Ukraina arreston dhe i sekuestron një arsen armësh një të dyshuari që kishte planifikur sulme terroriste në Francë

Në Ukrainë, shërbimi i sigurimit të shtetit tha sot se një shtetas francez i arrestuar në fund të muajit maj në kufirin me Poloninë, kishte planifikuar sulme në Francë. Zyrtarët thanë se sulmet ishin planifikuar të ndërmerreshin gjatë kampionatit europian të futbollit, që fillon pas pak ditësh.

Të shtunën shërbimi i rojes kufitare ukrainase raportoi se 25-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte arrestuar me një arsenal armësh dhe eksplozivësh në automjetin e tij, duke përfshirë raketahedhës dhe pushkë Kallashnikov.

Shefi i Shërbimit të sigurimit të shtetit Vasily Gritsak tha se personi kishte marrë kontakt me grupe të armatosura në Ukrainë për të blerë armë dhe eksplozivë.

“Në dhjetor 2015 mësuam se një shtetas francez mbërriti në Ukrainë me pretendimin se donte të ofronte ndihmë vullnetare. Por ai filloi të shprehte interesim për të blerë armë, eksplozivë dhe mjete të tjera të shkatërrimit”, tha zoti Gritsak.

Prefekti i Policisë së Parisit, Michel Cadot, refuzoi të komentonte sot mbi raportin e agjencisë ukrainase të sigurimit. Ai tha se Franca është gati për ndeshjet e EURO 2016-s.

Franca po aktivizon 90.000 forca sigurie për këtë ngjarje të rëndësishme sportive. Presidenti francez François Hollande, tha të dielën mbrëma se kërcënimi i sulmeve nuk do ta pengojë kampionatin të zhvillohet me sukses.

VOA