URAGANI DEMOKRAT MBERRIN NE KAVAJE/ Basha: Rama përpjekje t’i ngjitet trenit të fitores së Republikës së Re, nuk ka vend për të

TIRANË, 20 Qershor/ATSH/ARBIN FORTUZI/-. Kreu i  Partisë Demokratike, Lulzim Basha  deklaroi sot nga Kavaja se plani ekonomik i Republikës së Re ka mbështetje të plotë në Europë dhe Amerikë.

Sipas Bashës, Rama e ka të qartë se shqiptarët do ta marrin vendimin për veten e tyre, kundër Oligarkisë.

“Ai po bënë çdo përpjekje, të ngjitet si vagoni i fundit në trenin e fitores së Republikës së Re. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në këtë tren për Ramë…Ky tren do të marri përpara korrupsionin, abuzimin dhe oligarkinë, pasi ky është treni i ndershmërisë dhe qytetarëve”, tha Basha.

Sipas tij, ky tren ka si qëllim ekonominë e fortë, që nuk mund të vijë me tarifa të larta arsimore, çmim të lartë nafte, apo  taksa në rritje gjithnjë e më shumë.

“Të dielën do mbështesni të ardhmen tuaj. Bëhuni lajmëtarë të ngjarjes së madhe të mbërritjes së Republikës së Re të qytetarëve. Republika që ka prioritet, prioritet e qytearëve, ekonominë e shqiptarëve dhe të nesërmes tuaj”, tha Basha.