Vettingu – Një listë me mbi 100 emra i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre

Nis skanimi i drejtësisë , DSIK i kërkon Prokurorisë verifikimin e 100 magjistratëve

Pas ILDKPKI-së edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka nisur punën për skanimin krerëve të drejtësisë që do të kalojnë të parët në sitën e vettingut. Një listë me mbi 100 emra i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre. Dosjet më pas do t’i dërgohen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, të cilët do të zhvillojnë procesin të asistuar ngushtësisht nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit.

Kërkesa e DSIK-ut

Mbi 100 kërkesa janë dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) në Prokurorinë e Përgjithme për të verifikimin e kontrollit e figurës për zyrtarët me të lartë të sistemit të drejtësisë, të cilët do të jënë të parët që do të kalojnë në sitën e vettingut. Procesi do të nisë me krerët më të lartë të institucioneve si Prokuroria, Gjykatat dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se kërkesa ka mbërritur pak ditë me parë dhe menjëherë janë marrë masat për ta përcjellë atë në 23 prokuroritë e rretheve, përfshirë edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Emrat në listë do të verifikohen nese kanë ndonjë proces hetimor të hapur apo është duke u kryer ndonjë procedim penal. Ndërkohë të njëjtën gjë ka nisur prej pak ditësh edhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, i cili mësohet se u ka dërguar shkresa Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme  dhe bankave për verifikimin e  pasurive te personave që do të kalojnë në sitë.  Procesi i vettingut do të fillojë në shtator ku të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët do të kalojnë në filtrat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, të asistuar ngushtësisht nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit. ONM shpalli edhe vendet e lira të punës për ekspertë ligjorë dhe staf administrativ të cilët do të bëjnë të mundur asistimin në procesin e vettingut. Por një pjesë e gjyqtarëve të lartë i kanë shpëtuar këtij procesi duke zgjedhur të japin dorëheqjen pas mbarimit të mandatit, ndërkohë që ligji e ka të parashikuar të qëndronin në detyrë deri në zëvendësimin e tyre. Bëhet fjalë për katër anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe një të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kanë preferuar ta evitojnë vettingun.