Topalli: Basha shiti opozitën dhe vodhi karrigen e kryetarit të PD me shpresën për të qenë në qeveri

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, dhe një nga zërat më kritikë të Luzlim Bashës, Jozefina Topalli nuk i ndal sulmet ndaj Lulzim Bashës, që sipas saj e ka vjedhur edhe karrigen e kryetarit të PD-së. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Topalli e ka sulmuar dje Bashën duke marrë shkas nga deklarata e tij lidhur me raportin e zgjedhjeve të publikuar nga ministrat teknikë të PD-së. Sipas saj, askush nuk di asgjë për kryetarin e PD prej disa javësh. Topalli gjithashtu shpërfilli raportin e 7 ministrave teknikë, pasi sipas saj kanë qenë paratë e drogës që kanë blerë vota. Sipas Topallit, Lulzim Basha ka shitur opozitën me shpresën për të vijuar të jetë në qeveri.

Reagimi i plotë i Jozefina Topallit

Ka disa javë që askush nuk di ku është Lulzim Basha. Gjëja, duket, është shumë sekrete. Por sot (dje) edhe pse prapë me pushime, ai u shfaq në fcb (rrjetin social “facebook”), duke komentuar raportin për zgjedhjet të ministrave të tij teknikë. Unë nuk kam nevojë të lexoj raporte teknikësh, sepse kam bindjen se në zgjedhjet e fundit politike, jo punësimet, por paratë e drogës kanë blerë edhe vota.

Por po ashtu di që kjo nuk përmbys rezultatin skandaloz të Bashës më 25 qershor. Kisha kuptuar prej kohësh se ai nuk kishte ndonjë preokupim të madh për kauzën e zgjedhjeve, ndaj gjatë 4 viteve të shkuara, bashkë me disa kolegë i përsëritnim dhe sugjeronim që të mendonte seriozisht për të, por në fakt vetëm mihnim në ujë. Natyrisht ai e kishte një plan në kokë. I vetmi koncept që ai ka ishte: ose të mos hynte në zgjedhje nëse nuk ishte fitorja e garantuar ose Pazari. Me këtë gjë në krye, ai hyri në çadër në fillim, duke kërkuar dorën e Metës dhe doli nga çadra duke rrokur Ramën. Pas 18 majit nuk pat asnjë fjalë, asnjë shqetësim dhe asnjë vërejtje për zgjedhjet. Në fushatë asnjë fjalë kundra Ramës, dhe asnjë fjali për blerje votash. Pas 25 qershorit asnjë ankesë, asnjë fakt, asnjë provë nuk dorëzoi as në KQZ dhe as tjetërkund. Anëtarët e opozitës në KQZ votuan unanimisht rezultatin e 25 qershorit.

Në asnjë qendër votimi, në asnjë zonë elektorale nuk pat asnjë shënim, asnjë vërejtje nga anëtarët (numëruesit) e opozitës. Përkundrazi, LB (Lulzim Basha) dhe ER (Edi Rama) përmes të besuarve të tyre kishin urdhëruar Administratën zgjedhore që të mos kishte asnjë debat dhe asnjë kundërshti mes tyre. Me urdhër nga dyshja Rama-Basha ata duhej të votonin me unanimitet. Dhe ashtu u bë. Rama mori më shumë nga çfarë mendonte, dhe Basha më pak nga çfarë kishte llogaritur. 74 mandatet e Ramës hodhën në erë projektin për të bashkëqeverisur, por Lulzim Basha qëndroi deri në fund me shpresë se Rama do e fuste në qeveri. Deri këtu s’ka asgjë që nuk dihet. Shitja e opozitës është njëra anë e Bashës. Ana tjetër është manipulimi i zgjedhjeve vetë brenda PD-së prej tij. Ndaj dhe ndoshta do kishte qenë ma mirë që edhe sot (dje) të pushonte.

Lulzim Basha ka vjedhur karrigen e kryetarit të PD-së përmes manipulimit të pjesëmarrjes së anëtarësisë së PD-së më 22 Korrik. Më 22 korrik mbi 70% e anëtarësisë së PD-së kanë bojkotuar Bashën, sepse kanë kuptuar se ai i kishte shitur interesat e demokratëve dhe të vendit. Dhe kjo, jo me fletërrufe si të teknikëve të Lulit, por me prova, fakte e video. Manipulimi ishte aq i madh sa u bë dhe qesharak. Sipas vetë shifrave të tij i binte që më 22 korrik të kishin votuar për 12 orë rresht, pa ndërprerje, çdo 18 sekonda nga një demokrat.

Shkodranët thonin se Luli e mbajti premtimin. Më 22 korrik ai realizoi votim elektronik. Në fakt me atë shpejtësi i binte votim supersonik, si ata që vetëm Luli di t’i bëjë.