Statuja e humanistes shqiptare Nënë Terezës nga sot është pjesë e qytetit të Munichut

Nënë Tereza e derdhur në bronz nga artisti shqiptar Miftar Istrefi i njohur si “Tali” është përuruar sot në katedralen Johannes Baptist Pfaffenhofen në Munchen, Gjermani. Artisti është shprehur se ndihet shumë krenar që është autor i kësaj vepre, që është një nga figurat e shenjta dhe është vlerë për kombin shqiptar dhe mbarë njerëzimin, raporton Koha.net.“Ndjehem krenar që pata fatin të jam autor i kësaj figure të shenjtë, që është vlerë për kombin shqiptar dhe mbarë njerëzimin”, ka thënë Tali.

Në përurimin e Nënë Terezës në Munich kanë qenë prezent edhe prirësit fetar të kombit shqiptar, të cilët treguan respektin për figurën e Nënë Terezës. Kjo nuk është vepra e vetme e Talit me figurën e Nënë Terezës që vendoset në një qytet jashtë trojeve shqiptare.

Më 13 shtator një bust i saj, i punuar nga Tali, ishte vendosur në Toronto, Kanada.

Shoqata Kultorure Humanitare Shqiptaro-Gjerman “Sali Çekaj”, e kryesuar nga Osman Ferizi, në veprimtarinë e saj ka patur në programet e saj ideimin, sponsorizimin dhe gjithçka deri në finalizimin e vendosjes së Shtatores së humanistes shqiptare me famë botërore. Në mbledhjen e kryesisë së shoqatës, tre vjet më parë, lindi ideja për ta sjellur Nënë Terezën në Pfaffenhofen. Ideja fisnike u hodh në votim, u aprovua se bashku me obligimet që kërkonte aksioni i madh.

Procedura për Shtatorën e Nënës Terezë filloi duke bërë kërkesën pranë organeve përkatëse të qytetit të Pfaffenhofenit. Motivimi bazë ishte se shumësia e mërgimtarëve në Bavari dhe Pfaffenhofen me rrethinë, meriton të këtë një faltore, një cak shenjëtëror dhe hyjnor, për t`u frymëzuar dhe çmallur; për ta pasur një copë Atdhe në miniaturë edhe këtu, në mërgimin tonë të pafund! Dhe, këtë më së miri e plotëson, prania, qoftë edhe në bronz, Shtatorja e humanistës shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, të Nënës të përbotshme dhe hyjnore Nënë Tereza, e cila, pamëdyshje, do të jetë edhe krenaria e qytetarëve të Pfaffenhofenit, Bavarisë dhe të Gjrmanisë mbarë.

Nga kërkesa fillestare u deshën dy vjet pritjeje. Ishte një pritje aktive, me përkujtesë të herëpashershme, qoftë nga pala shqiptare, qoftë nga miqtë vendorë të Shoqatës tonë të përbashkët. Dhe, një vit më parë, pasoi aprovimi, miratimi i shumëpritur. U caktua edhe lokacioni, përmasat e Shtatorës e deri te ceremonia e ngritjes  të Shtatorës të Nënë Terezës, ashtu siç dinë të planifikojnë gjermanët, deri në detaje, që, zakonisht, shqiptarët i konsiderojnë imtësira dhe vetëvendosin në ditën e fundit të përmbylljes të aksionit!

 “Hija e lehtë” e Nënë Terezës

Thonë se “dikush e ka hijen e lehtë”. Dhe, vërtet, moria e veprimeve të kryera, deri në ngritjen e Shtatorës të Nënës Tereze, pati një rrjedhë kaq të mbarë, sa e përligjë, plotësisht, thënien për “hijen e lehtë” të Nënës Tereze. Kryesia e Shoqatës autorizoi kryetarin e saj, Osman Ferizi, për ta tenderuar skulptorin, duke ia dhënë idenë dhe përmasat, që më parë ishin diskutuar me palën gjermane dhe deri ke çmimi. Ecuria e realizimit artistik të Shtatorës është përcjellur, në vijimësi, nga Kryesia, herë-herë edhe anëtarësia, kanë parë fotografimet e shumëta, përgjatë punës të skulptorit. Tansparenca ishte e plotë.

Firma transportuese “RAMA” bisnesore dhe hunanitare

Shtatorja e Nënës Tereze, tashmë, nga allçia, ishte derdhur në bronz dhe priste për transportim nga atelja e skulptorit, për ngritje në Pfaffenhofen të Bavarisë. Bartja me makinë normale, udhëtimi, përshkak të përmasës, përjashtohej. Pagesa e një kamioni enkas për këtë transport, ishte i kushtueshëm. Data, dita e ngritjes, në koordinim e pëlqim me palën gjermane, veç ishte caktuar. Fatlumërisht, lajmërohet Firma “RAMA”, me pronar Brahim Ramën, nga Podujeva, me qëndrim në Gjermani: “Shtatorën e Nënës Tereze e sjell unë, duke i marrë përsipër edhe obligimet doganore për shtetin gjerman”, – premtoi dhe realizoi Brahim Rama.

Në hangarin e shtëpisë të veprimtarit Maxhun Smajli, ishin magazionuar disa shtretër, destinuar për spitalin e Pejës. Kryetari i Shoqatës, Osman Ferizi, bisedoi me pronarin e firmës “RAMA”, nëse mund t`i transportonte për në Pejë? Brahimi e miratoi kërkesën, duke i transportuar falas shtretërit në destinacionin e caktuar.

Thonë se “po t` i bëjsh njeriut dy të mira radhazi, të vazhdosh me të mirën e tretë, mendon se e ke për detyrë”! Në lokalet e Shoqatës “Sali Çekaj”, anëtarët e saj kishin tubuar disa ndihma, por, këtë herë, me destinim për Shqipëri. Kryetari Ferizi, paksa me ndrojtje se mos po e tepëron me këresa, pyet pronarin e Firmës “RAMA”, nëse ka mundësi të ndihmojë në transportimin e një morie paketash për Shqipëri, qoftë edhe duke paguar një shumë lehtësuese, paushall? Por, Brahim Rama edhe kësaj radhe refuzoi pagesën dhe premtoi transportimin falas, duke porositur ambalazhimin e mallit sipas standardeve speditive, doganore! “Hija e lehtë” e Nënë Terezës dhe fisnikëria, zemra e gjërë e Brahim Ramës dëshmon se Firma Transportuese “RAMA” nuk  është vetëm bisnesore, por edhe humanitare. Dhe, vërtet, sentenca e njohur: “Ai krua që ka rrjedhur gjithmonë, nëse nuk rrjedhë më, gjithësesi, do të pikojë”, – rezulton e saktë. Brahimi, nipi i ish-kryetarit të suksesshëm të komunës të Podujevës, Ramush Rama, me humanitetin e tij të dinjitetshëm, po e dëshmon konakësinë dhe fisnikërinë familjare.

Shërbime vullnetare për ngritjen dhe veshjen e bazamentit të Shtatorës

Lokacioni ishte menduar, studiuar dhe përcaktuar nga pala gjermane. Prifti që bëri shumë për Shtatorën, Faul Haber, tashmë, nuk jeton, ndjesë pastë, ngaqë nuk i mbijetoi sëmundjes të kancerit. Një emër tjetër meritor është edhe prifti Wagner. Ndërsa koordinatori aktual, zoti Zepp Steinbühler, me bashkëshortën Elisabeth, vazhdojnë të jenë shumë aktivë, për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ngritjen e Shtatorës të Nënë Terezës.

Misioni Katolik Shqiptar, si bashkorganizator i këtij manifestimi, ka qenë i gatshëm për të ndihmuar, brenda mundësive dhe kapaciteteve në njerëz. Është shquar për vullnet dhe angazhim koordinatori Luigj Gjergji, i cili është vëllai  i Kryeipeshkvit të Kosovës. Pastaj, Gazmend Demaj e Kolë Deda, si pjesë e Misionit Katolik Shqiptar në Gjermani, me bazë në Mynih. Të vullnetshëm, deri në udhëtimet disa qinda kilometra, për ta siguruar bazën materiale për manifestimin festiv, u dëshmuan edhe Gjon Gojani e Pal Marku, klinakë të Neuburgut.

Lidhur me përmasat e bazamentit të Shtatorës të Nënë Terezës, ka pasur debate me palën gjermane. Ne, shqiptarët, kemi maninë e madhësive, lartësive, ndërsa përfaqësuesit gjermanë arsyetonin se Nëna Tereze ka qenë modeste, ka qenë tokësore dhe Shtatorja e Saj duhe të jetë sa më afër tokës. Kompromisi i arritur ishte: 80 centimetra thellësi dhe 60 cm lartësi mbitokësore. Shtatorja do të këtë ndiçim të përhershëm, me një mjedis, hapësirë të pastër dhe mjaft të dukshëm.

Ndërtimin e bazamentit e mori përsipër anëtari i Kryesisë të Shoqatës Mustafë Shala dhe Adem Rushiti, kuptohet, punë vullnetare, falas. Ndërsa veshjen dhe gavrimin e bazamentit e bëri Firma “FERIZI”, përkarësisht, vëllezërit Jetullah e Nazmi Ferizi nga Çabra e Zubin Potokut. Ndihmoi edhe Agron Peci. Kostoja e kësaj mjeshtrie artistike kap vlerën 1.600 euro, por blerja e mermerit të kushtueshëm dhe puna u bënë falas.