Veliaj: Tirana ka një mln banorë, 1 mln probleme, por edhe 1 mln mundësi

Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot projektet e zhvilluara brenda 1 viti, ku ka folur edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi më shumë se një vit më parë, po zhvillohej fushata elektorale dhe po skanoheshin problemet në çdo lagje të qytetit.

Veliaj: Përpara një viti, në këtë muaj, në këtë datë, ne të gjithë ishim në fushatë. Ishim dy javë përpara zgjedhjeve dhe po debatonim se si do ta bënim fushatën. Për të bërë një fushatë tipike; ne jemi më të mirë se ata. Apo për të bërë për herë të parë një fushatë ku do të skanohej për herë të parë për kanalizimet e hapura, për pusetat e prishura, etj.

Ai ishte stili i fushatës që njerëzit donin. Ashtu siç bëmë fushatë, ashtu bëmë edhe punën. Unë besoj se është shumë e rëndësishme se për të gjithë ata që janë skeptikë me politikën, duhet të kuptojnë diçka në këtë mes; politika, vota, vendimi se kush duhet ta bëj këtë punë bën diferencën. U duk qartë! Dua të falënderoj sot ato katër forca kryesore që më dhanë mua besimin, Partinë Socialiste, Lëvizjen Socialiste për Integrim, PDIU dhe FRD-në.

Tirana ka 1 milion banorë, kjo do të thotë se ka edhe 1 milion probleme, kjo do të thotë se ka edhe 1 milion mundësi. Në qoftë se e shikojmë si një mision të pamundur, 24 njësitë që janë bashkuar në një bashki  të re të qytetit të Tiranës, një qytet nga 42 klm katror, është sot në 1120 km katror, i rritur 30 për qind me popullsi, sigurisht që sfida është më e madhe.