Uashingtoni dhe Londra donin një Shqipëria pa Enver Hoxhën dhe një qeveri që do të përfaqësonte gjithë popullin shqiptar

Nga ana tjetër, Uashingtoni dhe Londra, dëshironin që Shqipëria të mbetej e pavarur me një qeveri që do të përfaqësonte gjithë popullin shqiptar. Prandaj qëllimi kryesor i politikës amerikane ishte përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri. Por diplomatët amerikanë që ndiqnin nga afër zhvillimet në Shqipëri, nuk shikonin ndonjë perspektivë të afërt në realizimin e këtij objektivi, madje as forcën politike që do të merrte në dorë fatet e vendit. Komiteti Shqipëria e Lirë i cili mbante një qëndrim properëndimir ndoshta mund të favorizonte më shumë politikën amerikane në Shqipëri, por amerikanët vazhdonin të ishin skeptikë dhe të kishin rezerva serioze për mundësitë potenciale që kishte ai për të luajtur rolin e një qeverie të ardhme në Shqipëri. Prandaj amerikanët mendonin që një grup projugolsllav brenda vendit do të ishte më i përshtatshëm në këto kushte për të marrë përsipër një mision të tillë dhe do të pranohej më lehtë nga Perëndimi, madje dhe nga vetë populli shqiptar.
Këto analiza çonin Uashingtonin në përfundimet e mëposhtme: E para, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca do të mbanin një qëndrim të përbashkët politik ndaj Shqipërisë. E dyta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënin ç’ishte e mundur, me rrugë kryesisht diplomatike, për të dobësuar regjimin komunist në Shqipëri, për të ndihmuar sa më shumë çështjen greke. E treta, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore paralajmëronin Athinën dhe Beogradin që të mos ndërmerrnin asnjë veprim të armatosur kundër Shqipërisë me qëllim copëtimin e saj. E katërta, do të përpiqeshin që t’i masnin pulsin Titos se cilat ishin qëllimet dhe planet e tij afatshkurtra në Shqipëri. E pesta, në rast se në Shqipëri shpërthenin revolta e lëvizje kundër pushtetit në fuqi, kishte shumë gjasë që Shqipëria të shkëputej nga tutela e Kremlinit, çka përbënte qëllimin dhe objektivin themelor të Uashingtonit për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bënin ç’ishte e mundur për të penguar çdo përpjekje të Romës, Athinës dhe Beogradit për të përfituar nga gjendja dhe turbullirat që përkohësisht do të shkaktoheshin nga revoltat. E gjashta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisnin moralisht elementet antikomunistë brenda dhe jashtë Shqipërisë në luftën e tyre kundër regjimit në Shqipëri, por nuk merrnin përsipër asnjë ndihmë konkrete dhe angazhim të veçantë. E shtata, ambicjet tradicionale greke ndaj Shqipërisë nuk lejonin realizimin e objektivit bazë të strategjisë amerikane në Shqipëri që ishte dhe mbetej rrëzimi i regjimit në fuqi dhe shkëputja e Shqipërisë nga orbita sovjetike.
Raporti i State Department përbëu bazën e bisedimeve Acheson-Bevin, dy ditë më vonë në Uashington që lidhej posaçërisht me Shqipërinë. Në takim ishin të pranishëm dhe funksionarë të tjerë të lartë të State Department si edhe ambasadori amerikan në Athinë, McGhee. Në krye ministri i Jashtëm britanik, Bevin deklaroi se politika britanike ndaj Shqipërisë ishte politikë koherente armiqësore që kishte si objektiv rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Amerikanët, nga ana e tyre, vërenin se, që në vitin 1945, midis politikës amerikane dhe asaj britanike ndaj Shqipërisë kishte diferenca dhe qëndrime të ndryshme në trajtimin e mjaft problemeve shqiptare. Por si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Britania e Madhe ishin shumë aktive në Shqipëri në përpjekjet e tyre për të rrëzuar regjimin në fuqi. Acheson-i deklaroi se politika negative amerikane ndaj Shqipërisë lidhur me pranimin e saj në OKB lidhej në radhë të parë me çështjen greke, por nuk e quanin të udhës të demonstronin hapur armiqësinë e tyre ndaj qeverisë shqiptare, sepse duhet të merrnin parasysh edhe faktorin sovjetik.
Britanikët, nga ana e tyre, donin të dinin nëse ekzistonin mundësi dhe perspektiva reale për organizimin e një revolte të përgjithshme në Shqipëri kundër pushtetit dhe në rast se ekzistonin të tilla predispozita cila ishte mundësia e kurorëzimit të tyre me sukses pa gjakderdhje nga diktatura në fuqi. Acheson-i ishte kategorik duke deklaruar se në një rast të tillë Greqia dhe Jugosllavia do të ndërhynin ose të paktën do të mundoheshin të përfitonin nga turbullirat dhe trazirat e brendshme për të realizuar planet e tyre. Ai nuk përjashtonte që të dy këta të ndërhynin edhe ushtarakisht për të pushtuar Shqipërinë. Bevin-i miratonte pikëpamjet amerikane dhe vet ai shprehte të njëjtin shqetësim, por shtoi se Bashkimi Sovjetik nuk do të rrinte duarlidhur nga një qëndrim të tillë. Në këto kushte, asnjë nuk mund të bëhej garant nëse Bashkimi Sovjetik nuk do të ndërhynte në Jugosllavi për të rrëzuar Titon. Për më tepër, në epokën pas-hoxhiane, vërenin amerikanët, Komiteti Shqipëria e Lirë mund të qeveriste Shqipërinë, por deri atëherë nuk do të gjendej asnjë faktor që do t’i bashkonte këto forca në luftën e tyre të përbashkët. Gjendja, pra, paraqitej e turbullt. Të dy krerët e diplomacisë perëndimore ishin të një mendjeje se zhvillimet në Shqipëri duhet të ndiqeshin nga afër dhe të dy qeveritë duhet të mbanin të njëjtin qëndrim strategjik ndaj saj.
Me qëllim që të diskutohej teksti amerikan që i ishte dërguar Foreign Office, më 21 shtator, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe trajtuan edhe një herë çështjen shqiptare dhe në një takim specialistësh të State Department dhe Foreign Office, më 10 tetor, u konkludua se midis dy vendeve nuk kishte më diferenca të mëdha në politikën e tyre të jashtme ndaj Shqipërisë. Në takim u ftua edhe ambasadori amerikan i Beogradit C. Cannon, i cili theksoi se cilado fuqi politike që do të merrte në dorë qeverisjen e vendit, nuk mund të ishte e pavarur, për shkak të gjendjes ekonomike që sundonte në vend. Britanikët dhe amerikanët shprehnin të njëjtin qëndrim se Shqipëria nuk duhej të lihej nën tutelën absolute të Moskës. Në këtë kuadër, të dyja vendet duhet të bënin të pamundurën që Shqipëria të afrohej me Romën, Beogradin dhe Athinën. Në takim u përcaktuan qëllimet dhe strategjia afatgjatë e dy aleatëve perëndimorë ndaj Shqipërisë. Qëllimi kryesor i strategjisë perëndimore ishte dhe mbetej dobësimi i shkallëshkallshëm i regjimit të Tiranës. Shqipëria duhet të pushonte së qëni bazë furnizimi për gueriljet grekë. Të dy palët angazhoheshin që të pengonin çdo përpjekje për copëtimin e Shqipërisë nga Athina e Beogradi, si dhe të bënin çmos për afrimin greko-jugosllav si dhe afrimin e Titos me Italinë.
Për realizimin e këtyre objektivave të dyja vendet shprehnin besimin se në takimet e ardhshme me autoritetet greke dhe jugosllave, qeveria e Athinës dhe e Beogradit do të bindeshin dhe do të hiqnin dorë nga mëtimet tyre tokësore ndaj Shqipërisë, dhe nga mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake në vend. Në këtë pikë Cannon theksoi se në një takim që pati me Titon disa ditë më parë, i pat thënë se ishte në interesin jugosllav një Shqipëri e pavarur dhe pakontrolluar nga askush, por ai nuk përjashtonte aspak mundësinë që Greqia, herët a vonë, të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri për të pushtuar territoret e saj jugore, të cilat i quante toka greke. Me këtë rast vuri në dukje se pas shqetësimeve që shprehte Beogradi, State Department paralajmëroi ashpër Athinën që të distancohej nga qëndrime të tilla dhe nga ambicjet që herë pas here qarqe të ndryshme shprehnin me rast e pa rast. Në takim u vendos që aleatët perëndimorë të ndihmonin Komitetin Shqipëria e Lirë dhe emigracionin shqiptar në përpjekjet e tij për rrëzimin e regjimit të Tiranës, por pa përcaktuar mjetet dhe rrugët konkrete. U theksua, gjithashtu, se mjetet e shypit duhet të shtonin propagandën në mbrojtje të çështjes greke dhe kundër regjimit tiranik të Tiranës.
Lidhur me mëtimet greke, u vendos që ato të diskutoheshin në takimet e ardhshme diplomatike dhe qeveritare, por tani për tani nuk mund të prononcoheshin kurrsesi hapur për to dhe në favor të asnjë pale. Gjithsesi, si Londra ashtu dhe Uashingtoni u shprehën kategorikisht kundër ndryshimeve të kufijve në rajonin ballkanik, madje u përsërit pikëpamja e afrimi të mëtejshëm të dy vendeve.
Si rrjedhojë, në kuadër të strategjisë së përgjithshme amerikane për rrëzimin e E. Hoxhës, perëndimorët ranë dakort që të dërgonin në Shqipëri refugjatët politikë për të organizuar një revoltë të përgjithshme kundër regjimit. Autoritetet greke kishin dijeni të plotë për planet dhe lëvizjet e amerikanëve kundër Shqipërisë dhe ishin plotësisht dakord me objektivat e Uashingtonit. Aleksandër Papagos, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, miratoi planin amerikan për operacionin e fshehtë kundër Shqipërisë.