SOT TE “ÇADRA E LIRISE”/ Lulzim Basha: Përmes dialogut politik po krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të enjten se “përmes dialogut politik po krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ndërsa shprehu vendosmërinë e opozitës për të vazhduar deri në fund projektin e madh të Republikës së Re.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu drejtua të enjten, protestuesve demokratë të vendosur prej 90 ditësh në çadrën e instaluar në Bulevard, duke theksuar se “gjithçka u bë realitet vetëm falë imponimit të qëndresës dhe bashkimit qytetar”.

“Ju nisët një rrugëtim epik qytetar, patriotik e demokratik, paqësor dhe europian, të vendosur për të mos pranuar më me kokën poshtë gjendjen e mjerë të vendit; të vendosur për të treguar të vërtetën tuaj para çdo shqiptari, dhe për t’i treguar botës mbarë të vërtetën e dhimbshme të Shqipërisë në zgjedhën e drogës, krimit dhe korrupsionit. Ju u bashkuat 90 ditë më parë në këtë shesh ku i treguat Shqipërisë, Europës dhe mbarë botës se shpresa nuk ka vdekur dhe se kurajoja triumfon mbi frikën”, tha Basha.

Beteja për zgjedhje të lira u kurorëzua sot jo me rrëzimin e qeverisë, por vetëm gjysmës së saj, vijoi Basha, duke theksuar se tashmë nis një lëvizje e re për t’i kthyer pushtetin qytetarëve. “Qëndresa juaj epike dhe kjo lëvizje shembi sot muret e kështjellës së mykur të Republikës së vjetër, por 37 ditët e ardhshme kjo lëvizje nuk do të ulet nuk do të shpërndahet, por do të marshojë në çdo cep të Shqipërisë derisa kështjella e Republikës së vjetër të bjerë përfundimisht”, tha Basha.

Kjo lëvizje, sipas tij, nuk filloi dhe nuk vazhdon për interesa politike apo pushtetin e një partie, një aleance apo një personi, por nisi për t’i kthyer pushtetin qytetarëve shqiptarë dhe këtë do ta bëjmë.
“Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk përfundon këtu, kjo është vetëm nxehja, ndeshja fillon pas një jave dhe marshojmë drejt fitores. Sot përmes dialogut politik Republika e vjetër ka pranuar rrugën institucionale të asgjësimit të saj, për t’i hapur vend rrugës tuaj të Republikës së re”, tha Basha.

Basha u ndal edhe te rëndësia e reformës kushtetuese, që kurrë më politika të mos jetë teatër kukullash për qytetarët. “Reforma Kushtetuese është veç shtrati kushtetues për të ndërtuar së bashku një shtet dhe shoqëri ku pushteti, pasuritë, të ardhurat dhe fati juaj të jetë një herë e përgjithmonë vetëm në dorën tuaj”, tha Basha.