Vajza e liderit të Lëvizjes Studentore “Dhjetori ’90”, Rudina Hajdari replikon me analistin Mustafa Nano

Ngritja e shtatores së Azem Hajdarit në Bajram Curri ishte ngjarja e fundjavës. Personalitete të shumtë nga Shqipëria, dhe gjithkund ka shqiptar ishin të pranishëm ditën e inaugurimit të asaj që do të quhej “kthimi” i Hajdarit. Lajmi u përcoll dhe u prit si një mirënjohje për kontributin që Azem Hajdari ka dhënë për erën e re të demokracisë shqiptare. E merituar ose jo kjo mirënjohje, ndoshta nuk i takon shumë personave që ta marrin këtë rol vlerësues, për pak ata, si Mustafa Nano. Se cili ishte roli që luajti Azem Hajdari në atë kohë të vështirë, por vendimtare për fatet e vendit, këtë më mirë se Nano e di vetë historia, e vërteta, dëshmitarë e atyre ditëve të tensionuara.  Në atmosferën e këtij solemnitetit për vlerësimin e Hajdarit, dikush si Mustafa Nano ka zgjedhur të bëjë protagonistin, duke u pozicionuar në anën e kundërt.

Kështu e nis shkrimin e tij të radhës në gazetën Mapo, analisti Mustafa Nano.

“Unë e kam njohur Azem Hajdarin. E kam takuar disa herë nëpër aktivitete të PD-së para vitit 1994. Por mua nuk më ngrohu asnjëherë si personazh. Dhe këtë nuk e them me asnjë lloj animoziteti. Sepse s’kam pasur kurrë asgjë personale kundër tij. Madje, në planin personal e human, në ato pak takime që kam bërë me të krejt rastësisht, më ka mbetur një shije e mirë. Ishte i gjallë, spontan, ekspansiv. Por përtej këtyre cilësive të zakonta, ishte e zorshme të shihje tek ai diçka që të mbetej në mendje. Për më tepër, ai nuk kishte asgjë, absolutisht asgjë, që të të bënte ta shihje si përfaqësuesin ekselent të një gjenerate, a të një kohe, a të një përmbysjeje. Nuk kishte në të asgjë prej heroi. Për mua, të paktën. Sepse heronjtë në kokën time nuk janë si Azemi. Heronjtë në kokën time janë e kundërta e Azemit. Dhe këtë nuk e them për të balancuar peshoren, që ka mbetur e ulur më njërën anë, nën peshën e lëvdatave të kota për Hajdarin. Jo, e them në mënyrën më të ftohtë e më të çinteresuar të mundshme, me idenë për t’i dhënë aq sa i takon”.

“Shumë i zakonshëm. Me prerje e poza prej të forti. Me IQ të ulët. Mund të thuhet që kishte nuhatje politike, dhe kjo e ndihmoi që të spikaste, por nuk i vlejti për të bërë karrierë, dhe aq më mirë që ndodhi kështu. Azemi nuk e meritonte një zyrë shteti. Nuk ishte njeri për zyrë. Do kishte bërë shumë të pabëra, nëse do i kishin dhënë një përgjegjësi publike. E nëse nuk ia dhanë, këtë e kanë bërë edhe për të mirën e tij. Pa e pasur si qëllim të mirën e tij. Sepse Berisha, që e kish në dorë për t’i dhënë një përgjegjësi, e kishte si halë në sy. Dhe ish për këtë arsye që nuk ia dha një post, e jo sepse nuk e përfytyronte dot Azemin në një zyrë. Në fund të fundit, Azemi do ishte një zyrtar më i denjë se shumë të tjerë që Berisha i ka zgjedhur më pas për t’i patur vartës. Nuk e kishin për qëllim të mirën e tij, por ata që e kanë dashur dhe e duan Azemin si personazh të historisë, duhet të jenë të kënaqur që ai nuk mori një post publik. Nuk kish për të qullosur gjë. Madje, do kish katranosur gjithçka. E kështu, idhulli i tyre do të humbiste edhe më”.

“Azemi vetë nuk kishte ideal. Jo për ndonjë gjë, por ai as që e dinte se çfarë ishte një ideal. Nuk iu desh shumë kohë për të na e provuar këtë. Në harkun e dy viteve, ai u zhvlerësua. U braktis. U bë një njeri i pafuqishëm. E filloi të bëjë lëvizje të çakërdisura, të cilat i kishin hije më shumë sesa gjesti trimëror që bëri, bashkë me qindra të tjerë, në dhjetor të vitit 1990. E do kish humbur pa nam e nishan, nëse nuk do ndodhte viti 1997, në të cilin Berisha pati nevojë për të. Dhe e riafroi. Dhe e përdori. Dhe vijon ta përdorë edhe sot. Duke e bërë hero. Nëse Berisha do kishte patur mendim të mirë për Azemin, do kish rihapur gjyqin në mënyrë që t’ia pastronte biografinë prej sentencës së dhënë në një sallë gjyqi. Të gjithë kanë premtuar se do ta rihapnin atë gjyq, por nuk e bënë. Askush nuk tregoi as interesin më të vogël, as njerëzit e familjes, as njerëzit e partisë, as miqtë e tij. Dhe kështu, Azem Hajdari ka mbetur e do të mbetet në kujtesën juridike të shtetit shqiptar si një njeri që është vrarë për gjakmarrje. Dhe ky vendim i Gjykatës së shkallës së parë është konfirmuar edhe në shkallët e epërme të gjykimit. Ishin gjykata të kontrolluara nga të kuqtë? Ok, edhe mund të ketë qenë kështu. Por më pas, Berisha e të vetët, kanë ardhur e kanë qëndruar gjatë në pushtet. Çdo gjë bënë, por jo rigjykimin e asaj çështjeje. E kështu ne kemi sot një “hero” që është vrarë për gjakmarrje. Dhe nuk është hero si të gjithë heronjtë. Përkundrazi, matur me masën e bronzit të harxhuar për të, është më i madhi i heronjve. Është hero, për të cilin janë ngritur disa statuja e memoriale në Shqipëri. Për sa u takon statujave, ato janë më të mëdhatë, pas asaj të Skënderbeut, në këtë vend. Dhe mjafton ky fakt për ta butaforizuar krejt figurën e Azem Hajdarit”. Ky është pak a shumë çfarë Mustafa Nano ka shkruar në shkrimin e tij të titulluar: Kur vendin ta mbushin me statuja të Azem Hajdarit

Me të drejtë trashëgimtarja, Rudina Hajdari, tashmë deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisëzgjedh t’i kundërpërgjigjet Mustafa Nanos, si vijon:

Rudina Hajdari

Cili je ti Mustafa Nano?

Kush është ky Mustafa Nano për të gjykuar se kujt i ngrihet apo jo statuja? Ky një ish kandidat i dështuar të Partisë Demokratike që zvarritet në dështimin e tij, si në ujërat e gazetarisë ashtu edhe të politikës përmes një sulmi ndaj Azem Hajdarit?

Mustafa Nano e fillon sulmin e tij ndaj AzemHajdarit duke thënë se ” e njoh AzemHajdarin”. Dëshiroj të theksoj se nuk e kam takuar asnjëherë Mustafa Nanon. Emrin e tij e kam dëgjuar në mënyrë të turbullt derisa u njoha me sulmin e tij të ulët ndaj AzemHajdarit. Azem Hajdari i dha lirinë Shqipërisë, përmes trimërisë, vetëbesimit, dinjitetit dhe moralit. Mustafa Nano njihet gjerësisht si një bloger ambulant. Sulmi i tij ndaj Azem Hajdarit- publikuar në 28 tetor- shënoi një nivel tjetër të ulët të Mustafa Nanos në turra vrapin e tij mediatik drejt batakut.

Mustafa Nano është një “blogger”, i vetëshpallur “analist politik”, i cili tek-tuk shfaqet në ekranet televizive për të dhënë “mendimet” e tij mbi aktualitetin. Konkurrenca për të marrë sa më shumë like është e lartë. Me mijëra artikuj botohen në gazetat, revistat e portalet online dhe blogerët si Nano kërkojnë vëmendje nga audienca.

Për të fituar lejueshmëri dhe klikime, Nano përdor disa teknika të veçanta. Ai shkruan për të goditur. Shenjestra e radhës e sulmeve shpifëse dhe të pabaza të tij ishte Azem Hajdari. Fill pas përurimit të shtatores në Tropojë, Mustafa Nano shkroi një artikull se pse Azem Hajdari nuk e meriton një statujë. Qartazi, z.Nano e konsideron veten të kualifikuar për të vendosur se kush e meriton apo jo një statujë.

Shqipëria ka nevojë për një media të lirë – të gjithë kanë të drejtë të komentojnë e të flasin për të vërtetën. Media është shtylla e pestë e demokracive funksionuese e ka si mision të përcjellë tek publiku vetëm të vërtetën. Në Mbretërinë e Bashkuar zbatohet vullnetarisht një kod gazetaresk, ku gazetat nuk raportojnë mbi ngjarjet që janë në proces gjyqësor. Gazetat europiane angazhohen për të mbrojtur identitetin e burimeve të tyre- për të ndalur riskun e përndjekjes për ata që kontribuojnë në një artikull. Sisteme të ngjashme ekzistojnë në vendet perëndimore, si Hollandë, Gjermani dhe SHBA. Kur po e diskutoja këtë artikull me gazetarë të mediave ndërkombëtare, përgjigja e tyre ishte paekuivok- një shembull se si të shkruash një artikull për të ofenduar dhe denigruar figurën e një personi dhe nuk është një shkrim për t’ubotuar, si nga ana ligjore ashtu edhe nga etika gazetarske.

Nuk ja vlen ta njohësh në imtësi lexuesin me punën e Mustafa Nanos, mjafton të klikosh në  Google emrin e tij për t’u njohur me masën e disinformimit dhe shpifjes që bartin shkrimet e tij. Kushdo që e lexon, e kupton se nuk është Dickens, Shakespeare, Kadare apoTolstoi. Ndyshe nga esetë e Graham Grëne, që i karakterizonte personazhet e tij me elegancë apo editorialistët e revistave amerikane si Truman Capote, i cili portretizonte profilin e personaliteteve përmes një analize të pastër, Nano shkruan për të goditur. Mesa duket, artikujt përbaltës janë specialiteti i vetëm i tij. Ai nuk do të fitojë ndonjë çmim ndërkombëtar në gazetari për këtë dhe kjo shpjegon se pse shkruan në mënyrë kaq disinformuese. Gazetarët britanikë i konsiderojnë  këto artiujsi të Nanos si “gazetari për faturat e dritave”.

I shpërdoruar politikisht në oborrin e të majtës dhe I braktisur në qoshkun e harresës  sëpublikut, Mustafa Nano bluan një sërë mizerish. Me ingredientë të urrejtjes nda vendit te tij, ai “pudrosi” opinionin publik me pluhurin e intolerancës fetare. Filloi të sulmonte librat e shenjtë të Biblës dhe Kuranit,  merrte fraza nga wikipedia dhe ish përdridhte sipas oreksit të tij për të sulmuar një nga virtytet më të mëdha të shqiptarëve, tolerancën fetare.

Si një kasnec përbaltosës, i injoruar nga publiku, ai filloi të merrej me figurën kombëtare e ndërkombëtare të Skënderbeut, duke përdorur citate nga qarqet e errëta serbe për të çmontuar figurën e Skëndërbeut nga origjinaliteti i të qenit shqiptar.

Me një publicitet të pakët në media, i hidhuri Nano duket xheloz. Ai është i pafuqishëm dhe kapi rastin për të shpërthyer xhelozinë e tij ndaj atyre që e adhurojnë AzemHajdarin. Në vend që të shprehte sado pak mirënjohje për lirinë që i dha Shqipërisë, Nano bën çmos për ta ofenduar.

E ndërsa Shqipëria ka një sërë problemesh, një nga arritjet më të mëdha të vendit është të paturit e një sistemi politik që s’i le hapësirë platformave ekstreme të djathta apo të majta. Por, Nano bën përjashtim. Ai është nga ata që abuzojnë moralisht dhe ofendojnë për të tërhequr vemendjen.  Shtatoret përfaqësojnë një histori të gëzueshme në historinë tonë të dhimbshme. Nano u angazhua për ta prishur këtë moment-mbase për shkak se puna e tij do të përfundojë në gjirizet e  Google-it. Sot atij mund ti duketvetja i njohur, por nesër do të harrohet ndërsa  Azem Hajdari do të jetojë përgjithmonë.