Sot në Shkodër, pas “gjyqit të Pilatit”, u përsërit “gjyqi i Nurembergut”

Kisha në Shqipëri, njëheresh me mbarë popullin shqiptar, jetoi sot një nga ngjarjet më të paharrueshme në të gjithë historinë e tij mijëravjeçare: Lumnimin e 38 bijve të vet më të mirë, modele shenjtërie, feje, besnikërie, atdhedashjeje, kulture, në një kohë kur kemi kaq shumë nevojë për shembuj që të na prijnë në rrugën aspak të lehtë të jetës…

Shqipëria jetoi një gjyq ogurbardhë…

Duke rikujtuar një gjyq tjetër, ogurzi!

Rijetoi kohën kur bijtë e saj më të mirë u nxorën para gjyqit të njeriut, pse ishin shërbëtorë besnikë të Zotit! U hoqën zvarrë, të ngarkuar me pranga, të fyer, të pështyrë, të torturuar, të rrahur, si Mësuesi i tyre, Jezu Krishti zemërbutë e i përvujtë, pse ishin bijtë e të Kryqëzuarit, në emër të të cilit po  gjykoheshin…

Gjykoheshin ngaqë e donin më shumë se jetën, Zotin e njeriun!

Zotin e Shqipërinë!

Zotin e shqiptarin!

Gjykoheshin, vetëm pse i kishin prirë popullit të vet në rrugën e  zhvillimit,  të arsimit, të kulturës e, sidomos, të amshimit, në emër të Zotit, jo të diktatorit..

Priftërinj, fretër, jezuitë, novicë, shekullarë… i hoqën zvarrë nëpër rrugët e Shkodrës, drejt Kinema Rozafatit; drejt Tiranës, Burrelit, Vloçishtit, Kënetës së Maliqit, baltrave e tuneleve të errta të minierave, fushave të shkreta të qyteteve të mëdha e të vogla e pas murit të varrezës katolike të Rrëmajit, para plotoneve të ekzekutimit. Shoqëruar me britmat histerike të turmës së tyre “vdekje”, që të kujtonin ca britma të largëta në kohë: “Kryqëzoje!”.

Njerëzit që mbetën i kishin zili të pushkatuarit! Ata pushonin nën dhe duke pritur kthimin e pranverës, kur nga eshtrat e tyre do të shpërthenin vjollcat e para. Ndërsa të gjallët nuk ishin të zotët as të protestonin për gjithë këtë gjëmë! Brezni e dënuar me heshtje!

Po sot në Shkodër, pas gjyqit të Pilatit, u përsërit “gjyqi i Nurembergut”; por gjyq pa dënime me vdekje, pa trekëmbsha, gjyq që dha vendimim përfundimtar historik, atë që të krishterët besojnë me gjithë zemër se e jep veç Zoti.

E Zoti ishte aty, në atë katedrale, nga e cila qenë munduar ta dëbonin përgjithmonë!

Ishte aty, kryegjyqtar i amshuar, për ta dhënë vetë vendimin!

Si i kishte gjykuar me mëshirën e Tij të pafund, e si i kishte ndjekur në gjithë udhën e tyre të Kryqit, i shpalli të Lum shi në atë Shenjtnore, muret e së cilës i ruajnë ende zërat e martirëve, regjistruar misteriozisht.

Për Kishën – ishte një nga ditët më të bardha.

Për Shkodrën – më të lumnueshme.Watch Froning The Fittest Man In History (2015) Full Movie Online Streaming Online and Download

Për Shqipërinë – më të besueshme, ndërmjet gjithë atij mosbesimi!

Shkodra, që njëherësh me mbarë Kishën e popullin shqiptar, 50-vjet më parë u drodh nga tmerri, sot dridhej nga emocioni, nga gëzimi. Kështu di t’i shpërblejë Zoti besnikët e Tij.

Për besimtarët, ishte dita e ngadhënjimit!

Për historinë, dita e së vërtetës që, pas gjithë atyre shtrembërimeve, doli në dritën e shkëlqyer të vetë Zotit, drejtësisë së pambaruar e të pakundërshtueshme.

Dora e Zotit shkroi sot në Librin e madh të jetës 38 emra të ndritur!

Përfundim ogurbardhë i ndodhive ogurzeza.

Rikujtim i ferrit, në një ditë kur ndriste drita e ngrohtësia e Parrizit, ku pa asnjë dyshim arrijnë gjithnjë të fortit, të durueshmit, të plagosurit për vdekje për qellimin më të lartë që mund të ketë njeriu: lidhjen me Atin e gjithëpushtetshëm e të mëshirshëm, të cilën as vdekja nuk mund ta këpusë.

E dëshmon qartë Dita e sotme e falur nga Zoti!

Ditë rikujtimi!

Rikujtim i asaj tragjedie, që nuk duhet harruar kurrsesi, sepse nuk duhet përsëritur kurrsesi.

Po njeriu i fesë e di mirë se Kalvari përsëritet. Se i duhet çdo ditë të marrë pjesë në kryqëzimin e botës; në dhimbjen e thellë të njerëzve; në përpjekjen mbinjerëzore për të pohuar jetën e mohuar; në vuajtjen e vëllezërve, që vijojnë të mundohen si Krishti, në të katër anët e botës. Sepse shtegtimi drejt dritës vijon të jetë i dhimbshëm,

Po kjo ditë hap portat drejt shpresës, hap dritaren drejt misterit, për aventurën e madhe, të lirë, të njeriut!

Ditë feste, jo gjykimi: Kisha nuk gjykon! Kisha kujton. Kisha fal, pa menduar kurrë të marrë hak. Kisha Lumnon!

Ditë, kur Kisha lumnoi 38 martirë, me një festë të madhe, të paharrueshme, historike!

Ditë që i fali Kombit 38 ndërmjetësues të fuqishëm pranë Zotit, 38 dëshmitarë, që i lanë me gjakun e tyre njollat e historisë, për t’i sjellë dritë e shpresë trojeve shqiptare, popullit, të krishterëve të kësaj toke të martirizuar gjatë!

“Unë jam Alfa dhe Omega – përsërit Zoti Hyj në këtë Ditë të madhe – Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi” (Zb. 1,8). E sot mund te themi plot gezim : Martirët shqiptarë që dhatë jetën për fe e atdhe, na mbroni në. Amen!