SULMI TERRORIST/ Reagimet e personaliteteve politike shqiptare dhe botërore për aktin barbar në Mançester

Menjëherë pas ngjarjes tronditëse me 22 të vrarë, përfshirë edhe fëmijë, dhe 59 të tjera u plagosën nga pasojat e një shpërthimi të hënën mbrëma në një arenë të Mançesterit ku sapo kishte përfunduar një koncert i yllit të muzikës pop Ariana Grande kanë Reaguart personalitetet politike shqiptare dhe botërore për aktin barbar .

PRESIDENTI NISHANI

Presidenti Bujar Nishani shprehu sot hidhërimin e thellë mbi viktimat e pafajshme dhe të plagosurit e shumtë të akteve të mbrëmshme terroriste në Arenën e Mançesterit në Britaninë e Madhe.

“Presidenti Nishani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve e të dashurve të viktimave dhe autoriteteve britanike, ndërsa të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit te Kreut te Shtetit.

“Në solidaritet të plotë me qytetarët dhe autoritetet britanike, Presidenti Nishani i dënon me forcë këto akte mizore dhe nxitësit e tyre, duke theksuar se terrorizmi nuk do të arrijë t’i mposhtë e gjunjëzojë vendet e shoqëritë e lira”, përfundon mesazhi.

KANCELARJA GJERMANE, ANGELA MERKEL

Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu nga ana e saj trishtim dhe neveri pas sulmit ku u regjistruan 22 të vdekur gjatë një koncerti në Mançester.

“Gjermania solidarizohet përkrah britanikëve”, u shpreh kancelarja në një deklaratë.

Ky akt i dyshuar terrorist do të forcojë edhe më tej vendosmërinë tonë për të punuar me miqtë tanë britanikë kundër atyre që kryejnë akte të tilla çnjerëzore”, shtoi ajo.

PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE

Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcë sulmin terrorist të mbremshëm në Arenën e Mancesterit, ku gjeten vdekjen 22 njerëz të pafajshëm dhe 59 të tjerë u plagosen.

“Ky akt terrorist i shëmtuar dhe brutal është një tjetër shembull se si barbaria e terrorizmit cenon jetën e qytetarëve të pafajshëm në mbarë boten. Partia Demokratike qendron sot në krah të popullit të Britanisë së Madhe për të kapërcyer këtë fatkeqësi dhe për të luftuar edhe më ashpër ndaj terrorizmit botëror. Mendjet dhe lutjet tona janë sot me familjet e viktimave, dhe solidariteti ynë njerezor dhe politik me aleatin tonë të çmuar, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe”, shkruan PD.

PRESIDENTI FRANCEZ EMMANUEL MACRON

Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu sot dëshpërim dhe një ndjesi tmerri pas sulmit ku u shënuan 22 të vdekur gjatë një konceri në Mançester, dhe bëri të ditur se do të takohet me kryeministren britanike, Theresa May.

”Emmanuel Macron, presidenti i Republikës u shpreh me ankth dhe dhimbje pas lajmit të sulmit tragjik që goditi dje në mbrëmje gjatë një koncerti”, bëri të ditur Presidenca franceze, ndërsa kryeministri Edouard Philippe dënonte terrorizmin më të neveritshëm që shënjeshtroi me vetëdije brezin e ri.