Tirana, beteja për ujin. Bashkia premton 24 orë furnizim, duhen investime 220 milionë euro, kërkohet rritje e çmimit për konsumatorët

Veliaj zbulon planin: Ja si do ta bëjmë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sigurioi sërish qytetarët se brenda 5 viteve të ardhshme kryeqyteti do të ketë ujë të pijshëm 24 orë dhe për këtë publikoi edhe planin e investimeve të hartuar nga UKT me ndihmën e USAID-it.

Në dëgjesën e zhvilluar me këshilltarët e LSI dhe PS në Këshillin Bashkiak për të argumentuar dhe shpjeguar propozimin për çmimin e ri të ujit, Veliaj deklaroi se e vetmja mundësi për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës ujë të pijshëm është marrja e këtij vendimi.

“Orari i shërbimit ka qenë me 7 orë ujë kur e la Basha, sot jemi me 13 orë ujë në ditë. Maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit me ujë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër si të rrisim investimet. Shumica prej nesh kur hapim çezmën ka ujë. 90% e Tiranës nuk e kupton kur mungon uji sepse kanë depozitat. Në zonat e tjera nuk mund t’i heqim depozitat se këto e sigurojnë 24 orëshin. Në Bovillë bëjmë klorinim sipas parametrave evropiane. Në pallate cilësia e ujit dëmtohet në depozita. Por, pyetja është: nëse duam 24 orë ujë të pijshëm, dy janë mundësitë, ose të shpikim diçka që se ka bërë askush ose të shohim kush e ka shpikur rrotën. Dy janë shembujt, Korça dhe Pogradeci që ofrojnë 24 orë ujë të pijshëm, por qytetarët aty paguajnë 99 dhe 95 lekë sot”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës paraqiti para këshilltarëve edhe planin e investimeve që parashikohen të kryhen për të bërë të mundur që pas 5 vitesh Tirana të ketë 24 orë ujë pa ndërprerje në rubinet, duke theksuar se për të bërë të mundur këtë është e nevojshme marrja e një kredie prej rreth 120 milionë euro, ndërsa një pjesë tjetër të investimeve do të përballohen me të ardhurat e vet UKT-së.

Për këtë ai sqaroi se:

– Janë parashikuar 10 milionë euro investim në shtimin e burimeve të ujit

– 5 milionë të tjera në përpunimin dhe filtrimin e tij.

– 50 milionë euro do të investohen në sistemin e transmetimit për të siguruar që uji të arrijë nga burimet në rrjetin e shpërndarjes më shumë dhe me kosto më të ulët.

“Propozimi ynë është që pjesën më të madhe të kredisë ta investojmë në transmetim që të jetë i papenetrueshëm, në këtë mënyrë ne e marrim të gjithë uji dhe nuk na humbet rrugëve, si sot”, tha Veliaj në fjalën e tij para këshilltarëve.

Gjithashtu, 50 milionë euro të tjera janë parashikuar që të investohen në ndërhyrjen e në rrjetin e shpërndarjes së ujit që është edhe më problematiku, sidomos në zonat informale dhe të krijuara kryesish pas viteve 90 ku ndërtimet janë bërë pak kriter dhe pa asnjë rrjet ujësjellësi dhe kanalizimi.

“Ne duam që të shkojmë në nivel kapilar. Pra 50 milion euro shkojnë për sistemin e shpërndarjes në nivel kapilar dhe sigurisht ato që përfitojnë më shumë është Astiri, Fresku, Kodra e Diellit që furnizohen me puse. E gjithë zona e Freskut, e gjithë Misto Mamo, Yzberisht janë të gjitha me puse. Po nuk çuam Bovillën që të çojë uji deri në Misto Mame, deri te Kodra e Diellit dhe deri te Fresku nuk kemi shans për Tiranë me ujë”, tha Veliaj.

Një pjesë e mirë e investimit do të preki edhe sistemin e kanalizimit të ujërave. “Dhe 40 milionë euro janë kanalizime. Kjo pasi uji që shkon nuk kthehet mbrapsht por ne s’kemi kanalizime. Jep leje pallati Kashari e Farka dhe ku shkon gjithë ky ujë, te i njëjti gyp që shkonte kur nuk kishte fare banorë në ato zona”, bëri të ditur Veliaj, ndërsa theksoi se investimet do të prekin edhe sistemin e automatizimit dhe matësave.

Në total tha Veliaj bëhet fjalë për një kredi prej 120 milionë euro për 12 vjet, ku 3 vitet e para do të jenë me interes zero. Ndërkohë që pjesa tjetër e investimeve do të mbulohen me të ardhurat e vet Bashkisë dhe UKT-së.

Veliaj deklaroi se nëse nuk do të ketë ndryshim të çmimit, atëherë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë do të realizohet pas 4 dekadash. “Ne duhet t’u themi qytetarëve që nuk do zgjedhim të ecim me këtë ritëm breshke për 45 vjet, por të kemi guxim dhe të sigurojmë ujin e pijshëm. Po flasim për rritje 20 lekë, më pak se një gazetë. Sot po lyp Bashkia e Tiranës për atë 20 lekësh”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se në kohën që në Bashki ishte Lulzim Basha dhe në qeveri Sali Berisha, çmimi i ujit të pijshëm u rrit me 125%, ndërsa qytetarëve iu bë fakt i kryer pa asnjë transparencë.  “Në këtë derexhe na sollën këta që bëjnë histeri. Këta që bëjnë histeri nuk erdhën fare në Këshill Bashkiak. E dini që është rritur uji në vitin 2012, me 125 për qind dhe e bëri vetëm bordi me firmë të Saliut dhe të Lulit. 125 për qind. Njerëzit se morën vesh fare deri kur erdhi te fatura. Këta që bërtasin sot, që janë duke pirë ujë Panna dhe Evian. Këta janë si agjentë marketing të gjithë importuesve të ujit”, u shpreh ai duke shtuar se si pasojë e keqmenaxhimit, Ujësjellësi i Lanabregasit u la peng në një bankë të nivelit të dytë.

“Kur Saliu ishte në defiçit buxhetor detyroi Lulin që ta blente duke marrë borxh në një bankë të nivelit të dytë dhe  la peng ujësjellës-kanalizime të Tiranës. Ne jemi me letra pronar. Kolateralin e aseteve tona e ka një bankë e nivelit të dytë. Kështu që në këtë sens Luli shkoi mori 20 milionë euro në bankë, ia dha Saliut se mbeti pa lek në vitin e fundit të mandatit dhe ndërkohë ne duht të paguajmë në pesë vitet e ardhshme këtë borxh”, deklaroi Veliaj.

Tiranë, për ujin duhen 220 milionë euro

Çmimi i ujit në Tiranë rritet me 20 lekë duke nisur që nga muaji janar i vitit të ri. Dhe kjo sipas nënkryetarit të bashkisë do të sjellë ujë që mund të pihet nga rubinetat e qytetarëve dhe furnizim gjatë 24 orëve.

“Ne kemi të bëjmë me një vendimmarrje të re që synon që ne të na japi mundësinë të ofrojmë shërbim me ujë të pijshsëm 24 orë në gjithë qytetin e Tiranës brenda 5 viteve të ardhshme”, thotë Arbër Mazniku, nënkryetari i bashksië së Tiranës.

Mazniku shpjegon se kjo rritje e çmimit do të përkthehet në investime, jo vetëm në gjithë rrjetin e ujësjellësit, i cili është tejet i amortizuar, por deri dhe në shtim të burimeve.

“Së pari duhet të rrisim burimet e ujit. Së dyti, na duhet të rrisim në mënyrë të ndjeshme sasinë e ujit që mund të përpunojmë. Së treti, linja e transmetimit, pra linjat e mëdha të ujit, që në fakt është bërë si një kullesë makaronash, rrjedh nga të gjitha anët. Është shpuar nga njerëzit. I gjithë rrjeti i ujit në lagjet tona, është i amortizuar”, tha ai.

UKT ka rritur arkëtimet dhe ka një fitim prej 5 milionë euro në vit. Por për të arritur ujë të pijshëm 24 orë në shtëpitë e qytetarëve, kjo sipas Maznikut nuk mjafton. Kërkohen 220 milionë euro.

“Me këto 5 milionë euro që janë të ardhurat e kompanisë për të patur mundësinë që ne të investojmë do të na duheshin 44 vjet për të realizuar objektivin e të pasurit ujë të pijshëm 24 orë”, thotë Mazniku.

Por kur diskutohet për rritje të çmimit, ka gjithmonë pakënaqësi. Mazniku ka një përgjigje duke thënë në fakt se është ulje e shpenzimeve të familjarëve për ujë të pijshëm për sa kohë askush nuk konsumon ujë nga rubineti.

“Në fakt nuk është një shtim i shpenzimeve të qytetarëve është një ulje rrënjësore e shpenzimit për ujë për çdo familje. Mjafton të them që shumicxa e familjeve tona ose blejnë ujë me bidona dhe për gatim”, shprehet nënkryetari i bashkisë.

Nga ana tjetër ai shpjegon se në kryeqytet uji faturohet më lirë se sa në qytetet e tjera të Shqipërisë.

“Në Tiranë sot uji faturohet me 45 lek/m3, në Kamëz uji faturohe t me 65 lekë/m3, Korça e ka me 93 lekë/m3”, saktëson Mazniku.

PD kundër rritjes së çmimit të ujit në Tiranë: Veliaj po abuzon

Kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli lajmëron rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.

Duke folur për mediat ditën e sotme, Olli thotë se nesër është vendosur mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku si zakonisht tha ai, u njoftua në mesnatë, një praktikë e njohur kjo, e mungesës së transparencës nga Erion Veliaj.

Ai deklaroi se ashtu si në çdo rast, grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, ka zhvilluar takimin konsultativ për qëndrimet politike dhe teknike, në raport me projekt-aktet që do të paraqiten, ku tërheqin vëmendjen dy çështje madhore.

“Ajo e rritjes së tarifës së ujit të pijshëm që në gjykimin tonë njëzëri u konsiderua si një akt abuziv i pastër në vjedhje sërish të qytetarëve të Tiranës dhe nga ana tjetër një megaaferë korruptive, sikundër është kalimi i fondit prej 60 milionë eurosh për ndërtimin e shkollave me partneritet Publik-Privat. Rritja e tarifës së ujit të pijshëm është një element që prek të gjithë qytetarët e Tiranës. Është një abuzim i pastër sepse nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë motivim për rritjen e çmimit të ujit, ndërkohë që vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka gjetur në një gjendje të degraduar sa i takon menaxhimit të të ardhurave, në Ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë”, u shpreh Olli.

Më tej shton se është një veprim i pajustifikuar që tenton vetëm të rrisë buxhetet të cilat nuk do të përdoren.

Ndër të tjera deklaron se ashtu sikurse u mashtruan edhe me çështjen e biletës së urbanëve dhe u premtua një shërbim më cilësor por se është e njëjta situatë dramatike, sipas tij, do të pasojë edhe më ujin e pijshëm, por vetëm se do të ketë një tarifë me rritje me mbi 35% e çmimit të metrit kub.

“U bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Tiranës, që të bashkohen rreth një të drejtë të tyre legjitime dhe kushtetuese për të patur ujë të pijshëm. Kjo është një betejë jo thjesht e këshilltarëve, ne jemi këtu në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës”, deklaroi ai.

Rritja e çmimit të ujit, këshilltarët e LSI-së: Oligarkët të mos paguajnë njësoj si të varfrit

Pas këshilltarëve demokratë, edhe ata të LSI-së janë shprehur kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm. Në një dëgjesë publike të zhvilluar me kryebashkiakun Erion Veliaj, ata kanë paraqitur disa propozime.

Këshilltarët e LSI-së i kanë kërkuar Veliajt që të ulet çmimi për shtresën e varfër. Sipas tyre, janë bizneset ata që duhet të paguajnë më shumë, duke kërkuar rritjen e çmimit për ta.

Gjatë fjalës së tij në dëgjesën e thirrur, Endrit Brahimllari, anëtari i LSI-së në Këshillin Bashkiak, pohoi para Veliajt se nevojitet një skemë rimbursimi për familjet në nevojë.

“Dëgjesa publike në Këshillin Bashkiak u bë me kërkesë të këshilltarëve të LSI. Logjika e faktit të kryer shkatërron transparencën. Asnjë pagesë më shumë për shtresat në nevoje. Zgjidhja jonë i çliron të varfrit nga shtesa e çmimit. Oligarkia të mbaje barrën le të paguajë më shumë.

Bizneset që lidhen me artikujt e shportës te mos u rritet çmimi. Qeveria te lere sheshet po te financoje ujin e pijshëm. Krahasimi i Veliajt me Korçën i pavërtetë. Korça u financua nga KFË dhe qeveria”, tha Brahimllari.