneral Hoxha ka rënë dakord të pranojë një mision të tillë dhe se Departamenti i Shtetit nga ana e tij ka bërë përgatitje për të dërguar një grup të vogël përfaqësuesish të Departamentit të Shtetit të kryesuar nga zyrtari i shërbimit të jashtëm Xhozef Xhejkobs (Joseph E. Jacobs).

Po ashtu mund të informoni Komisariatin e Punëve të Jashtme se gjeneral Hoxha i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Presidentit [amerikan Ruzvelt] që Shqipëria të përfaqësohet në Konferencën e San Franciskos dhe se Departamenti i Shtetit, në një memorandum jozyrtar drejtuar Hoxhës, ka argumentuar se nuk është i gatshëm të mbështesë kërkesën e tij meqenëse procedura e kufizimit të pjesëmarrjes së qeverive të Kombeve të Bashkuara u vendos nga qeveritë organizatore, pasi morën në konsideratë çdo aspekt të çështjes dhe se kjo qeveri për këtë shkak nuk mund ta shohë të përshtatshme të ndërmarrë hapa për rihapjen e diskutimit të kësaj procedure. [1]

Departamenti i Shtetit dëshiron më tej, gjykuar nga njoftimet që janë marrë në lidhje me një artikull të supozuar të gazetës “Pravda” [2] që u bënte thirrje aleatëve për njohjen e regjimit të Hoxhës (tel. nga Kazerta me nr. 1455 prot., datë 10 prill, përsëritur në drejtim të ambasadës amerikane në Moskë me nr. 133 prot. [3]) se duhet të përfitoni nga ky rast për t’i bërë të njohur Komisariatit të Punëve të Jashtme që qeveria amerikane nuk ka ndërmend të ndërmarrë kurrfarë veprimesh vendimtare lidhur me Shqipërinë për sa i përket njohjes së qeverisë, përveçse pas konsultimit me qeveritë kryesore aleate dhe që kjo qeveri shpreson se qëndrimi i saj në këtë drejtim është i njëjtë me atë të qeverisë sovjetike. [4]

Dërguar në Moskë [në ambasadën amerikane], kopje dërguar në adresë të këshilltarit politik amerikan [pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut] në Kazerta dhe në Londër [në ambasadën amerikane].

STETTINIUS

Shënime të origjinalit anglisht

[1] Në një mesazh drejtuar Presidentit Ruzvelt datë 29 mars 1945, Hoxha kërkonte që Shqipëria të ftohej të merrte pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Mesazhi i Hoxhës iu transmetua Departamentit të Shtetit me telegramin nr. 1286 prot, datë 1 prill 1945, nga Kazerta. Pozicioni i Departamentit të Shtetit lidhur me kërkesën shqiptare shtjellohej në telegramin nr. 307 prot, datë 7 prill, drejtuar Kazertës [shih numrat e kaluar të “Investigim-it]…

[2] Gazetë e Moskës, organ i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

[3] I pabotuar; njoftonte se gazeta shqiptare “Bashkimi”, në numrin e 31 marsit, kishte vendosur në faqen e saj të parë kopje artikujsh nga “Pravda” dhe nga “Borba”, gazeta e Partisë Komuniste Jugosllave; të dy artikujt konfirmonin se pas pak kohe aleatët do të njihnin qeverinë shqiptare.

[4] Telegrami me nr. 1609 prot, datë 18 prill, nga Kazerta, njoftonte se gazeta “Bashkimi” kishte botuar përgjigjen nga i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik në Beograd lidhur me kërkesën e Hoxhës për njohjen; në përgjigjen e saj, qeveria sovjetike shprehte gatishmërinë e saj për dërgimin e një mision sovjetik ushtarak në Shqipëri dhe shpresën e saj se qeveria shqiptare do të pranonte misionin. [“Në emër të Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, J.V. Stalin, i ngarkuari me punë i Ambasadës sovjetike në Beograd, i komunikon Kryeministrit dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës, sa më poshtë:

Qeveria sovjetike me kujdes të madh dhe simpati u vu në dijeni me notën e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës, drejtuar Kryetarit të Këshillit të Komisarëve të Popullit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, Mareshalit të Bashkimit Sovjetik, J.V. Stalinit. Në këtë kohë qeveria sovjetike është gati të dërgojë në Shqipëri një mision ushtarak sovjetik dhe shpreson në aprovimin e qeverisë shqiptare për pranimin e këtij mision” – shtesa në kllapat katrore është e “Investigim”-it.]

Person energjik ambicioz, por me kompleks inferioriteti

Telegram i përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri (Xhejkobs) [1] drejtuar Sekretarit të Shtetit

[TIRANË], më 10 maj 1945, ora 13:00

[Marrë ora 17:40]

[Nr. 7 i prot.] Bisedova me gjeneralin Hoxha në mëngjesin e 9 majit dhe i bëra një deklaratë të shkurtër mbi objektin e misionit tim, sikurse udhëzohet në paragrafin 13, të telegramit të Departamentit të Shtetit me nr. 308 prot, datë 7 prill drejtuar Kazertës [shih numrat e kaluar të “Investigim”-it], duke theksuar interesin e popullit dhe qeverisë amerikane për Shqipërinë dhe popullin e saj. Hoxha u përgjigj se ai e kuptonte qëllimin e misionit tim dhe se unë dhe grupi im jemi të lirë të kryejmë studimet tona, por ai e bëri të qartë se shpresonte që SHBA së shpejti do të njohë regjimin e tij. Ai theksoi keqardhjen dhe marazin e shqiptarëve se ishin të vetmit, nga të gjithë ata popuj, të cilët i kishin rezistuar agresionit italian dhe gjerman, që ende nuk ishin njohur nga fuqitë aleate dhe nuk ishin ftuar në Konferencën e San Franciskos.

Hoxha më lë përshtypjen e një njeriu energjik ambicioz, por që vuan nga efektet e një kompleksi inferioriteti për shkak të dështimit që pësoi për të fituar njohjen [e qeverisë së tij].

Gjatë intervistës shfrytëzova rastin të ngrija çështjen e lejes për një avion ATC-së [2] për të hyrë dhe nisur nga aeroporti i Tiranës një herë në javë për transport poste, zyrtarësh, udhëtarësh dhe furnizimesh. Ai e dha lejen pa e zgjatur fare me kusht çdo javë zyra ime të njoftojë shefin e shtabit për kohën e pritshme të mbërritjes.

Me të mbërritur jam takuar me përfaqësues të bektashinjve të Tiranës; grup myslimanësh që shprehën mbështetjen e tyre për regjimin aktual.

Gazeta “Bashkimi” ka botuar lajm për ardhjen time, por pa koment redaksional.

Dërguar Departamentit të Shtetit, kopje në Kazerta [këshilltarit politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut] me nr. 3 prot.

XHEJKOBS

Shënime të origjinalit anglisht

 [1] Z. Xhejkobs (Jacobs) mbërriti në Tiranë më 8 maj 1945.

 [2] Iniciale anglisht për “Air Transport Command” (Komanda e Transportit Ajror). [Kishte për detyrë të plotësonte kërkesat e ngutshme për forcimin e shpejtë të bazave ushtarake amerikane në mbarë botën gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përdorur një sistem furnizimi në rrugë ajrore në mbështetje të transportit tokësor. ATC-ja operonte gjithashtu si sistem transporti ajror botëror për personelin ushtarak – “Investigim”].

Xhejkobs: Jo masave shtrënguese për përmbysje regjimi

Telegram i përfaqësuesit [amerikan] në Shqipëri (Xhejkobs) drejtuar Sekretarit të Shtetit

TIRANË, më 16 maj 1945, mesditë.

[Marrë: ora 24:01]

Nr. 14 i prot. Gjeneral brigade [britanik] Hoxhson (Hodgson) planifikonte të arrinte në Kazerta sot për të diskutuar raportin e tij mbi FNÇ-në [Fronti Nacional-Çlirimtar]. Këtu nuk kam pasur kohë të mjaftueshme për të thënë nëse jam apo nuk jam dakord me përfundimet e tij (shih raportin e tij më 30 prill, 101/1 [1]), por ndërkaq nëse gjykoj se regjimi aktual nuk duhet të njihet ashtu sikurse me sa duket edhe Hoxhsoni, me siguri nuk do të pajtohem me ndonjë sugjerim për përdorim masash shtrënguese në përmbysjen e regjimit aktual. Nëse do të pajtohesha me idenë e Hoxhsonit që njohja mund të jepet në mënyrë të kushtëzuar, kam mendimin se kushte të tilla sikurse i parashikon ai, nuk duhet të paraqiten përveçse si një propozim i përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.

Së fundmi,  jam i mendimit se nëse regjimi i tanishëm bie para se raporti im të jetë dorëzuar, gjë, me sa duket, shumë e vështirë, vazhdimi i mospranimit nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për njohjen [e qeverisë shqiptare] do ta çojë plotësisht në vathën jugosllave-sovjetike.

Dërguar në Kazerta [këshilltarit politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut] me nr. 9 prot., kopje në Departamentin e shtetit me nr. 14 prot.

XHEJKOBS

Shënim i origjinalit anglisht

[1] Transmetuar në adresë të Departamentit të Shtetit në dispaçin me nr. 13 prot, datë 23 maj [1945], nga Tirana, e pabotuar…

SHBA: Veprim të bashkërenduar të aleatëve para Tiranës

Telegram i Sekretarit të Shtetit në detyrë drejtuar të ngarkuarit me punë [amerikan në Bashkimin Sovjetik] (Kennan)

UASHINGTON, 17 maj 1945, ora 15:00

Nr. 1088 i prot. Ju lutem informoni Ministrinë e Punëve të Jashtme [të Bashkimit Sovjetik] se më 8 maj [1945] mbërriti në Tiranë një mision civil amerikan , i kryesuar nga zyrtari i Shërbimit të Jashtëm Xhozef Xhejkobs. Sikurse është vënë në dukje në komunikimet e mëparshme drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme [të Bashkimit Sovjetik] mbi këtë temë, ky mision nuk është akredituar zyrtarisht pranë autoriteteve shqiptare, por ka karakter jozyrtar, dhe se prania e tij në Shqipëri nuk duhet nënkuptuar kurrsesi si njohje amerikane e një qeverie shqiptare. Ky mision është udhëzuar të vëzhgojë kushtet dhe zhvillimet në Shqipëri dhe të raportojë mbi kualifikimet e autoriteteve ekzistuese paraprakisht në përcaktimin e qëndrimit të kësaj qeverie për kërkesën e autoriteteve shqiptare për njohjen zyrtare si Qeveri e Shqipërisë.

Ju mund të shtoni se qeveria amerikane, me të marrë raportet dhe rekomandimet e misionit të saj lidhur me situatën në Shqipëri, do të donte të konsultohej me qeveritë sovjetik dhe britanike me synimin për të arritur një marrëveshje për veprim të bashkërenduar në çështjen e njohjes së qeverisë shqiptare apo, nëse e kërkojnë rrethanat, për të formuluar kushte të përshtatshme për prezantim të përbashkët para autoriteteve ekzistuese shqiptare, si bazë për njohjen.

Dërguar në Moskë dhe në Londër dhe kopje këshilltarit politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut në Kazerta, për Xhejkobsin në Tiranë.

GRJU (GREW)

Kërkohet leje për delegacion te shqiptarët e Amerikës

Telegram i përfaqësuesit amerikan në Shqipëri (Xhejkobs) drejtuar Sekretarit të Shtetit

TIRANË, më 25 maj 1945, ora 21.00, ora lokale e Tiranës

[Marrë: më 25 maj, ora 19.00, ora lokale e Uashingtonit]

Nr. 22 i prot. Dje mora një notë në gjuhën shqipe datë 23 maj, të nënshkruar nga Enver Hoxha me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave, përkthimi i së cilës si më poshtë [për shkak se nuk disponojmë dokumentin origjinal në gjuhën shqipe, po japim përkthimin nga versioni anglisht – “Investigim”]:

“Qeveria Demokratike e Shqipërisë, dëshiron të dërgojë në Shtetet e Bashkuara një delegacion të përbërë nga tre ose katër veta në mënyrë që ajo [qeveria shqiptare] të ketë mundësinë të kontaktojë me vëllezërit tanë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, miku i madh i Shqipërisë dhe t’i informojë për betejën tonë dhe luftën që populli shqiptar zhvilloi gjatë pushtimit fashist.

Ne ju lutemi, z. J. E. Jacobs, të ndërhyni pranë Qeverisë tuaj që të sigurohet leja e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në një bisedë me Hoxhën për çështje të tjera ai më informoi se delegacioni do të ishte civil dhe se qeveria e tij dëshironte t’i dërgonte ata [pjesëtarët e delegacionit] në SHBA, sikurse u tregua [më sipër] për të kontaktuar me shqiptarët dhe për t’i informuar për veprimtaritë e regjimit të FNÇ-së. I thashë se do ta përcillja [në Uashington] notën e tij, por gjithsesi nuk ka siguri që Departamenti i Shtetit do ta miratonte hyrjen [e delegacionit në SHBA] në këtë kohë, veçanërisht kur unë nuk kisha pasur kohë të mjaftueshme për të paraqitur edhe një raport paraprak mbi kushtet në Shqipëri.

Ndonëse jam i vetëdijshëm për disa nga vështirësitë që kanë të bëjnë me këtë kërkesë, zyrtarët e FNÇ-së janë kaq thellësisht të sinqertë dhe patriotikë në pamje të jashtme dhe kaq të shqetësuar mbi dështimin për të marrë atë që ata e shohin si konsideratë të caktuar të kërkesave të ndryshme të bëra në drejtimin tonë, jam i sigurt se refuzimi i kësaj kërkesë do të konsiderohet si një tjetër mospranim dhe se do të dëmtojë [fjalë e lënë jashtë tekstit] tim. Nëse Departamenti nuk ka objeksione serioze, rekomandoj miratimin e hyrjes për një periudhë të përkohshme të grupit apo të paktën të dy përfaqësuesve. Ky udhëtim mund të zgjerojë edhe më tej konceptin dhe zotërimin nga ana e tyre të çështjeve ndërkombëtare.

Dërguar në Departamentin e Shtetit me nr. 22 prot., kopje në Kazerta [këshilltarit politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut] me nr. 23 prot.

XHEJKOBS

Thanas Mustaqi

Përkthimi dhe titujt e dokumenteve janë të “Investigim”-it