Vendimi i Kishës Katolike – Në Shkodër nuk do të ketë më martesa ditën e dielë

Nga janari i 2018-es, në dioqezën Shkodër – Pult, në të gjitha kishat katolike nuk do të celebrohen më martesa ditëve të diela. Vëndimi i marrë nga drejtuesit e kësaj dioqeze ka ardhur pas diskutimeve të nisura prej kohësh dhe sipas famullitarit të Shkodres dom Artur Jaku, arsyet që sollen këto ndryshime janë disa, mes të cilave edhe ai i kthimit tek tradita e hershme e përpara viteve 90, ku dasma bëhej të henave.

Dom Artur Jaku, famullitar i Shkodrës: Historikisht dasmat në Shqipëri nuk janë bërë të dielën, por të hënën. Kjo histori, sidomos kremtimi i martesës ditën e dielë është një histori që ka filluar pas 1990. Besoj se rikthimi në tradiën e Kishës që martesat të kremtohen të hënën  do japë mundësi besimtarëve që ta përjetojnë më mirë.

Aktualisht në një ditë të diele korriku apo gushti, numri i martesave shkon nga 10 deri në 20 në ditë dhe ky fluks është i papërballueshem edhe për vetë kishën.

Dom Artur Jaku, famullitar i Shkodres: Ka një volum të jashtëzakonshëm martesash, sidomos në korrik-gusht në famullinë e Shën Shtjefnit kremtohen 15-20 martesa të dielën. Është një volum që i kalon  mundëstitë e një meshtari për të kremtuar martesat. As unë si meshtar nuk i jap solemnitetin e duhur një martesë kur unë kam një numër të lartë martesash.

Besimtarët e kanë pritur mirë lajmin thotë famullitari i Shkodres, i cili shpreson që në një të ardhme të afërt, vendimi të unifikohet për të gjitha kishat katolike në vend.

Dita e Diele njihet nga kisha si festë e urdhëruar, prandaj duhet te nderohet e t’i kushtohet vetem Zotit me pranine e çdo besimtari në meshë, thuhet në vendimin e dioqezes Shkoder – Pult.

Bepin Kolvataj/Oranews.tv/