Sulmi i nazistëve të Agimit të Artë ndaj nxënëses shqiptare, reagojnë Shoqatat e Emigrantëve: Falangat e zeza po zgjohen

Nga Herion Mesi

Njihe armikun tënd. “Agimi i Artë” grek, nuk është forcë e re politike, as idetë e saj shoviniste dhe raciste. Etërit e tyre bënë Megalidhenë vranë priftërinjtë që bënin meshat shqip. Pasuesit, monarko-fashistët zbatuan planin dhe masakruan e përzunë çamët nga trojet e tyre, sulmuan Shqipërinë më 1949. Të bijtë e tyre vranë ushtarakët tanë më 1994 në incidentin e Peshkëpisë. Rreziku qëndron te fakti që neonazistët janë kthyer sërish në një parti kërcënuese edhe pse ata u nxorën me forcë jashtë parlamentit grek, por kjo parti ndikon sistematikisht në politikat e qeverisë, pasi nxisin tensionimin e raporteve mes dy vendeve. Ekzistenca e këtyre nacionalistëve dhe e tezave shoviniste që cenojnë sovranitetin dhe dinjitetin tonë, do t’i japë ushqim edhe nacionalizmit shqiptar si një reagim i natyrshëm. Në dejet e krerëve të Agimit të Artë rrjedh gjak shqiptar, pasi të parët e tyre ishin heronjtë e revolucionit grek dhe morën si dhuratë pabesinë. Por tashmë nipërit e tyre kanë humbur identitetin dhe nuk dinë ç’kërkojnë.

Ngjarja e Santorinit

Quhen neonazistë, por në fakt kanë platformën e “Megalidhesë” të dy shekujve më parë që donte t’i zhdukte shqiptarët dhe gjuhën e tyre. “Agimi i Artë” është sulur kundër shqiptarëve këto ditë me një tjetër provokacion në Santorini, ku anëtarë dhe mbështetës të partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë sulmuan nxënësen e dalluar shqiptare në një shkollë fillore që mbante flamurin e Greqisë në ditën Kombëtare të vendit fqinj, gjë që solli dhe prishjen e kësaj feste. Pikërisht kjo ngjarje ka shkaktuar reagimin e fortë të përfaqësuesve të emigracionit shqiptar në Greqi. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Emigrantëve në Greqi, Nestor Dede në një prononcim për “Koha Jonë” dënon me forcë ngjarjen e dy ditëve më parë në Santorini, dhe paralajmëron se falangat e zeza po zgjohen. I pyetur në lidhje me arsyet e këtij rikthimi të ekstremistëve grekë, Dede shprehet  se i gjithë ky demonstrim urrejtjeve po mbulohet me petkun “e varfërisë” që solli kriza ekonomike greke. Por në fakt, Agimi i Artë po e përdor këtë tezë për rifitimin e terrenit të humbur pak vite më parë. Ndërkaq, përfaqësuesi i Federatës i bën apel prindërve emigrantë shqiptarë që të fokusohen tek arsimimi i fëmijëve të tyre, si e vetmja mundësi rehabilitimi dhe integrimi. “Falangat e zeza po zgjohen!? Pas rreth tre vjetesh heshtje Krysavgjitet Greke po fillojnë të zgjohen, pas disa mitingjeve të “mbyllura” hermetikisht nga policia greke filluan edhe marshimet e tyre. Ksenofobia që i karakterizon i drejtoi kësaj radhe edhe të prishin festimet në një ditë të shënuar të kombit grek. Rezultat kjo i varfërisë materiale – thonë – por harrojmë që mbi të gjitha është varfëria mendore që i krijon të tillë njerëz. Kriza është justifikimi për të fjetur popullin, por edhe për disa të “urtë” për të “zgjuar” atë. Nën justifikimin e rezistencës ndaj “shkaktarëve” të krizës i drejtojnë këta kompleksive mjerane edhe ndaj bashkëqytetarëve të tyre, me pretekste që nuk mund të mbulojnë të vërtetën. Paaftësia e sistemit arsimor në Greqi, u përball vetë dje me pjellën e tij në Santorini. Vërtet shkollimi është i hapur për të gjithë, por ja dhe një shembull tipik që ai u takon vetëm një pakice, mëson e frymëzon ky arsimim vetëm pak veta, të tjerat (shkollat publike) janë laboratorët ku eksperimentohen skllevërit e rinj, të cilët i drejtojmë lehtë duke rënduar herë mbi ksenofobinë, herë mbi urinë, “papunësinë”, etj për t’i përdorur si tulla jo vetëm për të ngritur mure ndarëse, por edhe për ti flakur ato mbi çdo gjë që ka vlerë në këtë botë. Rezistenca jonë si komunitet duhet të jetë e vendosur që të kujdeset për miredukimin në radhë të parë të fëmijëve tanë, arsimimin e duhur të tyre, ngritjen kulturore dhe të frymëzojë mendimin e pavarur e intelektual te tyre. Kështu, këta do jenë të zotët e jetës së tyre, por do mund të shkojnë edhe më tej”- u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Shqiptarëve në Greqi.

Shqiptarët në Santorini

Ndërkaq,  Kryetari Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Santorini, Kosta Çela, në një prononcim për “Koha Jonë” shprehet se incidenti në fjalë nuk përfaqëson aspak banorët e Santorinit. “Jemi rreth 8 mijë shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë (80 përqind e krahut të punës), dhe  dua të them që incidenti në fjalë nuk përfaqëson Santorinasit, të cilët këtu e 26 vjet na hapen dyert e shtëpive, këtë e ndjejmë dhe jetojmë përditë. Ne vlerësojmë pa masë dashurinë, vëllazërinë reciproke të tyre. Pesë persona nuk përfaqësojnë tërë Santorinin. Të mos harrojmë qeë dhe me ta ndajmë jetën e përditshme bashkë. Falënderoj gjithë ata që dënuan këtë gjest përçarës”- theksoi Kosta Çela.