Vartësit e Bashës në PD rrëzojnë Selamin dhe Patozin: S’i shtyjmë zgjedhjet për kryetar

Nënkryetarët Spaho dhe Paloka zbardhin procedurën që do të ndiqet në zgjedhjet për kryetarin e ri

Partia Demokratike përmes dy nënkryetarëve, Edi Paloka dhe Edmond Spaho ka rrëzuar kërkesën e dy kandidatëve për drejtimin e së djathtës, Eduard Selamit dhe Astrit Patozit për dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe shtyrjen e zgjedhjeve të parashikuara për në 22 korrik. Në një deklaratë për mediat të shpërndarë nga zyra e shtypit e selisë blu, Paloka dhe Spaho shprehen se zgjedhjet mbahen një herë në katër vite dhe për këtë arsye shtyrja e tyre bie ndesh me statutin, pasi të fundit janë zhvilluar në 22.07.2013, prandaj të radhës do të zhvillohen fiks në 4 vite, 22.07.2017. Ndërsa përsa i përket faktit se kush duhet ta hapë garën, ata deklarojnë se një kompetencë të tillë nuk e ka Kryesia, sikur pretendon Patozi. “Procesi i shpallur i garës për Kryetarin e PDSH është normal dhe bazuar në statutin e saj. Kryetari i Partisë, bazuar në nenin 43, pika 2 ka autorizuar delegimin e të gjithë vendi-marrjes organizative të dy Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kompetencat e Kryesisë së PDSH përcaktohen në nenin 40, pikat 1 deri 9. Në asnjë prej tyre nuk parashikohet e drejta e Kryesisë për të hapur garën për Kryetar Partie. Koha e zgjedhjes së Kryetarit të PDSH dhe organeve të tjera të saj përcaktohet në nenin 58 të Statutit: “Të gjitha organet e Partisë duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet. Sikurse dihet zgjedhjet e fundit janë zhvilluar me 22.07.2013. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen me 22.07.2017. Ne nuk mund të plotësojmë kërkesa që nuk parashikohen apo janë në kundërshtim me statutin, dhe as të ndryshojmë statutin e PDSH. Ne garantojmë që brenda kompetencave tona do sigurojmë për çdo kandidat një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të PDSH”- thuhet në deklaratën e tyre. Për sa u përket kandidaturave, në përfundim të afatit të vendosur për dorëzimin e tyre, ata shprehen se kanë paraqitur dokumentacionin në sektorin e Organizimit disa kandidate, pa i publikuar emrat, ndërsa sot do të mblidhet Kryesia e PDSH per te miratuar kandidaturat qe do te garojnë. Përmes deklaratave, Patozi dhe Selami kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve për në shtator për të pasur më shumë për analizë për humbjen dhe për fushatë, ndërsa Basha të japë dorëheqjen nga partia dhe jo të ngrijë funksionet. Deri tani Basha, Selami dhe dy anëtarët kanë dorëzuar kandidaturat, ndërsa Patozi deklaroi se e ka dorëzuar dokumentacionin me kusht, që të të japë dorëheqjen Basha.

Deklarata e plotë

Në përfundim të procesit të paraqitjes së kandidaturave për Kryetar të PDSH, kanë paraqitur dokumentacionin në sektorin e Organizimit disa kandidatë. Sot do të mblidhet Kryesia e PDSH për të miratuar kandidaturat që do të garojnë për Kryetar të PDSH. Në lidhje me disa pretendime të ngritura gjatë këtij procesi sqarojmë: 1. Çdo kandidat paraqet kërkesën e tij në sektorin e Organizimit të PDSH. Statuti i PDSH, dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë; 2. Procesi i shpallur i garës për Kryetarin e PDSH është normal dhe bazuar në statutin e saj. Kryetari i Partisë, bazuar në nenin 43, pika 2 ka autorizuar delegimin e të gjithë vendimmarrjes organizative të dy Nënkryetarët dhe Sekretari i Pergjithshëm; 3. Neni 30, pika 2, flet për paraqitjen e kandidatëve për pushtet qendror dhe vendor: “Kryesitë e Degëve vendosin për kandidaturat e Këshilltarëve vendorë. Për bashkitë e kategorisë së parë, lista e këshilltarëve të përgatitur nga kryesitë e Degëve miratohen nga Kryesia e PDSH.” Kompetencat e Kryesisë së PDSH përcaktohen në nenin 40, pikat 1 deri 9. Në asnjë prej tyre nuk parashikohet e drejta e Kryesisë për të hapur garën për Kryetar Partie; 4. Koha e zgjedhjes së Kryetarit të PDSH dhe organeve të tjera të saj përcaktohet në nenin 58 të Statutit: “Të gjitha organet e Partisë duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet. Sikurse dihet zgjedhjet e fundit janë zhvilluar me 22.07.2013. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen me 22.07.2017; 5. Databaza e partisë krijohet dhe administrohet në përputhje me statutin e PDSH. Neni 13/1 përcakton detyrimin e mbajtjes së Regjistrit elektronik dhe pika 2 e këtij neni thotë: “Rregullat e hollësishme për formatin e regjistrit, administrimin, dhe aksesimin e tij përcaktohen me vendim të Kryetarit të Partisë. Në vendimin e dy nënkryetarëve të partisë për hapjen e garës për Kryetarin e PDSH përcaktohet se në votim do të marrin pjesë vetëm ata të cilët janë anëtarë të PDSH deri në datën 28.06.2017. Që nga data 28.06.2017 në PDSH nuk ka pasur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj. Listat e anëtarësisë administrohen sipas statutit dhe rregullave të përmendura më sipër. Çdo degë e PDSH ku do votohet për Kryetarin e PDSH do marrë në avancë në përputhje me vendimin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale kopje të listës së anëtarësisë së Degës së saj të cilën ajo e disponon edhe në Degë. Listat e votimit sipas përcaktimeve në statut do administrohen nga komisioni i votimit i cili kryesohet nga Kryetari ose Sekretari i Degës dhe anëtarë të tjerë që i zgjedh Kryesia e Degës. Çdo kandidat do të ketë vëzhgues në çdo komision votimi. Çdo Degë e PDSH administron databazën e anëtarësisë së saj. Çdo ndryshim në Databazën në qendër bëhet vetëm me kërkesën zyrtare të Degës shoqëruar me dokumentacionin e plotë të anëtarit që shtohet apo largohet; 6. Komisioni i Organizimit dhe kontrollit të Operacioneve Elektorale, përbërja e tij dhe kryesimi krijohen në bazë të nenit 46 të statutit dhe është kompetencë e Kryesisë së PDSH. Sipas pikës 2 të këtij neni ai ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar dhe territorial dhe siguron rregullsinë e tyre. Ai ndërhyn në zgjidhjen e çështjeve elektorale në Degët e Partisë në përputhje me aktet e nxjerra për këtë qëllim. Ai përgjigjet përpara Kryesisë së Partisë. Në këto rrethana ne si drejtues të PDSH nuk mund të plotësojmë kërkesa që nuk parashikohen apo janë në kundërshtim me statutin, dhe as të ndryshojmë statutin e PDSH. Ne garantojmë që brenda kompetencave tona do sigurojmë për çdo kandidat një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të PDSH.