Udhëheqësit e BE-së, arritën marrëveshje për çështjen e migracionit në orët e hershme të së premte

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për çështjen e migracionit në orët e hershme të së premtes, pas një debati të gjatë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se marrëveshja është “një lajm i mirë”.

“Evropa nuk është ishull. Dhe ne duhet të jemi në gjendje ta përballojmë këtë sfidë, duke u mbetur besnikë vlerave tona dhe duke mbrojtur njerëzit tanë dhe stabilitetin tonë kombëtar. Sot ne ndërmorëm një hap të rëndësishëm. Shumë kishin parashikuar se marrëveshja ishte e pamundur, se zgjidhjet e veçanta të vendeve do të triumfonin. Sot ne patëm sukses me gjetjen e një zgjidhjeje evropiane dhe një mënyrë për të bashkëpunuar. Faleminderit”, tha presidenti Macron.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shkroi në rrjetin twitter se 28 udhëheqësit e 28 vendeve të BE-së u pajtuan për një kompromis, që ishte në qendër të takimit dyditësh.

Sipas marrëveshjes, do të ngrihen qendra të pritjes për migruesit dhe strehim kërkuesit në vendet anëtare të BE-së që paraqiten vullnetare për një gjë të tillë.

Italia kishte bllokuar miratimin e çfarëdo marrëveshjeje në takimin e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke kërkuar që blloku të ofrojë më shumë ndihmë për krizën e migrimit me të cilën përballe Roma.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se Italia do të vendosë më vonë nëse do të ketë ndonjë qendër pritëse.

Qeveria populliste italiane që sa ka mbushur një muaj të mandatit të saj, kishte refuzuar të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje duke kërkuar veprimin e vendeve evropiane për ta ndihmuar atë që të përballet me migruesit dhe refugjatët që arrijnë në Itali nga Afrika Veriore.

“Italia ka nevojë për veprime konkrete”, tha kryeministri Conte.

Pjesëmarrësit e takimit planifikojnë të ngrenë mjedise të shqyrtimit në vendet e Afrikës së Veriut për të ngadalësuar rrjedhën e njerëzve që kalojnë Detin Mesdhe për të arritur në BE, shpesh përmes Italisë. Ndonëse asnjë vend nuk ka rënë dakord të mbajë qendra të tilla, udhëheqësit e BE-së shpresojnë t’i tërheqin ata me paratë e ndihmës.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, numri i migruesve që vijnë në Evropë nga Deti Mesdhe ka rënë dukshëm nga mbi një milion në vitin 2015 në rreth 172,000 vitin e kaluar. Numri i të ardhurve nga deti këtë vit ka qenë 44,000 deri tani. Popullsia e BE-së është rreth 510 milionë banorë.

Para takimit, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, shkroi në një letër se numri i kalimeve të paligjshme të kufirit ka rënë me 96% që nga kulmi i krizës.

Politikat e zbatuara deri më tani kanë ndihmuar për ta ulur këtë numër, ndër to një marrëveshje e arritur me Turqinë për të ndërprerë shtigjet e emigracionit, si dhe për të ripranuar ata që ja dalin të kalojnë drejt Greqisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila në kulmin e krizës u radhit mes mbështetësve të politikës për të mirëpritur emigrantët, ndodhet tashmë nën trysni nga kritikët në vendin e saj, të cilët thonë se Gjermania ka qenë më tepër mikpritëse se ç’duhet.

Ajo i tha parlamentit të enjten para se të nisej për në Bruksel se ajo mori vendimin e duhur në një situatë të jashtëzakonshme, por që me situatën aktuale, Bashkimi Evropian duhet të vendos kontrolle më të rrepta. Kancelarja Merkel tha se ndërkohë që ka ndarje midis vendeve anëtare, ata janë të bashkuar në nevojën për të shkurtuar migrimin, për të ndaluar kontrabandistët dhe për të forcuar kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian.

VOA