TAKIMI- Meta: Bashës i kërkova të votojë reformën me një proces legjitim- Basha: Zgjidhja sipas ‘Venecias’ dhe moskapja e drejtësisë

Takimi mes kreut të Kuvendit dhe kryeopozitarit Lulzim Basha ka nisur me urimin e Ilir Metës për 42 vjetorin e lindjes së kryedemokratit dhe ndjesën për keqkuptimin e administratës së Kuvendit për përfshirjen në punimet e kalendarit të Kuvendit  të reformës në drejtësi.

Pas bisedës prej afro 120 minutash, Kryeparlamentari tha se kishte garantuar Bashën për miratimin e reformës në koherencë, me legjitimitet dhe integritet.

Ilir Meta: I shpreha ndjesë për gabimin teknin në kalendarin e Kuvendit dhe e sigurova për përkushtimin tim për të garantuar një proçes dhe proçedurë parlamentare dhe legjitime për miratimin e paketes kushtetuese te reformës në drejtësi si një proçes madhor për të ardhmen e vendit.

Se çfarë do të thotë legjitimitet për PD, Basha e tha qartë:

Lulzim Basha: Takimi i sotëm pati një vlerë si çdo dialog që bëhet jo për sy e faqe, por për të kërkuar me të vërtetë rrugët e daljes, rrugët e zgjidhjes. Këtu vlerësoj posaçërisht qëndrimin për një reformë dhe për një proçes legjitim. Si mund të shkohet në Europë, kush mendon se Europa mund ti hapë dyert një vendi në parlamentin e të cilit sëpari përjashtohet opozita dhe pastaj trafikohen mandatet.

Ndërsa Kryeparlamentari Basha iu shmang përgjigjes edhe pse u pyet tre herë nëse mbështeste miratimin e reformës me vota të peshkuara nga opozita.

Ilir Meta: Unë jam këtu për t’iu siguruar se do të bëj çdo gjë në orët, minutat që vinë për të garantuar që ky të jetë një proçes i suksesshëm për vendin dhe të jetë një proçes që i bashkon shqiptarët në sfidën e tyre për të forcuar shtetin ligjor.

Ilir Meta i qëndroi larg përgjigjes direkte nëse mbështeste apo jo pikën që ndan palët për konsensus, kërkesën e demokratëve për vendet e rezervuara.

Ilir Meta: Dua tu siguroj se nuk kam qenë aspak i përfshirë në të gjithë proçesin e diskutimeve apo të përmbajtjes, apo formulimeve lidhur me reformën në drejtësi.

Me sa duket, edhe në takim, sikurse në konferencë, Lulzim Basha e kishte bërë të qartë se opozita nuk do tërhiqet nga kushti i saj për vendet e rezervuara, të pranuara nga i vetmi arbitër, Komisioni i Venecias.

Lulzim Basha: Ata mund të zgjedhin një sitem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në proçesin e përzgjedhjes. Ky është arbitri, për këtë kemi rënë dakort, ky është autoriteti suprem mbi çdo autoritet tjetër europian apo global.

Ilir Meta dhe Lulzim Basha u shprehën të gatshëm për tu takuar në çdo kohë për gjetjen e konsensusit për miraitmin në kohë të reformës.

Pas takimit

Ilir Meta

Megjithatë, ky takim i së dielës mes të dyve prodhoi një dakordësi, atë të miratimit në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që lejon votimin dhe numërimin elektronik.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, në një deklaratë për mediat nga selia e Kuvendit, bëri me dije se takimin zyrtar me kreun e PD, Lulzim Basha e zhvilloi në cilësinë e kreut të kuvendit dhe jo si kryetar i LSI në radhë të parë për t’i shprehur ndjesë lidhur me keqkuptimin e ndodhur me kalendarin trijavor dhe për ta siguruar se do të garantojë një procedurë parlamentare legjitime për miratimin paketës së ndryshimeve kushtetuese për reformën.

“I shpreha kënaqësinë dhe vlerësimin tim për angazhimin e opozitës në hartimin ndryshimeve kushtetuese. Kam kërkuar mirëkuptimin për zhvillimin e procedurave parlamentare dhe përcaktimin e mbarëvajtjes së kalendarin dhe miratimin e ndryshimeve kushtuese. Basha më shprehu angazhimin e opozitës për miratimin sa më shpejt dhe më njohu me të vetmen çështje parimore që i ndan me mazhorancën, atë të formulës së zgjedhje së institucioneve të reja, që sipas opozitë duhet bërë sipas rekomandimin nr.88 të Venecias. Mbetem i hapur në mënyrë që të kalojmë sa më shpejtë reformën më themelore të shtetit të së drejtës”, tha Meta.

Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat nga selia blu pas takimit të zhvilluar sot me kryeparlamentarin Ilir Meta lidhur me reformën në drejtësi, shprehu edhe në herë qëndrimin e pandryshuar të opozitës lidhur me çështjen e vetme që ndaj mazhorancës nga opozita në draftin për reformën në drejtësi, atë të zgjedhjes së institucioneve të sistemit të të drejtësisë, që sipas Bashës duhet bërë sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias për të mos lejuar kapjen e sistemit nga politika.

“Një drejtësi e kapur politikisht nga njëra palë nuk mund të hetojë krimin e bërë njësh me pushtetin. Reforma në drejtësi duhet të dënojë korrupsion. Një sistem i tillë do të jetë shumë më i keq. Shqipëria nuk meriton një drejtësi të kapur politikisht. Këtë ka synim PD. Komisioni i Venecia është përgjegjës për të gjithë mbarëvajtjen e kësaj reforme anembanë Europës. Ishte insistimi ynë që Venecia të ishte garanti i një reforme që nuk mbron krimin. Venecia ka folur qartë;

ka dhënë formulën se si të mos kapet sistemi. Dhe PD e ka pranua këtë zgjidhje me bekimin e Eurailus dhe Opdat. Për PD në stadin aktual të draftit të ndryshimeve kushtetuese, kjo është e vetmja çështje që ndaj palët. Jemi gati ta mbyllim këtë kapitull dhe të nisim punën për miratimin e saj brenda këtij mandati. Nga ana jonë nuk ka asnjë alibi për të vonuar procesin. Kemi pranuar zgjidhjen e dhënë nga Venecia. Këtë i shpjegova edhe sot kryeparlamentarit, që më kërkoi ndjesë për futjen në mënyrë të turpshme në kalendarin e punimeve të reformës.

Edhe pse e pranoj ndjesën mbetem me mendimin se ishte një akt i turpshëm politik”, tha Basha.