Tiranë: Presidenti Meta dekretoi 13 tetorin si datë të re për zgjedhje vendore

Në Tiranë, Presidenti i Republikës dekretoi datën 13 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve vendore.

Ai tha se kjo shtyrje me 3 muaj do të ishte një mundësi reflektimi për të gjitha palët.

Por kryeministri Edi Rama tha menjëherë se akti i tij ishte i pavlefshëm.

Opozita këmbëngul me protestat e saj për zgjedhje të parakohshme.

Edhe sot politika shqiptare u end nëpër labirintin e argumentave pro dhe kundër për zgjedhjet vendore.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi sot 13 tetorin si datën e re për zgjedhjet vendore, duke shprehur shprehur shpresën që ato të jenë gjithëpërfshirëse, të qeta dhe me standarte demokratike.

Ai e mori këtë vendim pas një serie takimesh me partitë politike, deri sot në mëngjes me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk shkoi në takimin e ftuar nga presidenti.

“Data e re është një mundësi për të zhvilluar zgjedhje me standarte demokratike në një kohë me vendimet e pritshme të BE-së për të nisur negociatat me Shqipërinë për anëtarësim të plotë” – tha zoti Meta. Ai i kërkoi kryeministrit dhe opozitës të reflektojnë në këto kushte, kur zgjedhjet më 30 qershor janë anulluar ligjërisht, ndërsa zgjedhjet e 13 tetorit duhen bërë të rregullta, sepse, si tha ai, “vitin tjetër Shqipëria merr kryesimin e radhës të OSBE-së, dhe duhet të jetë shembull për vendet e tjera”.

Ndërsa presidenti Meta ishte ende duke iu përgjigjur gazetarëve në konferencën e shtypit, kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë për datën e re të dekretuar për zgjedhjet vendore të 13 tetorit.

Ai shkroi në rrjetet sociale se 30 qershori është e vetmja datë për zgjedhje vendore dhe me disa shprehje në gjuhën latine shtoi se akti i presidentit për të dekretuar një datë të re zgjedhjesh ishte i pavlefshëm.

Partia Socialiste po vazhdon fushatën zgjedhore, megjithë anullimin e tyre nga presidenti i Republikës, për të cilin ka nisur një procedurë shkarkimi në parlament, ndërsa KQZ po vazhdon të përgatitë këto votime dhe po shpërndan fletët e votimit, ku mungojnë emrat e kandidatëve të opozitës.

Opozita nga ana e saj po kundërshton me një seri protestash këto zgjedhje, ndërsa bashkitë e drejtuara nga të zgjedhurit e saj kanë refuzuar të organizojnë zgjedhjet vendore pas anullimit të tyre nga presidenti.

Me protestat e saj opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe dorëheqjen e qeverisë pas publikimit të disa përgjimeve, ku dëgjohen përfaqësues të lartë socialistë në Durrës, Dibër dhe Tiranë që bisedojnë për presione ndaj votuesve për largime nga puna, pagesa dhe shpërblime e favore, nëse votojnë për kandidatët socialistë.

Në protestat e opozitës shpesh ka patur akte dhune, duke kulmuar nga shishet me karburante dhe lëndë shpërthyese, ndërsa policia ka shpërndarë protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës.

Këto ngjarje dhe vendosmëria e dy palëve pro dhe kundër zgjedhjeve pas 3 ditësh e ka rritur shqetësimin për akte dhune këtë të dielë.