Teknikët e PD-së në qeveri gati raportin për zgjedhjet e 25 qershorit, publikohet sot i plotë

Propozimi: Përfshirja e opozitës në qeveri për të monitoruar procesin zgjedhor duhet të ndodhë që nga 1 janari i vitit zgjedhor

Ministrat teknikë së bashku me dorëheqjen e tyre kanë gati edhe raportin përfundimtar me gjetjet kryesore për zgjedhjet e 25 qershorit. Ministrat në periudhën zgjedhore kanë vërejtur përdorimin e parave të pista, kanë dokumentuar shitblerjen e votës dhe përdorimin e administratës dhe aseteve të saj në favor të partive të maxhorancës. Në raport thuhet gjithashtu se përfshirja e opozitës në qeveri për të monitoruar procesin zgjedhor është praktikë e mirë dhe kjo duhet të ndodhë që nga 1 janari i vitit zgjedhor.

Raporti zgjedhor

Raporti i Ministrave teknikë të emëruar nga Partia Demokratike për të vëzhguar procesin zgjedhor ka përfunduar dhe tashmë është në duart e zëvendës kryeministres, Ledina Mandija, e cila do ta publikojë ditën e sotme. Mësohet se raporti flet për përdorim të parave të pista në fushatën elektorale ndryshe nga sa thotë Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Ministri i Brendshëm ka konstatuar se ky fenomen është vërejtur në shitblerjen e votës nga parti të maxhorancës ose subjekte të lidhura me to. Tregues për këtë sipas Ministrave teknikë është rënia e vlerës së monedhës së euros për të cilën ata rekomandojnë të analizohet në thellësi. Gjithashtu Ministria e Brendshme ka vërejtur përfshirjen e grupeve kriminale në fushatë në qarqet Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër, ndërsa institucionet e tjera nuk kanë bashkëpunuar si duhet me policinë për t’i parandaluar këto fenomene. Shitblerja e votës rezulton e përhapur dhe në të janë përfshirë zyrtarë të administratës të nivelit të lartë dhe punonjës të policisë, të cilët nuk kishin reagimin e duhur për parandalimin e këtij fenomeni. Ministrat rekomandojnë të nxirren personat përgjegjës brenda Policisë së Shtetit që nuk kanë zbatuar urdhrat operacionalë. Ministrat teknikë kanë vërejtur përfshirje të pjesëtarëve të Policisë së Shtetit në mbështetje të subjekteve politike dhe kërkojnë fuqimisht nga Prokuroria të nisin ndjekjen penale ndaj tyre. Në Ministrinë e Brendshme kanë mbërritur 484 denoncime në lidhje me veprat penale në lidhje me zgjedhjet. Ministrat kanë dokumentuar përdorimin e aseteve shtetërore për qëllime elektorale, duke krijuar pabarazi mes forcave politike në zgjedhje si dhe janë përdorur aktivitete elektorale në mjedise publike si shkolla, kopshte etj dhe për këtë Ministrat rekomandojnë që këto aktivitete të ndalohen me ligj. Ministrat gjithashtu kërkojnë hetim nga Prokuroria dhe KLSH për përdorimin e fondeve për mundësimin e aktiviteteve. Ministrat e shohin si shqetësuese pjesëmarrjen e nëpunësve civilë në fushatë dhe për shkak se monitorimi i tyre është pothuajse i pamundur rekomandohet të ndalohet plotësisht pjesëmarrja e nëpunësve civilë në aktivitete politike brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës. Gjithashtu Ministrat teknikë në raportin e tyre kanë verifikuar se gjatë kohës së fushatës ka pasur lëvizje të burimeve njerëzore si punësime, transferime dhe largime nga puna dhe këto punësime, Ministrat rekomandojnë që të jenë objekt i auditit të KLSH dhe i kërkojnë Prokurorisë të hetojë nëse ato janë bërë për përfitime politike. Ministrat kërkojnë fillimin e procedimit penal edhe për personat që kanë vonuar apo penguar marrjen e informacioneve të nevojshme nga ana e task-forcës e krijuar posaçërisht për zgjedhjet e 25 qershorit. Ministrat rekomandojnë që përfshirja e opozitës në qeveri për të monitoruar procesin zgjedhor është një praktikë e mirë dhe duhet të fillojë që nga 1 janari i vitit zgjedhor, ndërsa ngritja e task-forcës duhet të bëhet 3 ose 6 muaj përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të parandalojë të gjitha parregullsitë që mund të hasë procesi zgjedhor.

RAPORTI

-Në zgjedhje janë angazhuar grupe te njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike, kryesisht ne Dibër, Elbasan, Lezhe dhe Shkodër.

– Policia e Shtetit jo efektive në parandalimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit zgjedhor.

– Koordinimi mes Policisë së Shtetit dhe ministrive dhe institucioneve të varësisë nuk ka qenë në nivelin e duhur sa i takon monitorimit të sjelljes së administratës gjatë fushatës elektorale.

– Shitblerja e votës fenomen i përhapur.

– Punonjës të nivelit të lartë të administratës dhe punonjës të Policisë të përfshirë në shitblerjen e votës.

– Rekomandohet të merren masa për të gjetur përgjegjësit në strukturat e policisë të cilat nuk kanë mundësuar zbatimin e masave operacionale të dakordësuara nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit

– Ministri i Brendshëm ka raportuar punonjësit e policisë që kanë mbështetur subjektet elektorale apo kanë bashkëpunuar me elemente kriminale. Ministri i ka kërkuar Drejtorisë se Policisë largimin nga detyra të këtyre punonjësve, por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka marrë masat e kërkuara.

– Nga institucionet shtetërore, kryesisht zv/kryeministri dhe ministrat teknikë si dhe Policia e Shtetit janë dërguar në prokurori rreth 110 të dyshuar për kryerje të veprave penale në fushën e zgjedhjeve të cilat janë në proces hetimi. Kërkohet fuqimisht një hetim eficencë dhe të inkurajohet prokuroria që të procedojë sa më parë në hetim të plotë të çështjeve të adresuara dhe të realizojë ndjekjen deri në fazën finale të gjykimit.

– Është konstatuar përdorimi i aseteve në mbështetje të subjekteve elektorale nga ministri, institucione vartëse dhe Bashkitë. Janë përdorur aktivitete në kopshte, shkolla, inaugurimin e shesheve dhe rrugëve për fushate elektorale të subjekteve elektorale ne qeverisje si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore janë shpërndare ftesa për të votuar një subjekt elektoral në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor. Nga ana tjetër shkolla kopshte ambiente të institucioneve janë vënë ne dispozicion të subjekteve elektorale. Rekomandohet që në të ardhmen të jetë e ndaluar me ligj mundësia që aktivitete të tilla të jenë në shërbim të një subjekti elektoral si dhe të ndalohet me ligj shpërndarja e ftesave për të votuar një subjekt elektoral të caktuar në ditën e heshtjes zgjedhore.

– Gjithashtu rekomandohet të hetohet nga organet e prokurorisë apo edhe të auditohet nga KLSH në lidhje me përdorimin e fondeve publike në drejtim të realizimet e ftesave, materialeve të tjera të propagandës dhe shpërndarjes se tyre nga Bashkia e Tiranës.

– Është konstatuar dhënia e privilegjeve të ndryshme gjate fushatës elektorale si: çertifikatë pronësie, legalizime, premtim i vendeve të punës, premtim i vlerësimit kalues ose më të lartë gjatë procesit të Maturës Shtetërore. Rekomandohet që rastet e dhënies së privilegjeve në rastin e Maturës Shtetërorë, bursave të Ekselencës. Rastet e denoncimit të kontrabandës së kafesë, të rimbursimit të TVSH apo të subjektivitetit gjatë vlerësimit tatimor, si dhe listat e ndihmës ekonomike duhet të jenë subjekt i auditit nga KLSH, apo edhe e hetimit të mëtejshëm nga prokuroria me përfundime konkrete.

-Përfshirje e opozitës në qeverisje gjatë vitit elektoral, në funksion të garantimit dhe monitorimit të procesit zgjedhor është një praktikë shumë e mirë në kushtet e një demokracie të brishte në Shqipëri, shpesh e shoqëruar me tensione politike, megjithëse kjo përfshirje për të qenë efektive duhet të ndodhë më parë, konkretisht nga 1 janari i vitit zgjedhor dhe jo pak javë para zgjedhjeve për Kuvendin. Rekomandohet, 3-6 muaj para zgjedhjeve. Në këtë mënyrë procesi i monitorimit dhe masat e marra apo rekomandimet e dhëna nga task-forca do të mund të kryhen me një ritëm normal pune. Njëkohësisht, institucionet dhe entet apo shoqëritë shtetërore do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të mbledhur apo për të përpunuar informacionin dhe për t’ia referuar atë task-forcës të plotë e të saktë për çka kërkohet. Gjithashtu nisja e punës më herët nga task-forca do të mundësonte edhe një monitorim më të mirë dhe më të hollësishëm të enteve publike dhe shoqërive shtetërore në drejtim të mospërdormit të aseteve të tyre në funksion të fushatës politike, apo mos lidhjes së kontratave të reja të punës si mekanizëm për të të shtuar zgjedhësit që votojnë për një subjekt të caktuar politik, dhe deformuar vullnetin e lirë të zgjedhësve.

– Nëpunësit e administratës shtetërore janë përfshirë në fushatë elektorale për subjekte të caktuar në kundërshtim me ligjin.

– Rekomandohet që KLSH të auditojë të gjitha punësimet apo shkarkimet të kryera gjatë periudhës zgjedhore, në pushtetin qendror dhe vendor.

– Rekomandohet ndryshim ligjor që të ndalohen lëvizjet në administratë 6 muaj para zgjedhjeve.

– Kërkohet vijimi i hetimit nga ana e prokurorisë për të gjitha rastet e evidentuara për lëvizjet në administratë 6 muaj para zgjedhjeve.

– Rekomandohet hetimi i ndryshimeve në tregun valutor për zhvlerësimin e euros që nga data 19/5/2017 deri më 27/6/2017 nëse ndryshimet e valutës janë lidhur me përdorimin e saj në mënyrë informale për shitblerjen e votave, apo veprave te tjera penale në fushën e zgjedhjeve.