Trump dhe Putin u takuan dy herë në Hamburg; takimi i dytë nuk u njoftua nga Shtëpia e Bardhë

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë konfirmuan të martën mbrëma se në samitin e G20-s këtë muaj në Gjermani, Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin patën një takim të dytë, që nuk u bë publik për mediat.

Të dy presidentët u takuan ballë për ballë për herë të parë në Hamburg më 7 korrik, për më shumë se dy orë bisedime që u mbuluan gjerësisht nga mediat.

Por tani del se zoti Trump dhe zoti Putin kanë patur një bisedë të dytë gjatë një darke po atë mbrëmje, të shtruar për krerët e shteteve nga Grupi i 20-s.

Presidenti Trump komentoi pa vonesë në Twitter për të hedhur poshtë njoftimet e medias: “Lajmi i rremë për darkën sekrete me Putinin është ‘i neveritshëm”. VOA