Tiranë: Urgjenca Kombëtare fluks i madh telefonash për COVID19

Në Tiranë, Urgjenca Kombëtare po përballon këto ditë një mbingarkesë të shumëfishuar prej korona-virusit.

Qendra po pret mijëra telefonata ndërsa auto-ambulancat e saj po shoqërojnë rastet më të vështira.

Urgjenca Kombëtare është një nga bazat kryesore që po përballon situatën e vështirë shëndetësore që krijoi në Shqipëri Korona-Virusi i ri.

Numri i të prekurve nga 2 shkoi në 10 gjatë ditës së sotme, ndërkohë po kryhen kontrolle e analiza të tjera.

Disa dhjetëra mjekë dhe ndihmës të tyre janë duke pritur me qindra telefonata ditë e natë.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare dr. Skënder Brataj, tha se detyra kryesore në këtë situatë është izolimi i kontakteve.

“Po marrim sot dyfishin e telefonatave që kishim dje. Telefonatat në Urgjencën tonë u shtuan qysh nga fundi i shkurtit, kur corona virusi hyri në Itali. Tani është me rëndësi kujdesi për të mos patur kontakte të panevojshme në rrugë, në supermarkete dhe në vende të mbyllura” – tha zoti Brataj.

Qeveria mbylli për dy javë gjithë sistemin arsimor, koncertet dhe kinematë, dhe tani qytetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre, të rrinë mbyllur e të mos u bashkohen grumbullimeve, të mbajnë brenda shtëpisë fëmijët e të moshuarit dhe një prej familjes të dalë për blerjet e domosdoshme.

Urgjenca Kombëtare u shërben përditë edhe afro 1 mijë qytetarëve të tjerë me sëmundje të tjera njëkohësosht me përballimin mbi ngarkesës që u shkaktua nga corona-virusi.

Nga viti 2017 Shqipëria ka një sistem të unifikuar të urgjencës, i cili aktualisht po provohet me kapacitet të plotë.