Vapë dhe zjarre në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi: Janë djegur 50 ha pyje, kullota e shkurre

Megjithe uljen e temperaturaturave, ne vend përgjatë 24 orëve të fundit ka patur 9 vatra zjarri në banesa, një magazinë dhe pyje e kullota.Emergjencat Civile bejne me dije se për pasoja pati dëme materiale, kryesisht në banesa private dhe një biznes.“Emergjencat Civile kanë angazhuar 14 mjete zjarrfikëse në këto 9 raste zjarri dhe rreth 70 forca për të ndërhyrë dhe vënë nën kontroll flakët dhe minimizuar dëmet; ndër to 30 zjarrfikës, 30 pjesëtarë të forcave të armatosura dhe rreth 10 policë të FNSH”- thuhet ne njoftim.Sipas Emergjencave, zjarret në banesa dhe biznes privat kanë rënë në Tiranë, Shkodër dhe Dibër.Ndërsa në qarkun e Elbasanit dhe Fierit janë konstatuar 4 vatra zjarri në shkurre dhe kullota me dëme të konsiderueshme, kryesisht djegie të pishave.Emergjencat Civile u bëjnë thirrje qytetarët, që në këto ditë me temperatura të larta të bëjnë kujdes maksimal dhe nëse konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo 0694110198, pasi ndërhyrja në kohë shmang pasojat e rënda.

Rreth 50 hektarë pyje, kullota dhe shkurre janë djegur nga zjarret deri tani. Shifra u bë me dije nga Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, sipas të cilit dëme të konsderueshme ka edhe në dru frutorë. I ftuar në Ora News ai tregoi dhe zonat me risk më të lartë ndaj zjarreve.

Prençi: Në pyje dhe kullota sasia ka shkuar në rreth 50 hektarë pyje, kullota dhe shkurre. Kurse në pemë frutore janë djegur rreth 800 rrënjë ullinj dhe 300 rrënjë dru frutore, kryesisht në rajonin e Beratit dhe Fierit. Zonat më problematike janë ajo e Fierit, e Vlorës, Elbasanit, Beratit dhe Skraparit. Vatra zjarri kemi pasur dhe në kurorën e liqeneve të Lurës, në Pregj Lurë, zonë shumë e largët për të ndërhyrë.

Deri në momentet që po flasim të gjithë zjarret janë fikur përmes operacioneve të strukturave operacionale të shërbimit zjarrëfikës, emergjencave civile duke u mbështetur në disa operacione dhe nga forcat e ushtrisë dhe policisë. Por për zjarret në zonat malore dhe tepër të thyera do të lindë nevoja dhe për operacionet nga ajri përmes mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanive private që tashmë jemi në procesin e mbylljes së kontratave për ti përdorur kur do të diktojë situata.

Kontakte të vazhdueshme Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile mban dhe me ERCC, Qendrën e Menaxhimit të Krizave për Europën, të cilët herë pas here na ofrojnë ndihma kur zjarret marrin përmasa të mëdha.Kemi kontaktuar këto ditë dhe me homologët e rajonit, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë për të mbajtur nën kontroll dhe mirëorganizuar operacionet për fikjen e zjarreve që do shfaqen në vijat kufitare me vendet e fqinje.

Sipas Prençit situata pritet të përkeqësohet me rritjen e temperaturave në vijim, ndërsa apeloi barinjtë dhe turistët të jenë më të kujdesshëm.

Prençi: Kemi një verë me shumë pak reshje, kemi një verë me thatësi, me temperatura të nxehta që qoftë zjarret që shkaktohen nga vetë natyra por dhe nga pakujdesia e barinjve dhe turistëve siç ishte rasti i Gjirit të Lalzit dhe Durrësit, tregon që kemi të bëjmë me zjarret që vinë nga pakujesia e turistëve.

Drejtori i Emergjencave tha se po kordinohet puna me bashkitë dhe prefekturat në shkallë vendi për të përballuar jo vetëm emergjencën e zjarreve por dhe atë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Prençi: Kemi informuar rreth raportit të Gjeoshkencës bashkitë dhe prefekturat qoftë për rrezikun e zjarreve apo dhe ujin e pijshëm.Kryesisht për ato bashki që furnizimin me ujë e kanë në burime natyrore në lartësinë mbi 600 metër. Do kenë problematika gjatë kësaj vere.E kemi ngritur problemin prej 15 ditësh. Një pjesë e bashkive kanë marrë masa dhe kanë ngritur task-forca për të ndëshkuar keqpërdoruesit e ujit të pijshëm, biznese private apo fermerë.