Viktimat e “uzinës së vdekjes”- Rrëfimi i të mbijetuarës së uzinës së koksit, Lefteri Dedja: “Në uzinë punëtorët vdisnin si pulat”

Armalda Nuhu

Teksa ngjit shkallët e katit të dytë ku ndodhët zyra e mikeve të saj, i bllokohet frymëmarrja, ndaj ndalet disa herë për të thithur pompën e astmës. Lefteria e kujton shumë mirë kohën dhe vendin ku takoi vrasësit e shëndetit të saj, megjithëse kanë kaluar 38 vjet. Sot jeton vetëm dhe përpiqet që të vrasë kohën dhe të largojë mendjen nga një grumbull sëmundjesh që po e tretin çdo ditë nga pak, duke ndihmuar me bilancet dy miket e saj. E adhuronte punën që bënte, pa e ditur se e kishte armiken më djallëzore. Nuk e harron vitin 1974. Sapo kishte mbarur gjimnazin dhe ashtu si gjithë moshatarët e saj të asaj kohe iu përvesh punës. Pasi bën një vit trajnim për ekonomiste,  në vitin e largët  1975 Lefteria filloi punë në uzinën e koksit, e ndërtuar me asistencën e inxhinierëve kinezë. Të gjithë ish-punonjësit e cilësojnë si “uzina e vdekjes”. Sepse nga 350 njerëzit e thjeshtë që punonin në atë uzinë, sot rreth 150 prej tyre nuk jetojnë më, ndërsa fatlumët që janë ende gjallë (mes tyre edhe Lefteria), shtyjnë ditët  e tyre duke luftuar me sëmundjet profesionale që morën peshqesh nga uzina. Mosha mesatare e jetëgjatësisë së ish-punëtorëve të “uzinës së vdekjes” nuk i kalon 55 vjeç. Ishte shumë e re për të kuptuar së çfarë e priste. E rrëmbyer nga energjitë  e moshës dhe ambicia për të patur një pozitë të rëndësishme e shtyjnë  të fillojë  punë në sektorin më të vështirë të uzinës, në baterinë e koksit. Ajo tregon se bateria e koksit ishte një varr i hapur. Punonte në temperaturën 40 gradë, pa asnjë mjet që të pastronte e freskonte ajrin dhe në mungesë të dritës së nevojshme, sepse bateria ishte nën tokë. “Kam kërkuar një herë një freskuese, sepse ishte piku i vapës brenda dhe jashtë dhe më thanë që pretendoja shumë, ndërkohë që çdo ditë djersët më shkonin çurkë, trupi dehidratohej dhe nuk ngopesha dot me frymë, sepse ajri i ngopur me gazra më përgjumte”, – tregon Lefteria

Uzina e koksit filloi të ngrihej brenda gjigantit metalurgjik në vitin 1973. Pas dy vjetësh inxhinierët kinezë dhe ata shqiptarë të specializuar në Kinë e bënë gati për ndezje furrën që punonte me temperaturë 1500 gradë për të nxjerrë qymyrin e koksit dhe që do të zhuriste jetën e  qindra vetëve që patën fatin e keq t’i afrohen qoftë edhe për pak kohë. Ajo funksiononte në tre reparte: 1. Reparti i përpunimit të lëndës së parë. 2. Bateria e koksit. 3. Reparti i përpunimit të gazrave. I gjithë procesi ishte një kompleks ku prodhoheshin jo vetëm një larmi produktesh, por edhe një larmi sëmundjesh. Fillimisht bëhej përpunimi i lëndës së parë ku qymyret e koksifikueshme (qymyret e vjetra) ngroheshin në enë të mëdha me vakum në temperaturë 1500 gradë deri sa prej tyre të shkëputeshin të gjitha lëndët volative(të avullueshme). Më pas gazrat që çliroheshin përthitheshin dhe çoheshin në repartin e përpunimit të gazrave, ndërsa qymyri në gjendje viskoze të zjarrtë hidhej në vagonë të posaçëm dhe çohej në dhomat e ftohjes ku i hidhej sasi e madhe uji me presion për ta ngurtësuar sërish. Produkti që dilte në fund të këtij procesi ishte mineral i koksit, i cili përdoret për shkrirjen e mineraleve të hekurit, për prodhimin e gizës si dhe në metalurgjinë e kromit dhe të bakrit. Uzina u ndërtua për të plotësuar nevojat e industrisë  vendase me koks. Qymyri i koksit përdorej për shkrirjen e mineraleve. Prodhohej  rreth 300 000 tonë në vit dhe kishte 220 subjekte konsumatore të koksit në të gjithë republikën që nga uzinat e ferro-kromit e deri te kovaçhanat dhe punishtet e vogla. 50-60% e produktit që prodhohej e konsumonte vetë furrnalta  e shkrirjes e Metalurgjikut. Prodhohej vetëm për nevojat e industrisë vendase. Pavarësisht nga niveli i hermeticitetit dhe i teknologjisë është e pamundur të mos ketë rrjedhje gazrash në ambient. Këto rrjedhje gazrash në ambient ishin vrasësit e fshehtë të 150 punëtorëve të uzinës, helmuesit e atyre që sot vuajnë nga sëmundjet profesionale. ”Unë shkoja shumë shpesh të mjeku, sepse kisha këputje trupi, më merrej fryma, më binte të fikët, por për tre vjet askush nuk me tha së çfarë kisha, gjithë kohës më thoshin që isha ftohur”, – tregon Lefteria. Gjatë procesit me disa etapa të prodhimit të koksit numri i agjentëve të dëmshëm për shëndetin që çliroheshin ishte shumë i madh. Sipas specialistëve, nga gazrat që cilësohen më të rrezikshme për shëndetin e njeriut janë gazrat me shumë cikle aromatike. Sipas kryeinxhinierit të uzinës, Niko Ziu në uzinë kishte gazra me 10-12 cikle aromatike, që cilësohen shumë të rrezikshme për shëndetin, si fenoli, antrozeni, krizeni, piceni, piridina, fluoli, benzoli, monoksidi i karbonit dhe bitumi ose ndryshe mbetjet e trasha të klasifikuara si lëndë kancerogjene, që kanë efekte negative në gjak dhe në lëkurë. Më të kapshmet nga analizat laboratorike mjekësore janë fenoli dhe monoksidi i karbonit. Një nga sëmundjet që po helmon çdo ditë gjakun e Lefteries është sasia e lartë e fenolit në gjak. Ajo vuan edhe nga hepatiti toksik i pa aktivizuar ose siç quhet ndryshe zmadhimi i mëlçisë. “Nuk kam pasur të njëjtin fat më shokët e shoqet e mia që sot nuk jetojnë më, sepse kam bërë disa herë transfuzion gjaku me shpenzimet e mia. Kam pastruar gjakun nga helmi që piva në uzinë. Trupi im është plotësisht i shkatërruar, asnjë nga organet e mia nuk punon normalisht…” – vijon ish- normistja. Në vitin 1991 “uzina e vdekjes” mbyllet, por fatkeqësisht lista e saj e zezë e viktimave vazhdon të zgjatet çdo ditë edhe sot pas 21 vjetësh.

Për çfarë duhej koksi në industrinë shqiptare.

Kombinati Metalurgjik i Elbasanit ishte kompleks uzinash me veprim zinxhir. Nevojat për produktin e koksit lindën që me hapjen e industrisë metalurgjike. Ishin 220 subjekte konsumatore të koksit në të gjithë republikën që nga uzinat e ferro-kromit e deri te kovaçhanat dhe punishtet e vogla. Industria e rëndë metalurgjike në Shqipëri daton me hapjen e uzinës së bakrit në Rubik që në kohën e pushtimit italian. Krahas kësaj uzine u vunë në punë edhe uzina e bakrit Kukës e ndërtuar në vitin 1964, uzina e bakrit Laç e vitit 1978, uzina e telave në Shkodër, uzina e ferro-kromit në Burrel, e sod-PVC-së Vlorë etj. Të gjitha këto ndërmarrje të industrisë së rëndë përdornin koksin. Ky produkt përdoret për shkrirjen  e mineraleve të hekurit për prodhimin e gizës, si dhe në metalurgjinë  e bakrit. Shqipëria nuk prodhonte koks për të eksportuar. 50-60% të koksit të prodhuar e përdornin furrnaltat e Metalurgjikut. Produkti i koksit përdorej vetëm për  nevojat e  industrisë  vendase.

Studimi

 Inxhinieri Qerim Ismeni: ”Punëtorët e uzinës vdisnin pa marrë pensionin e parë”

 Inxhinieri Qerim Ismeni është specialist në fushën e metalurgjisë. Tashmë një ish-metalurg ka punuar në uzinën e ferro-kromit në Burrel, për shumë vite ka drejtuar federatën e Kimi-Metalurgjisë, kontribues në çështjet sociale, ka kryer studime në lidhje me problemet e ish-metalurgëve, sot i papunë.

Për të kundërshtuar me fakte ndryshimin e ligjit të pensioneve 7703 ish-drejtuesi i federatës së metalurgëve ka bërë studime për jetëgjatësinë e ish punonjësve në industrinë e rëndë. Sipas studimeve, këta ish-punonjës në përqindjen më të lartë të tyre nuk e arrijnë moshën e pensionit. Sipas studimit, 95% e të punësuarve në uzinë merrnin sëmundje profesionale, ndërkohë që vdekshmëria mesatare ishte 55 vjeç.

1.Pse e keni kundërshtuar ndryshimin e ligjit 7703 të vitit 1993?

Ligji 7703 i pensioneve dhe kontributeve shoqërore i vitit 1993 bënte kategorizimin e daljes në pension sipas profesioneve dhe shkallës së vështirësisë së punës. Sipas këtij ligji, punëtorët e grupit të parë që është shkalla më e vështirë e punës, dilnin në pension në moshën 50 vjeç për femrat dhe 55 vjeç për meshkujt. Te ky grup, sipas ligjit të pensioneve, përfshihen:

I. Puna në miniera, nëntokë (dhe) në punimet e tjera në nëntokë. Si punë e kryer në

minierë nëntokë dhe në punime të tjera të nëntokës quhet puna e punëtorit e kryer gjatë gjithë ditës në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës si:

1. Minator në nëntokë

2. Armator në nëntokë

3. Vagonist dhe transportues me skreper në nëntokë

4. Zjarrmëtar në nëntokë

5. Makinist i sharrave prerëse në nëntokë

6. Transportierit në nëntokë

7. Elektrovozist në nëntokë

8. Pompist i brendshëm në nëntokë

9. Turbist në nëntokë

10. Arganist në nëntokë

11. Shinashtrues në nëntokë

12. Punëtor i shërbimit gjeologjik në nëntokë

13. Sondist në nëntokë

14. Punëtor i shpimit në nëntokë

15. Punëtor i thjeshtë që punon në nëntokë

16. Matës i gazit në nëntokë

17. Karpentier në nëntokë

18. Manovrues i makinerive dhe mekanizmave shpuese, ngarkuese, shkarkuese, ngritëse,

gërryese dhe transportuese, që punon vazhdimisht në nëntokë.

Me punën e mësipërme barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve,

përgjegjësve edhe zëvendësve të reparteve ose të turneve në nëntokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës.

Si punë e tillë quhet edhe puna e kryer në sipërfaqe nga punëtorët dhe personat e tjerë të

lartpërmendur për shkak të ndërprerjes së punimeve në miniera nëntoke ose në punime të tjera

nëntokë, me kusht që një punë e tillë të mos zgjatë më tepër se 26 ditë pune.

Në vitin 2002 ky ligj u ndryshua dhe u bë ligji që është në fuqi dhe sot. Ligji i ndryshuar barazonte moshën e pensionit 60 vjeç për femrat dhe 65 vjeç për meshkujt pa dallim profesioni apo vështirësie pune. Ky ligj shoi profesionet, barazon një profesion që nuk paraqet asnjë lloj rrezikshmërie me profesionet e industrisë së rëndë ku rrezikohet shëndeti dhe jeta. E kundërshtova ndryshimin e ligjit ekzistues, sepse është një handikap në raport me botën. Kudo në botë njihet kategorizimi i profesioneve në Shqipëri jo.

2. Cila është filozofia e ligjit të ndryshuar sipas jush?

Filozofia e ndryshimit të ligjit ishte mbushja e arkës së shtetit në kurriz të metalurgëve dhe punonjësve të tjerë të industrisë së rëndë. Rritja e arkëtimit të parave për llogari të pensioneve që do të marrin të moshuarit në të ardhmen pra rritje e kontributeve në arkën e shtetit për pensionet dhe pakësim i fondeve të shpërndarë në formë pensionesh. D.m.th shteti merr, po nuk jep.

3. A ka pasur reagime të organizuara për ta shfuqizuar apo për të penguar miratimin e ndryshimeve?

Në kohën kur përfaqësuesit e punëtorëve, sindikatat e kuptuan thelbin dhe gabimin e ligjit filluan të kishte reagime. Por qeveria duke kontribuar në përçarjen e përfaqësive të punëtorëve luajti rolin e zjarrfikësit. Për t’i shuar lëvizjet apo zërat kundër ajo ofroi zgjidhje parciale, por jo tërësore. Joshi një pjesë të zërave kundër me kempe apo mënyra të tjera për të shuar zërat e tjerë. Në momentin kur ishte krijuar një lob deputetësh dhe sindikalistësh që po kontribuonin për të korrigjuar këtë gabim qeveria e kohës në fshehtësi nga faktori social nën justifikimin që na dikton FMN-ja dhe Banka Botërore brenda katër ditësh më 25.04.2002 miratoi ligjin e ri 8889. Ligji kaloi dy hallkat e miratimit nga qeveria dhe në Parlament pa pyetur faktorin social.

4. Çfarë parashikonte ligji i ri?

Ligji i ri 8889 përmbante rritjen e moshës së daljes në pension nga 50-55-60 vjeç që ishte në 60 dhe 65 vjeç. Profesioneve të vështira, tashmë u është rritur mosha për pension 15 vjet nga 50 në 65 vjeç dhe grupit të dytë të profesioneve gjysmë të vështira me 10 vjet nga 55 në 65 vjeç. Për syrin e injorantit duket sikur nuk ka diskriminim, ndërsa realisht këtu bëhet diskriminimi më i madh. Së pari, brenda të njëjtit brez mosha e pensionit rritet dy herë. Njerëzit që pranuan të punonin në profesionet më të vështira pranuan humbje vitesh jetëgjatësie, por ëndërronin të paktën të gëzonin disa vite pension.

5. Çfarë studimesh janë bërë dhe cili ka qenë thelbi i studimeve?

Janë bërë studime edhe para meje, dhe unë kam bërë studime në lidhje me problemet e ish-punonjësve të industrisë së rëndë dhe punonjësve që punojnë sot në industrinë e rëndë. Nga këto studime rezulton se punonjësit që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në punë të vështira, dhe me pasoja për shëndetin brenda një periudhe 10-vjeçare pune në profesion të vështirë marrin dëmtime shpesh herë të pakthyeshme për shëndetin dhe pothuajse të gjithë janë të kartelizuar si të sëmurë profesionalë. Për ata që kanë 10 vjet punë, shifrat e të sëmurëve shkojnë në 85%, ndërsa për të tjerët që kanë rreth 15 vjet punë shifra arrin në 95%, përjashtohen vetëm disa punonjës të sektorit të ndihmës që nuk ballafaqohen më ambientet e punës nën veprimin e agjentëve fizikë, kimikë dhe mekanikë. Kemi rreth 4 000 të sëmurë profesionalë në shkallë republike.

6. Po studimet në lidhje me jetëgjatësinë e këtyre punonjësve çfarë rezulton?

Sëmundshmëria ul aftësinë për punë të këtyre punonjësve dhe praktikisht një pjesë e tyre mund të përfitojë kemp dhe një pjesë mund edhe të vdesë pa arritur moshën e pensionit. Sipas një studimi të bërë para shumë vitesh në rrethin e Mirditës, rezultoi jetëgjatësia e punonjësve që kanë punuar më shumë se 15 vjet punë në nëntokë ishte 61 vjeç, kurse e punonjësve të metalurgjisë rezultoi 59 vjeç e 3 muaj.

Një rast tjetër është një studim i bërë mbi vdekshmërinë e punonjësve të superfosfatit në Laç në repartin e atakimit ku afër 53 punonjës tashmë të vdekur jetëgjatësia mesatare nuk i kalonte 57 vjeç.

Po kështu dhe studimi mbi jetëgjatësinë në uzinën e koksit në Elbasan ku nga rreth 100 ish-punonjës që rezultojnë të vdekur jetëgjatësia te ata që kanë pasur jo më shumë se 15 vjet punë është 55-56 vjeç.

7. Cili është përfundimi i këtyre studimeve?

Nga studimet e bëra më lartë konkludojmë që një pjesë e mirë e punonjësve që punojnë në industrinë e rëndë nxjerrëse dhe përpunuese (miniera, nëntokë, kimi, petro-kimi, metalurgji) nuk arrijnë për së gjalli të marrin pensionin e parë dhe ata pak që e marrin e gëzojnë shumë pak vite. N.q.s ligji presupozon një ekuacion të barazuar kontribute=përfitime, këtu kemi një ekuacion të mos barazuar kontribute≠përfitime. Ndërsa në gjuhën e moralit social kemi një diskriminim me ligj të punonjësve që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në punë të rrezikshme për shëndetin.

8. Si u arsyetua nga instancat përgjegjëse për këtë ndryshim në ligj?

Rritja e moshës së daljes në pension u justifikua thjesht për barazim ekuacioni. Sot kujdesen për propagandë politike, kujdesen se si të thonë që rritëm pensionet për të moshuarit, kurse për moshën e mesme aktive nuk kujdeset njeri.

marre: https://aldanews.wordpress.com/category/kronike-sociale/