Stuhia tropikale Harvey po largohet nga pjesa lindore e Teksasit për në Luizianën fqinje

Qyteti i Hjustonit më në fund po gjen sot prehje nga reshjet rekord, ndërkohë që stuhia tropikale Harvey po largohet nga pjesa lindore e Teksasit për në Luizianën fqinje.

Parashikuesit e motit presin që në zonën e Hjustonit sot të ketë dy centimetra të tjera shi, por deri të premten qielli të jetë hapur dhe koha të jetë me diell.

Rajoni do të vazhdojë të jetë i përmbytur nga stuhia që po lëviz ngadalë dhe që ka sjellë më shumë se 130 centimetra shi në disa zona që prej 24 gushtit.

Në lindje të Hjustonit, qyteti Beaumont i Teksasit, përjetoi sot në mëngjes shiun më të dendur, ndërkohë që qendra e stuhisë goditi përsëri tokën në Luiziana. Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se stuhia mund të sjellë 15 deri në 30 centimetra shi në Luiziana jugperëndimore dhe pritet të lëvizë më tej në brendësi.

Zyrtarët në Teksas thanë se ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë më shumë se 13,000 njerëz nga shtëpitë e përmbytura dhe mijëra të tjerë ndodhen nëpër strehimore të ngritura në qendrën e konferencave të Houstonit, në arenën e ekipit të basketbollit “Houston Rockets” dhe në stadiumin ku luan ekipi i futbollit “Houston Texans”.

Trump viziton Teksasin, informohet rreth gjendjes

Presidenti Donald Trump u takua të martën në kryeqytetin e shtetit Teksas, Austin, me autoritetet lokale për t’u informuar për përpjekjet më të fundit të shërbimeve të emergjencës. Presidenti dhe Zonja e Parë Melania Trump udhëtuan me avion drejt Teksasit për të parë nga afër dëmet në shtetin e përmbytur nga uji.

Presidenti dhe bashkëshortja ndaluan fillimisht në Corpus Christi, ku uragani Harvey shkaktoi dëmet e para që ditën e premte.

Në axhendë nuk ishte planifikuar një vizitë në qytetin e Hjustonit, ku përmbytjet masive kanë zhvendosur mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre në këtë zonë që përllogaritet si zona e katërt më e populluar në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Trump planifikon të bëjë një udhëtim të dytë drejt Teksasit ditën e shtunë, për të parë më nga afër dëmtimet nga furtuna, e cila mendohet se deri në fundjavë do të jetë zhvendosur drejt veriut të vendit.

Përpara se të shkonte në Teksas, Presidenti Trump premtoi se qeveria federale do të ofronte të gjithë asistencën dhe ndihmën financiare që do t’i nevojitet shtetit të Teksasit dhe shtetit fqinj Luizianës, për t’u rimëkëmbur nga dëmet e shkaktuara nga furtuna, të përllogaritura në dhjetëra miliardë dollarë.

“Ne jemi një familje amerikane” u shpreh Presidenti Trump, ndërsa po përballet për herë të parë gjatë shtatë muajve të presidencës së tij me një katastrofë natyrore të përmasave të mëdha. Ai premtoi se “do t’ju jepet çdo gjë që do t’ju nevojitet dhe me shpejtësi”. VOA