Të panjohurat e jetës dhe betejat e Skënderbeut në ekspozitën “Mot i madh”

Kambana e kishës së Karpenit, që daton në vitin 1465 dhe që me tingullin e saj na kujton vitet e lavdishme të epokës së Skënderbeut, statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm, libra dhe portrete të Heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu u ekspozuan sot në Muzeun Historik Kombëtar.

E titulluar “Moti i madh”, kjo ekspozitë solli para vizitorëve momente nga jeta dhe betejat e përfaqësuesit më konsekuent dhe më të shquar të elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.

Në ekspozitë një vend të veçantë zë kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman i pasqyruar nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve, statutet, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm, portrete, si dhe libra të autorëve të ndryshëm që kanë shkruar për Skënderbeun si Fan Noli, Kristo Frashëri, etj.

Në vëmendjen e vizitorëve ishte edhe topuzi, heshta dhe shpata , me të cilat Skënderbeu luftoi kundër turqve.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi në një prononcim për ATSH-në u shpreh se ‘kjo ekspozitë hapet në këtë vit jubilar të Skënderbeut dhe MHK do të mirëpres të gjitha aktivitet që janë parashikuar për këtë figurë kombëtare.Ne dëshirojmë ta kthejmë vizitorin shqiptar pas në kohë, nëpërmjet gravurave të veçanta të riprodhuara të cilat janë marrë nga botimi gjermanisht i vitit 1533 i Marin Barletit”.

Në botimin e Barletit, vijon ai, janë 107 ilustrime dhe ne kemi zgjedhur një pjesë e cila paraqitet në këtë ekspozitë dhe pjesa tjetër më e madhe do shfaqet në një ekspozitë tjetër që sërish do të çelet në Muzeun Historik Kombëtar.

“Kjo ekspozitë do të jetë lëvizëse dhe do të prezantohet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet ku jetojnë shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni”, tha ai.

Drejtori Koçi tha se ”ambicia jonë është që në bashkëpunim me ambasadat shqiptare në botë të arrijmë ta çojmë këtë ekspozitë dhe nëpër vende të ndryshme evropiane për të treguar dhe njëherë që ky hero përsa u përket shqiptarëve është gjithashtu dhe një hero evropian”.

Sipas tij, figura e Skënderbeut vazhdon të ngjall interes dhe të përshkruaj atë që me të vërtetë ka lënë shenjë në memorien kolektive të shqiptarëve .

Koçi duke shpjeguar se pse ekspozita mban titullin ”Moti i Madh”, u shpreh se ”ky titull është një emër i huazuar nga letërsia e traditës arbëreshe dhe kjo ekspozitë gjithashtu është dhe një përfitim i kësaj bashkësie siç janë arbëreshët, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shtetndërtimin shqiptar”.

E veçanta që sjell kjo ekspozitë dhe që është autentike, vijon ai, është kambana e kishës së Karpenit e cila daton në vitin 1465 ku me tingëllimën e saj na kujton vitet e lavdishme të epokës së Skënderbeut.

Ndërsa Profesori i gjuhës shqipe, Emil Lafe, i cili ishte një ndër vizitorët e kësaj ekspozite u shpreh se ”ne brezi i moshës së tretë jemi rritur me figurën e Skënderbeut, një figurë e cila që në fëmijërinë e hershme na ka bërë për vete dhe gjatë gjithë jetës ne nuk jemi ndarë kurrë nga figura e tij duke lexuar bëmat dhe historitë e tij”.

“Unë kam lexuar disa herë literaturën e Naim Frashërit në moshë më të hershme dhe Fan Nolit, i cili është dhe një nga të preferuarit e letërsisë për mua si profesor i gjuhës shqipe.Arsyeja e vizitës në këtë ekspozitë janë literaturat dhe dokumentet e reja që dalin dhe shpjegimet e thellimet që bëjnë historianët tanë dhe brezi im dëshiron të jetë në dijeni të çdo gjëje të re për Skënderbeun dhe të rikujtoj gjërat e vjetra”.

Denisa, nxënëse në shkollën “Sami Frashëri”, tha se “shpesh herë e kemi vizituar Muzeun Historik Kombëtar, por sot është një datë e veçantë, pasi kujtojmë Heroin Kombëtar, Skënderbeun. Në këtë ekspozitë më la mbresa kambana, si dhe armët me të cilat Skënderbeu ka luftuar kundër pushtuesve turq”.

Ekspozita “Mot i madh”, e çelur në hollin kryesor të MHK-së do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 janar.

Sot, shënohen 550 vjet nga vdekja e Heroit Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet.

Viti 2018 është shpallur nga qeveria shqiptare si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ku gjatë gjithë vitit do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, si dhe do të rehabilitohet Memoriali i varrit të Skënderbeut dhe të Kishës së Shën Kollit, në Lezhë. /a.g/

https://www.ata.gov.al/video-fotote-panjohurat-e-jetes-dhe-betejat-e-skenderbeut-ne-ekspoziten-mot-i-madh/