TAKIMI NE BRUKSEL-KOMENT/ Edi Rama, Kryeministri i politikës së vjetër dhe modës së re

Nga Albert Vataj

Jo, thjeshtë nuk do të mund ta besonit nëse do të kishte kurajë të ua thoshte dikush, se një burrë shteti merr pjesë në një takim ku do diskutohej për një çështje kaq emergjente siç është stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, i veshur si një klloun. Por në kohën e çudirave, befasitë shqiptare, shfaqen si një akt i dënueshëm dhe shoshiten si një shkas tallje dhe sarkazme.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë edhe në Bruksel në takimin me përfaqësuesen e lartë të BE, Federica Mogherini zhvilluar më 24 maj 2017, ka shkuar me një veshje aspak dinjitoze. “Ka disa gjëra, të cilat edhe pse nuk ti ndalon ligji, nuk ti lejon morali”, kjo maksimë nuk funksionon për kreun e ekzekutivit shqiptar, i cili krahas shumë sfidave politike, ka kohë që po sfidon edhe me veshjen, jo vetëm arenën politike shqiptare, por edhe atë evropiane.

Në Bruksel, Kryeministri, Edi Rama vijoi me manifestimin e një paraqitje jashtëprotokollare, aspak dinjitoze dhe në kundërshtim flagrant me etikën politike. Pas prezantimit të mënyrës së re të veshjes në takimet elektorale, ai ka “guxuar” të sfidojë vetë autoritetin dhe imazhin e BE-së.

Edhe pse takimi ishte joformal, Rama ka shkuar i veshur në mënyrë aspak të përshtatshme. Sikurse mund ta shikoni nga fotot e publikuara nga Deutsche Welle, Kryeministri shqiptar ka shkuar i veshur sportiv, me tuta dhe atlete. Ndryshe nga homologët e tij, të cilët kanë respektuar kodin e etikës.

Vetë Rama thotë se veshja që ai përdor është në modë. Por, të shkosh në Bruksel i veshur në këtë mënyrë njësoj sikur të jetë në takime me banorë në qytetet/fshatrat e Shqipërisë, sigurisht që nuk është aspak në modë.

Pavarësisht shumë mundësish që garanton demokracia, janë disa të tilla që nuk janë pjesë e konsumimit të lirisë, por e arrogancës, megalomanisë dhe delirit. Në çdo rast, do të zinte vend urtësia shqiptarë, sipas së cilës: “Tjetrit shikoi punën dhe jo gunën”, por në bëmën e fundit të zotit Rama as që mund të ketë të mundshme marrjeje në konsideratë e kësaj thënie. Edi Rama, e di fare mirë se ai përfaqëson Kryeministrin e Shqipërisë, si në Bruksel dhe kudo, ku imazhi i tij është garanci e autoritet të një burri shteti. Nëse ai kërkon të sfidojë përmes veshjes imazhin hijerëndë dhe të ngurtësuar të normës prezantese në publik të një të shkuare, e cila sipas tij duhet abandonuar, a do të ishte më e udhës ta niste këtë në rrafshin e ideve, platformave dhe politikbërjes. Apo të gjithëpranojmë këtë fillim të tij allashqiptar, siç rëndom nisen pjesa më e madhe e punëve në atdheun tonë të dashur, nga bishti. Është ose jo veshja e zotit Rama një shkas për tu denoncuar, kjo s’kërkon shumë mundë për dakordësi. Edhe pse dergjur në hallet e mëdha ku e ka groposur politika e kokëboshe e këtij Kryeministri, nuk do të mugonin shqiptarët, të cilët janë ndjerë të fyer për paraqitjen që i zgjedhuri i tyre ka promovuar në një takim si ai i të mërkurës së 24 majit në Bruksel. E megjithatë, Rama është Rama, atëherë e sot. Duam s’duam ne, ai di ç’do dhe bën ç’di.