Trafiku i armëve dhe municioneve, policia greke përgjonte prej muajsh mafien shqiptare

Policia greke gjatë një operacioni të fundit, zbuloi pranë kufirit me Shqipërinë një sasi armësh e municionesh, të cilat do të trafikoheshin në Greqi. Agjentët grekë identifikuan tre persona që po ecnin në këmbë në një zonë pyjore dhe mbanin 3 çanta. Burime policore thonë për të përditshmen “Kathimerini” se agjentët grekë kishin marrë informacione prej disa muajsh që përmes kufirit shqiptaro-grek trafikoheshin armë. “Ne po prisnim mundësinë e duhur për të identifikuar dhe kapur trafikantët”, thotë një oficer policie për gazetën greke. Mësohet se tre shqiptarët e dyshuar ishin nisur nga një fshat afër kufirit dhe porosinë e armëve do ta dorëzonin në Janinë tek bashkëpunëtorët e tyre. Armët do t’i nënshtrohen testeve balistike për të vërtetuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Hetuesit kanë dyshime se kjo linjë e trafikut të armëve nga Shqipëria në Greqi mund të ketë dërguar edhe municione e eksploziv tek bandat që veprojnë në Athinë, ku muajt e fundit ka patur sulme me armë e tritol. Në çantat e braktisura nga trafikantët u gjetën 3 kallashnikovë, 11 granata difensive, 5 pllaka tritoli, 33 detonatorë dhe 1593 fishekë. Nga ekzaminimet e kryera deri tani nga autoritetet greke, rezulton që këto armë janë me origjinë kineze.