Vitet 1912-1913 rrethimi i fundit i Shkodrës, kalvari gjakatar i një makthi tmerri

Mali i përgjakur

Më 8 tetor 1912 Mali i shpall luftë Turqisë. Në të njëjtën ditë nisin djegiet e fshatrave shqiptarë që ishin të vendosur krejt në kufirin mes dy shteteve. Luftime të vogla mes malazezëve dhe banorëvevendasu zhvilluan për dy ditë me radhë. Një pjesë e mirë e fshatarëve të lemerisur nga tmerret e luftës vrapojnë të strehohen në Shkodër.

Qytetit të vjetër i dyfishohet popullsia.

Mësymja e parë e madhe malazeze nisi më 11 tetor. Synimi ishte marrja e Taraboshit, një pikë e lartë që dominon mbi Shkodër dhe mbi liqen. Tre batalione, një kompani mitralierësh dhe një bateri e artilerisë malore nën komandën e majorit Sadedin Bej kaluan matanë Bunës mbi lundra për t’u përballur me armikun. Asokohe Ura e Bunës ishte ende në ndërtim e sipër. Luftimet e ashpra vazhduan për gjashtë orë me radhë. Në majë të Taraboshit, pushkët u lanë mënjanë, armiqtë u përleshën për jetë a vdekje trup me trup. Të dhënat zyrtare osmane bëjnë fjalë për 800 malazezë dhe vetëm 27 turq e shqiptarë të vrarë. Bilanci duket se është shumë propagandistik, por asokohe propaganda e luftës ishte në kulmin e saj. Me siguri humbjet në radhët e mbrojtësve të Shkodrës duhet të kenë qenë disa herë më të mëdha. Kjo betejë u pasua më pas nga shumë të tjera po aq të përgjakshme që vazhduan plot gjashtë muaj (183 ditë). Ndërkohë, qyteti bombardohej pa pushim nga artileria malazeze.

Irakiani që mbrojti Shkodrën

Hasan Riza Pasha ishte kryekomandanti i forcave turko-shqiptare që mbronin Shkodrën. Ai kishte lindur nëBagdadnë 1871. Ishte djali i valiut të Bagadadit, Namik Pashës. U shkollua në fillim në Stamboll dhe pati një karrierë të vrullshme. Kur ishte vetëm 28 vjeç ishte nënkolonel. Studioi edhe në Gjermani për disa kohë. Në Shkodër kishte ardhur që në 1911 si komandant i një divizioni. Në mars të 1912-s ishte emëruar vali (guvernator) dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë në Vilajetin e Shkodrës.

Hasan Riza Pasha duhet të ketë qenë një tip i çuditshëm për atë kohë. Ishte kundërshtar i vendosur i xhonturqve dhe i përfshirjes së ushtarakëve në politikë. Nderi dhe ushtria, këto ishin dy fjalët që e drejtonin. Kishte marrëdhënie të mira me patriotët shqiptarë dhe përgjithësisht në Shkodër gëzonte respekt. Ai e dinte se me malazezët po bënte një luftë të pabarabartë, porse nuk pranoi assesi ta dorëzonte Shkodrën. Me kalimin e muajve, kishte nisur të hartonte një plan që e mbajti sekret deri vonë. Dy ditë para se të largohej nga Shkodra do t’u jepte ushtarëve të tij më besnikë dy racione ditore, pastaj do të marshonte me trupat përgjatë bregdetit të Adriatikut deri në kufijtë e Austro-Hungarisë, prej nga me anije do të shkonte drejt Stambollit.

Në nëntor të 1912-s mbrojtësve të Shkodrës u kishte mbetur edhe një fije shprese. Në Berat kishin mbetur ende 20 mijë ushtarë osmanë. Këta komandoheshin nga tiranasi Mahmut Hajret Pashë Jella. Sikur këto trupa të kishin mbërritur me kohë në Shkodër, atëherë bilanci i forcave do të ishte ndryshe. Porse, tashmë dukej se Perandorisë Osmane në Ballkan i kishte ardhur vërtet fundi. Mahmut Jella, pas shumë hezitimesh më në fund arriti deri në lumin Mat, porse nuk mundi të kalonte më tej. Shkodrës do t’i duhej të mbrohej vetëm duke parë se si vdisnin përditë njerëzit e saj, nga gjylet dhe nga uria.

Hezitimi i malësorëve

Malësorët, njerëzit që kishin ndezur flakën e luftës për liri në malet e Shqipërisë u gjetën ngushtë, kurMalii Zi sulmoi Shkodrën. Një pjesë e tyre kishte kohë që ishte strehuar në Mal të Zi, pas ekspeditave ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës. Shumica prej tyre, dhe sigurisht edhe një pjesë e mirë e klerit katolik e shihnin perandorinë osmane si armikun më të parë, shekullor, fetar, kulturor, politik. Andaj, të zënë mes dy zjarresh, një pjesë e mirë e tyre qëndroi pasive, një pjesë tjetër, jo dhe aq e vogël, u rreshtua në krah të malazezëve kundër mbrojtësve të Shkodrës. Në ditët e fundit të tij, Hasan Riza Pasha zhvilloi tratativa me krerët katolikë. Këta vendosën si kusht që lufta të bëhej në emër të flamurit shqiptar dhe jo të atij osman, kështu që kërkuan si kusht të parë ngritjen e flamurit shqiptar mbi kështjellën e Rozafës. Hasan Riza Pasha kërkoi kohë sa të merrej vesh se çfarë mendonin në Stamboll e gjetiu mbi këtë çështje, porse nuk pati kohë të jepte përgjigje. Dikush kishte kohë që vriste mendjen për ta vrarë.

Një vrasje që ndryshoi historinë

Plani i Hasan Riza Pashës, në bashkëpunim me arqipeshkëvin e Shkodrës, ishte që e gjithë popullsia katolike do të hidhej në një kryengritje të përgjithshme antimalazeze. Sulmi do të niste në Zadrimë, në fshatin e qetë Nënshat. Më parë do të valëvitej mbi kala flamuri me dy krerë.

Këtu del në skenë sërish një nga figurat më të diskutuara në historinë e re të Shqipërisë, Esat Pashë Toptani. Ky ishte zëvendës i Hasan Rizait. Të dy banonin në shtëpi të mëdha në Fushë-Çelë, fare afër njëri-tjetrit. Më 30 janar 1913 Hasan Rizai dhe Esat Pasha diskutuan gjatë në shtëpinë e Toptanasit për çështjet e ditës. Në orën 18.45 teksa po kthehej në shtëpi në errësirën e natës, i dalin përpara tre të panjohur. Dy prej tyre e qëllojnë me revolver. Kryekomandanti i Shkodrës dha shpirt mbas pesë orësh. U varros të nesërmen, “ditë e xhuma” në varrezat e xhamisë së vjetër të Parrucës.

Kjo është një nga ato histori ku të gjithë janë të bindur se thonë të vërtetën, por asnjë nuk ka dhënë ndonjë provë konkrete. Në Shkodër, por jo vetëm, që në atë kohë ishin të bindur se vrasja e Hasan Riza Pashës është kurdisur nga Esat Pasha. Tre njerëz u përfolën asokohe, Osman Bali, njeri shumë i afërt i Toptanasit, një Mahmut nga Kavaja, që ka mbetur pa mbiemër dhe një farë Tefik edhe ky nga Shqipëria e Mesme. 13 vjet më vonë, më 8 shtator 1926, Osman Bali do të mbetej i vrarë, nga Lam Leka dhe Myslym Peza. Kishte arritur të bëhej major i Gradës Kombëtare.

Flamuri malazez mbi Rozafë

Rrethimi i Shkodrës vazhdoi edhe për tre muaj të tjerë. Zyrtarisht Esat Pasha, që zëvendësoi Hasan Rizanë, shprehej për vazhdimin e qëndresës, por ndërkohë kishte nisur bisedimet me malazezët për dorëzimin e Shkodrës. Këta pranuan që ushtria osmane të largohej nga qyteti, me armët në krah, duke ruajtur kështu të paktën nderin ushtarak. Në 25 prill 1913, princi Danillo dhe shpura e tij u ngjitën në kështjellën e Rozafës. Këtu nisi të valonte flamuri malazez. Shkodranët e mposhtur nga gjylet, uria, tradhtia, shikojnë nga dritaret e shtëpive të tyre se si ushtarët e knjazit marshonin fitimtarë mbi kalldrëmin e tyre të vjetër. Shkodra kishte rënë. Për koincidencë 25 prilli është një datë e hidhur për Shkodrën. Në një 25 prill të largët, atë të vitit 1479, hordhitë e Mehmet Fatihut valëvitën flamurin me gjysmëhënë mbi bedenat e vjetra.

Kontrolli ndërkombëtar

Malazezët nuk patën shumë kohë që të gëzohen. Pushtimi i Shkodrës e alarmoi sakaq Austro-Hungarinë. Në ditët e para të majit Vjena kërkoi largimin e të gjitha forcave serbe apo malazeze nga territori shqiptar, i cili tashmë konsiderohej pjesë integrale e një shteti të pavarur. Serbët pranuan. Në fillim të majit trupat e mbetura në Shqipëri u imbarkuan në Durrës. Malazezët këmbëngulën disi më gjatë, por Vjena lëshoi ultimatumin: ajo do të hynte në luftë ndaj malit të Zi nëse Cetinja nuk lëshonte Shkodrën pa vënë asnjë kusht, lirimi duhej të bëhej brenda ditës, nuk duhej të përmendej në asnjë formë ndonjë kompensim i mundshëm me territore shqiptare. Knjazi u gjunjëzua. Pushtimi i Shkodrës ishte bërë shkas që ta çonte botën drejt një konflikti të përgjithshëm. Në më pak se dy javë pasi ishin vendosur në Shkodër u kishte mbërritur urdhri për t’u larguar. Në vend të tyre në Shkodër u vendos një trupë ndërkombëtare që do ta qeveriste qytetin derisa shteti shqiptar të ishte në gjendje ta administronte. Një vit më pas, në mars të 1914, shkodranët panë më në fund të valëvitej mbi bedenat e Rozafës, ëndrrën e shumëpritur, flamurin shqiptar.

(Për këtë shkrim u përdorën materiale edhe nga Agim Parruca, Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar, Tiranë 2003; Ferdinando Salleo, Shqipëria: gjashtë muaj mbretëri, SHLK, Tiranë 2001).

Ditët e fundit të luftësNga raportet e jezuitëve:

“… Mëngjesin e 25 prillit, me largimin e turqve, në qytet hynë trupat malazeze me princ Danillin në krye. Ajo që binte në sy ndërmjet tyre ishte numri shumë i pakët i të rinjve, shenjë që rinia ishte sakrifikuar e gjitha. Tri-katër ditët e para ata u sollën shumë njerëzisht, por këto mirësjellje nuk ishin të sinqerta, sepse ushtarët filluan të vjedhin shumë shpejt në mes të ditës.

Të mërkurën, më 7 maj, arriti lajmi i gëzueshëm që Shkodra do t’u dorëzohej Fuqive të Mëdha. Këto ditë u vodhën shumë dyqane të Pazarit, e pastaj u vu zjarri në pika të ndryshme.

Malazezët e përzunë rojën, që tradicionalisht ruante pazarin, nuk shtinë më me top, sipas zakonit dhe i kthyen mbrapsht jevgjit që vraponin drejt qytetit, për të njoftuar të interesuarit. Zjarri vazhdoi gjithë ditën e natën në vazhdim dhe dëmet ishin të rënda. Veçanërisht e pësuan dyqanet e drithërave dhe të pëlhurave.

Është theksuar se ushtarët e Krajl Nikollës banë shkrumb e hi ç’ka u përkiste myslimanëve kudo nga kalonin. Famullitarët bënë të ditur se në Pejë e Gjakovë donin t’i detyronin myslimanët që të bëheshin ortodoksë dhe, mbasi ata nuk u bindën, u masakruan me qindra dhe mijëra. Kush erdhi që andej tha se në ato anë nuk gjeje më asnjë mysliman të vetëm. Madje 850 familje katolike nga tmerri i kësaj kasaphane u bënë ortodoksë. Një familje e ardhur nga Bushati në fund të prillit tregoi se, kur serbët hynë në Bushat, në Shkjez e në Trush, u shtirën sikur nuk të dallonin mes katolikëve e myslimanëve, ndonëse katolikët dalloheshin nga kryqi që mbanin me vete si edhe nga kryqet dhe figurat e shenjta që mbanin nëpër shtëpia, por ata donin të vinin dorë mbi gjithçka, sikurse ndër myslimanë. Duke dashur të mbronin gratë e veta u vranë 32 burra. Nuk u lejuan të varrosen, vetëm kur erdhi vetë personalisht Imzot Koleci, Ipeshkvi i Sapës. Serbët dogjën të gjitha shtëpitë e Bushatit. Në njërën, ku ishin 100 lopë e shumë kuaj, u vra roja, u therën kafshët dhe ç’mbeti u dogj.

Në Shkodër konstatohen zyrtarisht 37 katolikë e ortodoksë të vrarë nga gjylet e 73 të vdekur nga uria. Ndërmjet myslimanëve llogaritet që numri i të vdekurve nga bombardimet dhe uria të jetë katërfishi…”.

FATOS BAXHAKU