Sot Ditë Argamedoni – Shqipëria nën pushtetin e ujit. Përmbytje masive në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës, Kavajë dhe Fier

Sot Ditë Argamedoni. Reshjet e natës dhe të fillimditës së hënë 13 qershor kanë qenë të pazakonta. Dendësia e tyre ka vënë në situatë kritike shumë qytete të vendit. Problematika në furnizimin me energji elektrike ka nxjerrë nga funksioni hidrovoret duke vë nën pushtetin e ujit një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit. Autoritetet kanë kaluar në gadishmëri strukturat përkatëse, OSHEE ka dërguar në zonat më problematike staf të përforcuar.

Reshjet intensive të shiut që kanë nisur prej orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar probleme në disa rrethe. Parashikimet janë se edhe ditën e neserme do vazhdojnë shira të rrëmbyera.

Në Vlorë janë rikthyer përmbytjet. Rrugët lidhëse me Transballkaniken dhe bulevardi janë në ujë dhe të pakalueshme për qytetarët dhe mjetet e vogla.

Përmbytjes nuk i kanë shpëtuar dhe bizneset përgjatë bulevardit dhe katet e para të objekteve. Mësohet se hidrovori është në punë me kapacitet të plotë. Lezha mbetet nën pushtetin e ujit kudo.

Në disa zona raportohet se ka ndërprerje të energjisë elektrike. OSHEE ka dhënë alarmin se nënstacioni i Skelës rrezikon të përmbytet.

“Niveli i ujit u rrit shpejt rreth orës 07:35. Po punohet me brigadat për pastrimin e ujit.Pa energji lagjia “Pavarësia”.

Si pasojë e reshjeve ka pasur edhe rrëshqitje dherash, të cilat kanë bllokuar aksin rrugor Vlorë-Radhimë.

Policia: Ja zonat problematike në Vlorë, të bllokuara disa mjete

Nga të dhënat paraprake të policisë mbi situatën hidro-meteorologjike në Qarkun e Vlorës bëhet me dije se ka reshje shiu dhe zonat më problematike janë akset rrugore nga Kampi i Puntorëve deri tek Uji i ftohtë, ku janë bllokuar disa mjete nga rënia dhe depozitimi i inerteve (nuk kemi dëmtime të objekteve).

Problematike janë gjithashtu zonat “Ujë i ftohtë” – “Radhimë”, fshatrat “Sherisht”, “Selenicë”, “Peshkëpi”, vendet e quajtura “Skelë”, “Albano dhe Romina”, “Kepi i kalldrëmit”, lagjia “10 Korriku”, zona prej të cilave ka telefonata për ndihmë nga disa familje.

Mësohet se janë njoftuar shërbimet e Emergjencës së Prefekturës dhe Drejtorisë së Ujësjellësit/Kanalizimeve.

Sakaq në Orikum, Himarë, Novoselë, Sarandë dhe Delvinë ka reshje por nuk paraqiten probleme për momentin. Lumi Vjosa është në shtratin e vet.

Policia thotë se situata po mbahet në kontroll nga shërbimet e patrullave dhe SPZ.

Lezhë, lagjia “Besëlidhja” nën ujë

Problematike paraqitet situata dhe në Lezhë.Mësohet se ka përmbytje të bizneseve dhe banesave në lagjen “Besëlidhja” të qytetit. Por dhe fushat e Bregut te Matit dhe Zadrimes. Energjia elektrike mungon sidomos ne fshatra.

Dëmtohet linja 110 kv Plasmas-Kavajë

OST njofton se është dëmtuar linja 110 kv Plasmas-Kavajë. Për pasojë Kavaja, Golemi, Seferaj dhe Qerreti janë pa energji elektrike.

Edhe Durrësi nën ujë, probleme me qarkullimin

Përmbytje masive nga reshjet edhe në Durrës.Përmbytje raportohen në disa zona problematike si tek Stacioni i Trenit, Plazh, Shkozet, ish-Kënetës dhe Spitallë. Në disa lagje të qytetit si 1,5, 4 ka probleme me trafikun për shkak të pranisë së ujit në rrugët e qytetit.Reshjet e shiut të shoqëruara dhe me shtrëngata nuk kanë pushuar përgjatë gjithë natës dhe vijojnë ende.

Përmbyten 100 ha tokë në Fier

Reshjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të kulturave bujqësore në Fier. Rreth 100 ha tokë janë përmbytur në Portez, Mbrostar, Levan dhe Seman.

Burime nga Drejtoria e Bujqësisë bëjnë me dije se kryesisht është përmbytur tokë djerrë, ndërsa një sasi e vogël ka qenë e mbjellë me perime të stinës dhe jonxhë.