Studentët ultimatum Ramës: Ke afat deri të martë të plotësosh, ndryshe demonstrata

Studentët s’lëshojnë asgjë: Nuk ka negociata! Nuk dorëhiqemi

Shfuqizimi nga ana e Qeverisë i tarifës për kreditet e provimeve të prapambetura, nuk i kanë ndalur studentët e të gjitha universiteteve të vendit që të vijonin edhe dje me po të njëjtën vendosmëri protestat e tyre deri në realizimin e të gjitha kërkesave të tyre. Të rinjtë kërkuan plotësimin edhe të tre kërkesave të tjera, përgjysmim i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve dhe që bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një përfaqësues nga studentët në bord. Dhe pasi kishin kaluar 4 orë nga grumbullimi i tyre para Ministrisë së Arsimit, një tjetër sinjal lëshimi do të vinte nga vetë kreu i Qeverisë Edi Rama i cili i ftoi ata për dialog në zyrën e tij. Por, jo, studentët nuk lëshuan asgjë, duke e refuzuar dhe këtë ftesë. “Lindita Nikolla dil në bulevard – Shkolla është e jona, nuk është biznes privat. Nuk ka negociata, por zgjidhje të menjëhershme”, ishte thirrja në bllok e studentëve si përgjigje ndaj kryeministrit Rama, i cili përmes një video-konference në rrjetet sociale i ftoi ata në dialog. Studentët kanë paralajmëruar se edhe dita e Rinisë, 8 dhjetori do t’i gjejë në protestë të vendosur për ti shkuar deri në fund asaj që tashmë kanë nisur. Ndërsa i kanë lënë tre ditë kohë Kryeministrit Rama në plotësimin e kërkesave të tyre, ndryshe të martën ata kërcënuan se protestën do ta shndërrojnë në demonstratë, si dhe nga Politekniku do të nisë dhe një grevë masive urie, që do të jetë e ngjashme me atë të studentëve në vitin 1991 që solli dhe rrëzimin e bustit në Tiranë të diktatorit Enver Hoxha.

Protesta e djeshme

Studentët nuk pranuan të largoheshin nga ministria e Arsimit pa marrë zgjidhje të menjëhershme për kërkesat e tyre. Ashtu si dhe të enjten, protesta e djeshme vijoi prej orës 08:30 dhe studentët shprehen të vendosur se do të vijojnë protestën dhe nuk do të heqin dorë, dhe për këtë arsye ata vendosën vetëm pasdite të lironin qarkullimin e automjeteve rreth orës 17:00, pas më shumë se 8 orë nga qëndrimi i tyre në “Rrugën e Durrësit”. Ata bënë thirrje për të plotësuar kërkesat e tyre përmirësimin e kushteve dhe nuk pranojnë të politizohet beteja e tyre nga asnjë forcë politike. Gjatë paradites në një moment pati dhe tension pasi disa studentë kërkuan që protesta të zhvendoset drejt kryeministrisë, por studentët e tjerë nuk pranojnë pasi deklarojnë se protesta e tyre ka qëllim vetëm plotësimin e kërkesave nga ana e Ministrisë së Arsimit. “Ne nuk do të largohemi as tek kryeministria. Ne jemi studentë. Të tjerët që kanë arsye të ikin në kryeministri nuk do ia dalin të na përçajnë. Ata janë pjesë e forumeve politike. Do protestojmë këtu! Ne jemi studentë, të tjerët që kanë arsye të ikin në kryeministri nuk do ia dalin të na përçajnë”, thanë studentët me megafon duke bërë thirrje për të mos u përçarë. “Është plotësuar vetëm një kërkesë. Duhet me patjetër të hiqen tarifat pasi janë të papërballueshme”- tha një tjetër studente. “Sot ne, nesër ju”- Ishte ky apeli që studentët i bënë mëngjesin e djeshëm edhe gjimnazistëve të Tiranës. “Pezulloni mësimin”, “Bashkohuni”, “Sot ne nesër ju”, studentët janë ndaluar për disa minuta përpara gjimnazit “Qemal Stafa” duke i bërë thirrje nxënësve që ti bashkohen protestës së tyre. Ata i kanë kërkuar gjimnazistëve që të pezullojnë mësimin dhe ti bashkohen protestës, pasi nesër, kur ata të jenë studentë tarifat e larta do të rëndojnë mbi familjet e tyre. Dy ditë më parë, ministria e Arsimit u tërhoq nga pika 4 e VKM 288, sipas të cilës studentët duhet të paguanin një tarifë për provimet e mbartura. Ndërkohë është bërë thirrje në rrjetet sociale që protestës ti bashkohen edhe studentë të fakulteteve të tjera dhe të Universiteteve në rrethe