Efektivët e Batalionit të Xhenios të Forcave të Armatosura përfunduan ndërtimin e një ure “bailey”, në fshatin Viçidol, në Bashkinë e Tropojës, e cila prej rreth 30 vitesh kalohej me mjete primitive nga banorët.
Në përfundimin e punimeve për ndërtimin e kësaj ure ishte e pranishme dhe ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, e cila u shpreh se përgjigjja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura erdhi në kohë rekord pas marrjes së kërkesës nga kryetari i bashkisë.
“I jemi përgjigjur pozitivisht një vit e gjysmë përpara ku pikërisht në këto treva, në këto zona ndërtuam një urë tjetër që ka ardhur në ndihmë të komunitetit. Ne kemi bërë pothuajse tashmë qindra ura në të gjithë Shqipërinë. Kemi katër vjet që po punojmë fort. Këtë po e bëjmë për dy arsye madhore. E para, Forcat e Armatosura duhet të kenë një aksesueshmëri për lëvizjen e tyre në të gjitha zonat e Shqipërisë kudo që ato ndodhen dhe e dyta, në këtë mënyrë ndihmojmë edhe komunitetin, ju vijmë në ndihmë banorëve dhe këtë e bëjmë me dëshirën dhe besimin e plotë që jemi duke bërë gjënë e duhur”, u shpreh zonja Kodheli.

