Super-operacioni, kapet në Vlorë sasia më e madhe e drogës, 16 tonë hashash, dy efektiv polici përfundojnë

Një operacion i madh antidrogë është organizuar në orët e natës së sotme dhe gjatë orëve të mëngjesit. Më shumë se 16 .3 tonë kanabis janë sekuestruar në disa qytete të Shqipërisë dhe në pranga janë vendosur disa persona.

Kjo është ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapura në një goditje të vetëm. Droga ka qenë e vendosur në fshatin Llakatund të Vlorë.

Policia shoqëroi në komisariat disa persona që dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal që trafikonte drogën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 5 armë zjarri kallashnikovë. Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me FNSH-në dhe drejtohej nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtori i Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj.  Në fund të tij, Çako i përgëzoi efektivët e policisë dhe u kujtoi që ky është një operacion i madh që nuk përfundon këtu. “Jemi në vlerësim të mbarë situatës në nivel kombëtar për kultivimin e bimëve narkotike dhe goditjen e të gjithë organizatave kriminale për trafikimin e saj. Janë të shumta operacionet policore gjatë ditëve të fundit, ku nuk kanë munguar edhe rezultatet në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, por edhe në një sërë qarqesh të tjera, ashtu sikurse jeni në dijeni për operacionin në mbarë vendin për parandalimin e bimëve narkotike, ku deri tani mbizotëron një situatë optimiste”, tha Çako. Operacioni vijon në mbarë vendin, ku edhe në Kavajë janë kapur rreth 1000 kg lëndë narkotike.

Në lidhje me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.

Ja çfarë shkruan ai në Facebook: Pergezoj Policine e Shtetit per vazhdimesine e Operacioneve ne mbare vendin, per luften pa kompromis kunder kultivimit dhe trafikimit te Kanabisit. Kapja dhe asgjesimi i sasive te grumbulluara nga viti kaluar eshte prioritet mbi prioritetet. Suksesi i sotem i sekuestrimit te shume tonelatave kanabis ne Vlore dhe mbare Shqiperine do te jete modeli i punes tone deri ne pastrimin e plote dhe kontrollin e territorit. Siguroj te gjithe efektivet e perkushtuar te Policise se Shtetit se do te kene mbeshtetjen e plote te Ministrit te Puneve te Brendshme per arritjen e objektivave strategjike per heqjen e Shqiperise nga harta e trafikut nderkombetar te drogave. DD.

Berisha: Në Vlorë janë kapur 25 tonë hashash. Lufte mes klaneve të drogës në Qeveri

Për drogën e kapur sot në Vlorë ka reaguar dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai thotë se droga e kapur është 25 tonë.  “Haki droga ju betohet policeve per koken e Norieges! Kapen ne Vlore 25 tonelata droge e klanit Habilaj, i cili paditet nga klani Xhafa! Haki droga betohet para policeve per koken e Norieges! Njeriu qe se bashku me Noriegen dhe Saje qorrin krijoi narko-republiken e pare ne Europe, ju tha dje policeve: “do ta çojmë këtë operacion deri në fund dhe i kemi premtuar për ta realizuar me sukses këtë prioritet të qeverisë shqiptare nën vëmëndje dhe kujdes të veçantë të kryeministrit shqiptar!” Hahaha?! Lexoni me poshte mesazhin e qytetarit dixhital. sb

Oficeri dixhital informon: “Pershendetje doktor droga e kapur ne Lakatund nuk esht 15 por 25 tonelata.Kjo droge esht e klanit Habilaj kushurijve te Sajmir Tahirit. Informacioni per drogen eshtë dhene nga Klani Xhafa i cili ka pesuar disa goditje ne trafikun e droges fale autoriteteve italiane,e fundit ishte skafi qe u mbyte para nje jave ne det.”-, shkruan Berisha.

Edhe pse shifrat e raportuar në mënyrë kontradiktore, deputeti i PS-së, Erion Braçe konfirmon se bëhet fjalë për 16.3 tonë.

“16.3 tonë drogë e kapur;  ky është rekordi i këtij viti! Kështu dëmtohet krimi. Tani punë për ta shkatërruar! Bravo Policisë së Shtetit!”,- shkruan deputeti Braçe.

FOTO NGA AKSIONI I POLICISË NË VLORË