Turqia, tensionimi i marrëdhënieve me SHBA dhe kriza ekonomike

Nuk ka shenja të ngadalësimit të ritmit të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatit të saj të NATO-s, Turqisë, për shkak të refuzimit nga Ankaraja të kërkesës së Uashingtonit për lirimin e një pastori amerikan të ndaluar nën akuzat për spiunazh. Departamenti amerikan i Thesarit në fillim të këtij muaji vendosi Ministrin e Drejtësisë dhe Ministrin e Brendshëm të Turqisë në listën e sanksioneve në përgjigje të mbajtjes në arrest të pastorit amerikan. Burimet e administratës thonë se po shqyrtohen mundësitë e vendosjes së sanksioneve të mëtejshme.

Turqia po e mban në arrest shtëpiak pastorin Andrew Brunson në pritje të gjyqit të tij.

I ngarkuari më punë në ambasadën amerikane në Turqi, Jeffrey Hovenier, vizitoi pastorin Brunson të martën.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve turke që rasti i pastorit, rastet e amerikanëve të tjerë dhe punonjësve turq të misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të ndaluar padrejtësisht të zgjidhen pa vonesë, në mënyrë të drejtë dhe transparente. Këtë kërkon qeveria ime”, tha ai.

Zëdhënësi i Presidentit turk Recep Tayip Erdogan, Ibrahim Kalin tha sot se Ankaraja do të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni mban një qëndrim konstruktiv.

“Administrata amerikane duhet të respektojë procesin gjyqësor në Turqi. Ata duhet të ndalin përpjekjet për të ndikuar mbi sistemin turk të drejtësisë duke bërë deklarata dhe duke ushtruar presion. Kur të ndodh kjo, marrëdhëniet tona do të normalizohen dhe do të hapet një faqe e re në marrëdhëniet turko-amerikane”.

Mosmarrëveshjet në rritje mes dy vendeve kanë përkeqësuar krizën ekonomike të Turqisë, duke shkaktuar rënien e lirës. Monedha turke ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj këtë vit kundrejt dollarit amerikan.

Presdenti turk Erdogan u ka bërë thirrje turqve të shkëmbejnë dollarët për lirën për ta ndihmuar monedhën vendase.

Administrata e Presidentit Trump të premten dyfishoi tarifat mbi importet turke të aluminit dhe çelikut. Presidenti turk Erdogan e quajti këtë një “luftë tregtare” dhe “një sulm pas shpine ndaj Turqisë” nga aleati i saj i NATO-s. Ai të martën njoftoi se Turqia do të bojkotojë produktet eloktronike amerikane.

Analistët besojnë se përkeqësimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara është rezultat edhe i mosmarrëveshjeve mbi çështjen e Sirisë, refuzimin nga Uashingtoni për ekstradimin e klerikut Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për grushtshtetin e dështuar të vitit 2016, dhe blerja nga Turqia e raketave ruse S-400.

Tensionet me Uashingtonin dhe kriza ekonomike kanë bërë që Turqia të shqyrtojë mundësinë e forcimit të lidhjeve me Rusinë dhe të gjejë aleatë të rinj në Lindjen e Mesme. Presidenti turk Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin për të diskutuar bashkëpunimn tregtar dhe ekonomik. Ndërkohë të hënën, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov vizitoi Turqinë, ku tha se dy vendet do të ndërmarrin hapa për “një partneritet më të madh strategjik”.

Analistët besojnë se këto janë shenja se Rusia dhe Turqia po intensifikojnë bashkëpunimin për të zbutur pasojat e sanksioneve amerikane.