Togerët e panjohur Dritëro Agolli e Ismail Kadare

Rroba ushtarake, spaleta mbi supe dhe një djali i ri me emrin Dritëro Agolli. Fotoja që kemi në dorë nga pas shkruan me laps plumbi “Toger”. Të ketë qenë vallë poeti edhe toger!? Për të mësuar më shumë për të dhe për këtë periudhë të rinisë së tij shkojmë në shtëpinë e Agollit.

Pas tentativës së dytë, derën na e hap bashkëshortja e tij, Sadija. Na mikpret në shtëpi dhe me zërin e ulët na shpjegon se Dritëroi është pak pa qejf dhe e ka të vështirë të presë njerëz, por në ato momente ai na shfaqet tinëz dhe hyn në sallon. Ndërsa i hedh një sy të shpejtë fotos, vendos dorën në ballë dhe me nostalgji shprehet: “Po, po, më kujtohet kjo foto”. Teksa tymos cigaren që ka në dorë i vijnë shumë kujtime nga viti i largët 1957-të, ku Dritëroi sapo kishte përfunduar studimet në Rusi për Gjuhë – Letërsi, me kategorinë “Shkëlqyeshëm”. Jeta e studimeve në ish-Bashkimin Sovjetik nuk ka kaluar pa lënë gjurmët e veta në jetën e poetit tonë.

Ai kujton se në Universitetin e Peterburgut bënin edhe lëndën e Teorisë së Luftës, ku çdo student që mbaronte ato shkollë automatikisht merrte gradën “Toger”. Përgatiteshin nga ana teorike, por edhe praktike. Djalosh shqiptar që sapo i kishte kaluar të 20-at, në atë kohë i kishte vënë detyrë vetes që nëpërmjet rezultateve që do merrte në atë shkollë të nderonte vendin dhe familjen e tij. Për këtë arsye, ai pohon se sot e kësaj dite shikon në ëndrra shkollën në Rusi, sikur nuk merr provimet dhe ankthin që i sjellin në gjumë. Por, si shumë shqiptarë që kanë kaluar vitet më të bukura të rinisë në atë vend të ftohtë, nuk mungon dashuria dhe pengjet që vijnë prej saj… Edhe Dritëro Agolli ka lënë një dashuri në Rusi.

 

Zoti Dritëro, kemi në dorë një foto tuajën veshur me rroba ushtarake, ju kujton gjë kjo foto?

Po më kujtohet shumë mirë. Unë kam dal këtu pasi erdha nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, sot Rusi. Mbarova studimet në Universitetin e Peterburgut dhe erdha këtu në vitin 1957-të. Në atë vit fillova të punoj në gazetën “Zëri i popullit”. Mirëpo, atëherë, në gjithë Republikën Popullore që quhej atëherë, të gjithë ata që mbaronin universitetin merrnin edhe grada ushtarake. Bënim ato që quheshin zbore. Jo ushtri që të rrije tre-katër vjet, po zbore ditore. Vetë shkolla, kishte caktuar që ata që mbarojnë universitete marrin grada. Grada më e ulët ishte “Nëntoger” dhe “Toger” më e larta. Ne që kishim përfunduar studimet në Rusi ishte rregull që merrnim gradën “Toger”, ndaj edhe unë u bëra i tillë. Kurse ata që mbaronin Universitetin e Tiranës merrnin gradën, “Nëntoger”. Kjo, sepse këtu universiteti u krijua vonë, në 1957-ën. Para se të krijohej Universiteti ishte një institut dyvjeçar, i cili nuk jepte grada. Pas vitit ’57-të merrnin grada studentët. Unë kisha mbaruar Universitetin e Peterburgut dhe automatikisht vinte dhe grada ime.

Sa vjeç keni qenë kur keni dal në këtë foto?

Këtu isha 26 vjeç, i sapo kthyer nga Rusia.

Si vinte kjo grada “Toger” që merrnin studentët. Ju bënit stërvitje, përgatiteshit?

Që në Rusi bënim stërvitje dhe mësim ushtarak. Ne kishim një profesor gjeneral që na bënte teorinë e luftës në shkollë. Ai e ilustronte teorinë. Për shembull, merrte veprën “Lufta dhe Paqja” e Tolstoit, apo “Taktika e Kutuzovit”. Duka na shpjeguar se çfarë taktike përdori për të mundur Napoleon Banopartin. E lidhte me teorinë e përgjithshme të luftërave. Shpjegonte fillimet e luftërave evoluimin e armëve, topi, pushka, revolja, raketa e të gjitha. Domethënë ishte një teori që bënim ne dhe kryenim stërvitje, zbor e jepnim edhe ne planet tona. Pasi bënim teorinë, ushtroheshim në praktikë; për shembull: si do të mund t’ua marrim armiqve pozicionet luftarake një kodër.

Keni qenë gjithmonë gati për “luftë” zoti Dritëro?

Isha student i mirë, por më kujtohet që njëherë isha pa qejf dhe nuk e kisha përgatitur mësimin teorik atje në Rusi. Ai gjeneral ishte i moshuar, para pensionit. Unë i thashë, këtë pyetje nuk do ta shpjegoj mirë, sepse kam qenë i sëmurë nga gripi. Ai me rreptësi të madhe më tha: “Përse të ka dërguar ty Republika Popullore që të shtrihesh në krevat dhe të presësh gjerë sa të mbarojë gripi. Ushtria nuk ka grip! Prandaj tha, ti, po vazhdove kështu nuk ke për tu bërë as oficer, madje as rreshter, prandaj herën tjetër mos më thuaj mua që më ka zënë gripi. Këtu ka mësim”. Pastaj, kur erdha këtu, ata e kishin shënuar në kartelë: “Ky meriton këtë gradë”, dhe unë e mora këtë.

Sa vjet keni qëndruar në Rusi?

Pesë vjet. Kjo ishte një lëndë që bëhej njëherë në javë, si lëndët e tjera që ishin. Letërsia edhe gjuhësia zinin pjesën më të madhe të programit, pasi ishin lëndët e specialitetit. Lëndën ushtarake e kam bërë që në vitin e parë, për pesë vjet me radhë.

Mund ta ushtronit ju këtë punën e ushtrisë?

Po të doja unë po, po unë erdha vazhdova gazetarinë në gazetën “Zëri i Popullit” për 15 vjet me radhë. Diplomën e kisha për Gjuhë-Letërsi, domethënë linguistik në degën e gazetarisë. Por, në qoftë se unë dështoja në këto punë, nuk ia dilja dot gazetarisë, me këtë mund të bëhesha oficer. Kaloja në ushtri edhe pas 10 apo 20 viteve mund të bëhesha gjeneral!

E kujtoni më nostalgji atë periudhë?

Po si gjithë studentët. E kujtoj edhe me shqetësim, me ëndrra, sikur jep provimet, sikur nuk kam kaluar. Sepse kam dalë shkëlqyeshëm. Unë isha shqiptar dhe doja të mos ma kalonin të tjerët dhe ta nderoja vendin tim.

Keni shkuar më në Rusi që prej kohës kur ishit student?

Po kam shkuar 4 herë të tjera. I kam takuar edhe shokët, madje edhe një shokun tim që kisha poet, është poet i dëgjuar. Ai më ka përkthyer edhe një librin tim me poezi që e kam botuar atje.

Çfarë studenti keni qenë, si ka qenë rinia juaj në Rusi, keni bërë prapësi?

Kam mësuar, kam bërë dhe prapësi, por më shumë kam mësuar. Nuk isha student aventurier, klubesh, kafenesh, dancesh. Jeta e studentëve atje ishte më e lirë edhe pse ishte komunizëm, por unë nuk i kisha qejf këto lloj gjërash. Unë mësoja që të mund të paraqitesha këtu si një njeri që ka një kulturë. Edhe diploma që mora ishte me dy kapakë, ku në një krah nënvizuar më të kuqe shënonte në rusisht “Shkëlqyeshëm”. Në Universitet, këtë kategori e morën gjithsej 3 veta, një rus, unë, një kinez dhe një gjerman.

Po studentë shqiptarë të tjerë kishte?

Po kishte. Isha shok me Fadil Kokomanin që u pushkatua më vonë në Shqipëri. Isha gjithashtu me Marash Hajatin, i cili ka qenë drejtor i radiotelevizionit në vitet ’80-të. Me Hajori Zenelin dhe me disa të tjera që nuk po më kujtohen.

Studentët shqiptarë që kanë studiuar në Rusi mbahen mënd për bëmat e tyre me vajzat, ka ndodhur kjo edhe me ju?

Po, po, kanë lënë shumë bëma. Po doemos, kush do që të vinte, jo vetëm shqiptar, por edhe kinez apo gjerman, të gjithë, se jeta ashtu ishte … të rinj ishim. Por, edhe unë, ashtu. Jo me bredhje pas fustaneve, por një e kam pasur edhe unë. Ajo ishte rinia. /Entela Resuli/Dita/